Kina, kombi që mendon për të ardhmen bazuar në teknologjinë më të avancuar
2023-01-06 14:24:49

Foto nga China Daily

Foto nga China Daily

Në muajin nëntor, Ministria kineze e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit dhe disa ministri të tjera publikuan së bashku një plan pesëvjeçar (2022-2026) për të integruar teknologjinë e realitetit virtual në aplikacionet industriale. Ndër prioritetet e ministrisë për vitin në vijim janë përshpejtimi i masave për kultivimin e industrive strategjike në zhvillim, si inteligjenca artificiale, prodhimi biologjik dhe interneti i gjërave. Po ashtu, ministria do të dyfishojë përpjekjet për të mbrojtur sigurinë e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit të vendit këtë vit, me fokus në trajtimin e pengesave thelbësore teknologjike, duke forcuar avantazhin e saj në ekonominë industriale globale.

Kina do të shtojë përpjekjet për të hartuar plane për industritë e ardhshme, si robotët humanoidë, teknologjia metaverse dhe ajo kuantike, si pjesë e ambicies së saj më të gjerë për të kultivuar industri në zhvillim dhe për të ndërtuar një sistem industrial modern, sipas Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit.

Planet vijnë pasi rregullatori kryesor i industrisë njoftoi se Kina ka besimin, kushtet dhe aftësitë për të promovuar rimëkëmbjen e qëndrueshme të ekonomisë industriale këtë vit në vijim.

“Këtë vit, mes optimizimit të masave të parandalimit dhe kontrollit të Covid-19, politikat ekzistuese dhe politikat e reja do të përdoren për të mbështetur rritjen ekonomike industriale dhe besimin e tregut”, - tha Jin Zhuanglong, ministër i Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit.  

Përshpejtimi i masave për kultivimin e industrive strategjike në zhvillim, si inteligjenca artificiale, prodhimi biologjik dhe interneti i gjërave do të jenë prioritetet e ministrisë në vitin 2023, tha ministri në një intervistë me agjencinë e lajmeve “Xinhua”.

Ndërkohë, ai theksoi përpjekjet për të bërë kërkime dhe për hartimin e planeve për zhvillimin e industrive të ardhshme, si dhe për të përshpejtuar planifikimin për robotët humanoidë, teknologjinë metaverse dhe kuantike. Këto teknologji shihen gjerësisht si kufijtë e ardhshëm strategjikisht të rëndësishëm ku vendet e mëdha anembanë botës po përpiqen të krijojnë terren.

“Bloomberg Intelligence”, për shembull, parashikon se të ardhurat nga metaversja globalisht mund të arrijnë afro 800 miliardë dollarë në vitin 2024, ndërsa kompania ndërkombëtare e konsulencës “PwC” parashikon që realiteti virtual dhe realiteti i shtuar kanë potencialin për të ofruar një nxitje prej 1.5 trilionë dollarësh në ekonominë globale deri në vitin 2030.

Jin tha se ministria do të dyfishojë përpjekjet për të mbrojtur sigurinë e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit të vendit këtë vit, me fokus në trajtimin e pengesave thelbësore teknologjike, duke forcuar avantazhin e saj në ekonominë industriale globale.

Do të bëhen përpjekje për të kultivuar një numër qendrash kombëtare të inovacionit të prodhimit për të luajtur në mënyrë aktive rolin e laboratorëve kyç. Po ashtu do të bëhen përpjekje të arrihen përparime në disa komponentë dhe materiale themelore, shtoi ministri.

Në nëntor, Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit dhe disa ministri të tjera publikuan së bashku një plan pesëvjeçar (2022-2026) për të integruar teknologjinë e realitetit virtual me aplikacionet industriale.

Qeveritë vendore në Kinë po nxjerrin planet e tyre për të nxitur zhvillimin e metaverses, që konsiderohet nga shumë si gjenerata e ardhshme e internetit, për të forcuar integrimin e ekonomive reale dhe atyre digjitale.

Shangai ka theksuar metaversen në Planin e tij të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025) për industrinë eletronike të informacionit të qytetit, duke bërë thirrje për përpjekje për të forcuar kërkimin dhe zhvillimin e  teknologjive dhe aftësive themelore të metaverses.

Nanchang, kryeqendra e provincës Jiangxi, njoftoi se po ndërton një zonë pilot për metaversen, e cila do të shfaqë një kombinim të softuerit të realitetit virtual dhe kompanive të harduerit.

Charles Huang, nënkryetar i korporatës i “HTC”, tha se metaverse nuk është një slogan apo një e ardhme shumë e largët.

Sipas Huang, ka një kërkesë në rritje për pajisjet e realitetit virtual në një gamë të gjerë segmentesh, të tilla si konferencat në distancë, trajnimi, arsimi, kujdesi shëndetësor, dizajni dhe ekspozita dhe se pandemia e Covid-19 ka nxitur aplikimin e pajisjeve të realitetit virtual.

Industria e telekomunikacionit të Kinës po punon gjithashtu për të shfrytëzuar informatikën kuantike për të kapërcyer pengesat llogaritëse për 5G dhe 6G. Instituti i kërkimit të “China Mobile” ka nënshkruar një marrëveshje me “Origin Quantum”, një “startup” kinez që fokusohet në informatikën kuantike.

“Ky është bashkëpunimi i parë ndërsektorial mes informatikës kuantike dhe industrisë së telekomit në Kinë, që ka vlerë të madhe në eksplorimin e aplikacioneve potenciale të llogaritjes kuantike në të dhëna të mëdha, si dhe ndërtimin kompleks të rrjetit dhe optimizimin në fushën e komunikimit celular”,- tha Guo Guoping, profesor i informatikës kuantike në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë të Kinës dhe shkencëtar kryesor në “Origin Quantum”.