Digjitalizimi i ekonomisë shqiptare
2023-01-06 12:17:33


Digjitalizimi vjen si një fenomen i epokës së dy dekatave të fundit, i cili po merr shtrirje të shpejtë në nivel global dhe jo vetëm në marrëdhëniet ekonomike po dhe ato të profileve sociale, duke sjellë një revolucion rrënjësor të botës dhe marrëdhënieve që zhvillohen në të. Ekspertja e ekonomisë Ada Hoxholli në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës flet për këtë temë.

CMG: Çfarë është digjitalizimi i punëve dhe si ka ndikuar në tregje?

Ada Hoxholli: Në thelb digjitalizimi i referohet prirjes aktuale të automatizimit dhe shkëmbimit të të dhënave në nivel rajonal dhe global, duke përmirësuar ndjeshëm efiçencën në prodhim dhe tregtim. Zhvillimet e ditëve të sotme të internetit, sistemeve kibernetike, sistemeve të serverëve, etj. kanë mundësuar jo vetëm shkëmbimin e shpejtë të volumeve të informacionit, por kanë arritur që në shumë drejtime të krijojnë një realitet paralel.

Eficenca e tregjeve është rritur dhe identifikimi i klientëve po arrin nivele të larta saktësie të paimagjinuara më parë. Nëpërmjet rrjeteve, kryesisht atyre sociale, po arrihet të identifikohen gjithnjë e më mirë, nevojat e klientëve në mënyrë individuale, çka rrit saktësinë e planifikimit të prodhimit dhe në të njëjtën kohë, orienton prodhuesit më mirë drejt nevojave të tregut. Nga këto zhvillime transformuese janë krijuar dhe forma të reja biznesesh, të cilët kërkojnë aftësi të reja të stafit që i shërben. 

CMG: Në cilët sektorë apo sisteme shfaqet më tepër procesi i digjitalizimit?

Ada Hoxholli: Kjo etapë aktuale e zhvillimit industrial shfaqet në 4 drejtime:

Sistemet kibernetike.

Një sistem kibernetik është sistem në cilin janë të integruar kompjuterë, rrjete dhe

procese fizike. Shembuj të sistemeve kibernetike përfshijnë rrjetet, sistemet autonome të automobilave, sistemet e kontrollit të proceseve prodhuese, sistemet e robotikës, avioni me pilot automatik, etj. Potenciali ekonomik dhe shoqëror i sistemeve të tilla është shumë më i madh gjë që ka nxitur rritjen e investimeve për të zhvilluar teknologjinë në këtë fushë. Interneti i gjërave.

Interneti ka mundësuar lidhjen në të njëjtin rrjet të pajisjeve elektronike, automjeteve dhe makinerive të cilët janë pajisur me programe dhe sensorë, që u mundësojnë atyre lidhjen dhe shkëmbimin në kohë reale të të dhënave. Gjërat që ndikohen nga interneti janë të shumëllojshme dhe në zgjerim e sipër. Ndër to mund të përmenden implantet e monitorimit të zemrës; kamerat e sigurisë dhe monitorimit të prodhimit; automjetet me sensorë të integruar; pajisjet e operimit në terren, që ndihmojnë zjarrfikësit në operacionet e kërkim-shpëtimit, etj.

Sistemet “cloud” të ruajtjes së të dhënave

Sistemet e serverëve të quajtur “cloud” përfaqësojnë një mjedis të përbashkët, ku përveç mundësisë së ruajtjes së të dhënave ofrohen dhe shumë shërbime me nivel të lartë cilësie dhe me pak kërkesa manaxhimi nga ana e përdoruesve. Avantazhi i kësaj forme të ruajtjes së të dhënave është se ajo menaxhon vetë pjesën më të madhe të proceseve dhe ofron rezultate të gatshme, sipas kërkesave të përdoruesve. Çdo përdorues i këtyre sistemeve përfiton në shërbim dhe paguan aq sa përfiton dhe për aq kohë dhe atë masë sa shërbimi përdoret. Ndër avantazhet më të theksuara të këtyre sistemeve është mundësia që ato u japin kompanive për të shmangur ose minimizuar kostot e infrastrukturës së IT-së.

Informatika konjiktive.

Informatikë konjiktive është një model i kompjuterizuar, i cili realizon simulimin e

proceseve të mendimit njerëzor. Informatika konjiktive përfshin sistemet e vetëmësimit që përdorin bazat e të dhënave, njohjen e modelit dhe përpunimin e gjuhës natyrore për të imituar mënyrën se si funksionon truri i njeriut. Qëllimi i informatikës konjiktive është krijimi i sistemeve të automatizuara të teknologjisë së informacionit, që janë në gjendje të zgjidhin problemet pa kërkuar asistencë njerëzore. Informatikë konjiktive përdoret në shumë aplikacione të inteligjencies artificiale, duke përfshirë programimin e gjuhës natyrore, rrjetet nervore, robotikën dhe realitetin virtual.

CMG: Edhe Shqipëria si vend në zhvillim çdo ditë e më tepër po implementon proceset digjitale në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Cilat janë shërbimet që kanë përfituar nga digjitalizimi?

Ada Hoxholli: Niveli i zhvillimit të digjitalizimit në Shqipëri, ndryshe nga parametrat ekonomikë apo dhe ato socialë dhe juridikë, ka ecur me një shpejtësi relativisht të kënaqshme krahasuar me vendet e zhvilluara dhe në disa sektorë mbart pothuaj të njëjtin nivel dhe gjendet në të njëjtë etapë zhvillimi (p.sh. sektori bankar).

Digjitalizimi i shërbimeve financiare.

Niveli në rritje i shërbimeve financiare sidomos i operacioneve bankare, që pasqyrohet në digjitalizimin total të shërbimeve bankare, rritjen e numrit të POS, bankomatëve, si dhe masivizimi gjithnjë në rritje i përdorimit të kartave dhe së fundmi i aplikacioneve bankare.

Transferimi i shërbimeve.

Rritja e sektorit të “call center”, të cilët shfrytëzojnë digjitalizimin për të transferuar një pjesë të shërbimeve nga vendet me nivel të lartë pagash drejt Shqipërisë,  ku niveli i pagave është më konkurrues. Kjo natyrisht që ka transferuar një pjesë të papunësisë nga një vend në zhvillim si Shqipëria në vendet e zhvilluara, kryesisht Itali, Gjermani, etj.

CMG: Në çfarë faze ndodhet Shqipëria, cilat janë arritjet dhe sfidat për ne?

Ada Hoxholli: Pikat e forta përballë digjitalizimit janë: Mosha e re e popullsisë e bën më të lehtë trajnimin për t’u aftësuar për profesionet e reja,

që kërkojnë pajisjet e reja digjitale. Sipas të dhënave mosha mesatare në Shqipëri është rritur në 37 vjeç por gjithësesi mbetet vendi i dytë në Europë për popullsinë më të re, pas Kosovës së vendit të parë. Popullsia në Shqipëri është mesatarisht 10 vjet më e re se popullsia e Gjermanisë, 8 vjet më e re se e Italisë etj

Lidhja në nivel të lartë e kompanive shqiptare me partneret e tyre të huaja, rrit nivelin e implementimit të teknologjisë. Pothuaj të gjitha institucionet financiare në Shqipëri, banka, kompani sigurimi, plane pensioni, bursa e letrave me vlerë, etj. janë ose pjesë e grupeve të fuqishme financiare ndërkombëtare ose janë partnerë me këto grupe. Kjo bën që teknologjia digjitale të cilën këto grupe të fuqishme financiare janë ndër të parët që e implementojnë, ta sjellin në të njëjtën kohë ose brenda një kohe të shkurtër edhe në investimet apo partnerët e tyre në Shqipëri. Mbështetja qeveritare. Për shkak të rritjes së cilësisë së shërbimeve dhe njëkohësiht edhe perceptimit pozitiv nga ana e publikut, qeveritë shqiptare kanë pasur një qasje positive ndaj digjitalizimit të shërbimeve publike duke tentuar t’i promovojnë dhe përdorin gjithnjë e më shumë për shërbime publike.

CMG: Po nëse arrijmë të bëjmë një analizë të gjendjes së tanishme çfarë aspektesh poziteve dhe negative sjell digjitalizimi?

Ada Hoxholli: Shanset që vijnë prej digjitalizimit: Kosto e lirë e punës. Futja gjithnjë e më shumë e shërbimeve duke përdorur pajisjet digjitale pritet të rrisë nivelin e transferimit të këtyre shërbimeve nga vendet me kosto të lartë të punës drejt Shqipërisë. Kjo pritet të rrisë numrin e specialistëve shqiptarë të punësuar në ofrimin e shërbimeve për vendet me kosto të lartë të specialistëve, kryesisht vendet e BE-së. Niveli i lartë i mësimit të gjuhëve të huaja. Për fat të mirë Shqipëria trashëgon një traditë të mësimit në nivel të kënaqshëm të më shumë se një gjuhe të huaj. Kjo rrit konkurrimin e të rinjve shqiptarë në tregun e punës për të ofruar shërbime të ndryshme për kompanitë e huaja, që pritet të transferojnë këto shërbime nga vendet e tyre të origjinës. Mungesa e një tregu pune të ngopur. Tregu i punës në Shqipërti nuk është i ngopur.

CMG: Cila është situate post-pandemikë në vend, si ndikoi ajo dhe çfarë masash u morën nga institucionet përkatëse?

Ada Hoxholli: Digjitalizimi i shërbimeve, minimizoi efektet negative të pandemisë  dhe përshpejtoi procesin e transformimit digjital në vendin tonë, si në sektorin privat, ashtu edhe shërbimet e ofruara nga qeveria Digjitalizimi i shërbimeve qeveritare nisi më herët që nga janari 2020, ku të gjitha aplikimet për shërbime publike ishin të disponueshme online përmes portalit “e-albania” për të arritur në gjendjen e ditëve të sotme ku nga data 1 maj 2022, 95% e shërbimeve publike dhe kërkesave nga të gjithë qytetarët dhe aplikacionet e biznesit janë të disponueshme vetëm online me nënshkrim elektronik dhe të monitoruara në kohë reale. Në total, janë 2.5 milionë qytetarë dhe biznese të regjistruara, të cilat marrin shërbime ditore,  ku mesatarisht brenda një dite pune shërbehen rreth 2,000 qytetarë dhe ofrohen rreth 50,000 shërbime. Ndërkohë kompanitë më të mëdha private arritën të përshpejtonin proceset e digjitalizimit ku çdo gjë duhej të kalohej në online si shërbimet, trajnimet, dërgesat apo puna nga shtëpia.

CMG: Cilat janë ngjarjet e fundit në Tiranë rreth digjitalizimit dhe inovacionit?

Ada Hoxholli : Tirana si Kryeqyteti Evropian i Rinisë gjatë muajit të kaluar pati në zhvillim disa evente në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes,  Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ishte organizatori kryesor. Ekspertë të ekosistemit diskutuan se “Çfarë i mungon ekosistemit shqiptar?”, u diskutua gjithashtu mbi pritshmëritë dhe çfarë e pret ekosistemin e startup-eve në vitin 2023.

Nuk munguan as historitë e sipërmarrësve të suksesshëm. Vajzat dhe gratë sipërmarrëse ishin një nga grupet që MiSHMS pati në qendër të misionit.