VCG
“Benchuan” është një ndërmarrje për prodhimin e qarqeve elektronike. Ajo ndodhet në Nankin të Kinës Lindore. Linja e re e prodhimit inteligjent është në fazën e testimit dhe i gjithë prodhimi bëhet nga krahët mekanikë dhe pajisjet automatike.
Presidenti i kompanisë së teknologjisë së qarqeve inteligjente “Benchuan”, Dong Xiaojun, thotë: “Në fabrikën tradicionale, niveli i humbjeve vlerësohej se ishte 0.6 %, kurse tani është nën 0.1 %. Më parë, p. sh., për prodhimin e një bordi qarqesh elektronike 100 metra katrore, na duheshin dy javë, ndërsa tani koha është shkurtuar dhe mund ta bëjmë brenda tetë ditësh.”
Formimi i sistemit modern industrial është një detyrë e rëndësishme për fazën e ardhshme të ekonomisë kineze. Integrimi i teknologjisë digjitale e i inteligjencës artificiale me sektorët tradicionalë të prodhimit mund të nxitë modernizimin teknologjik të ndërmarrjeve, të cilat mund të hyjnë në pjesë të mesme dhe të lartë të zinxhirit të vlerës.
Ish-drejtori i Departamentit për Çështjet Europiane dhe Ndërkombëtare të landit të Hesenit në Gjermani, dr. Michael Borchmann, thekson: “Njëri aspekt i inovacionit të ardhshëm është digjitalizimi. Ndër vendet e G20-s, sipas të dhënave të fundit nga Forumi Ekonomik Botëror, Kina renditet e para për zhvillimin digjital.”
VCG
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Zhvillimin e Vazhdueshëm, Enriko Ceko, vëren: “Kina e sotme po fokusohet te zhvillimi i sektorit të prodhimit dhe inovacioni i produkteve e shërbimeve me cilësi të lartë.”
Me ngritjen e konkurrueshmërisë në sektorin tradicional, Kina po shpejton studimin dhe zbatimin e teknologjive moderne, si energjitë e reja, inteligjenca artificiale, bioprodhimi, lëshimi i ulët i karbonit dhe informatika kuantike. Në kompaninë e famshme kineze “Gree”, teknikët po shqyrtojnë një teknologji të re.
Drejtori i Institutit të Studimit të Teknologjisë së Energjive të Reja pranë “Gree”, Zhao Zhigang shprehet: “Produktet e rrymës së vazhdueshme mund të përmirësojnë më mirë sigurinë e prodhimit dhe jetesës, mund të promovojnë pakësimin e lëshimit të karbonit dhe të zbatojnë më tej strategjinë shtetërore për kulmin e karbonit dhe neutralizimin e karbonit.”
Ish-zv.kryeministri polak Janusz Piechociński vë në dukje: “Kina po bëhet një vend i fuqishëm në teknologjitë e reja dhe ka pasur arritje gjigante në astronautikë, teknologjinë e informacionit dhe modernizim. Polonia dhe madje tërë Europa kanë mbresa të thella nga teknologjitë kineze që zbatohen në sektorin klimatik dhe mjedisor.”
Në dhjetë vjetët e fundit ekonomia kineze ka dhënë kontribut për mbi 30 % të rritjes së ekonomisë botërore, duke zënë vendin e parë në botë. Kina do t’i ofrojë botës produkte me teknologji e cilësi më të lartë, çka është në të mirë të stabilizimit të zinxhirit industrial global.
Ekonomisti ukrainas Serdechnyi Oleksandr thotë: “Rritja e qëndrueshme e ekonomisë kineze ka rëndësi të madhe për mëkëmbjen e ekonomisë botërore. Besoj që në vitin 2023 Kina do të vazhdojë të nxitë zhvillimin ekonomik me cilësi të lartë. Ekonomia kineze mund të rigjallërohet shpejt dhe t’i japë energji të re zhvillimit ekonomik global.”
(Jiang Lei)