Vendet europiane asgjësojnë shpendët për të shmangur gripin e shpendëve
2023-01-06 15:10:18

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Fermat e shpendëve në shumë vende të Europës janë detyruar të asgjësojnë pulat në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e gripit të shpendëve shumë ngjitës në kontinent, shkruan “Xinhua”.

Autoritetet suedeze njoftuan se do të eliminojnë rreth 165.000 pula në një fermë të vetme në pjesën jugore të vendit pas një shpërthimi të salmonelës.

Në Republikën Çeke u njoftua këtë javë se më shumë se 750.000 pula në disa ferma në pjesën perëndimore të vendit u asgjësuan për arsye të ngjashme.

Ndërkohë, Franca po shqyrton një vaksinim të gjerë të popullatave të saj të pulave dhe gjelave të detit.

Dhjetëra miliona zogj në të gjithë Europën thuhet se po mbahen brenda si një mbrojtje, duke shtuar koston e mirëmbajtjes dhe duke rritur mundësinë e një përhapjeje të shpejtë nëse disa nga ato popullata infektohen.

Numri i rasteve për sëmundjen ishte i lartë në Evropë gjatë vitit 2022, veçanërisht në fermat në Republikën Çeke, Francë, Gjermani, Hungari, Poloni, Spanjë dhe Suedi.

Për më tepër, popullatat e shpendëve të egër në Austri, Danimarkë, Itali dhe Holandë kanë rezultuar pozitive për gripin e shpendëve deri në fund të dhjetorit 2022.

Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve njoftoi se një shpërthim i gripit të shpendëve midis tetorit 2021 dhe shtatorit 2022 ishte më shkatërruesi që kishte parë ndonjëherë kontinenti, me rreth 2500 shpërthime të raportuara në 37 vende europiane.

Sëmundja, e njohur shkencërisht si gripi i shpendëve H5N1, u regjistrua për herë të parë në vitin 1879 dhe që atëherë ka parë shpërthime periodike.

Kalimi nga zogjtë te njerëzit është relativisht i rrallë, megjithëse në nëntor 2021 u njoftua se dy punëtorë fermash në Spanjë kishin rezultuar pozitivë për gripin e shpendëve. Ishte vetëm rasti i dytë i transmetimit të sëmundjes te njerëzit në Europë që nga viti 2003. Rreziku shëndetësor për punëtorët e moshës 19 dhe 27 vjeç nuk konsiderohej serioz.

Megjithatë, ekziston gjithashtu një rrezik i sëmundjes, madje edhe vdekjes, midis atyre që konsumojnë mish pule ose gjeldeti, ose vezë nga pulat që janë infektuar me gripin e shpendëve.

Shkatërrimi i gjerë ka të ngjarë të shtojë presionin inflacionist në vendet europiane. Çmimet tashmë janë rritur në nivele rekord në muajt e fundit, të shkaktuara nga rritja e kostove të karburantit dhe çështjeve të furnizimit për shkak të konfliktit të vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës. (Irma)