Sofida Vaja dhe "Kënga e fundit e Mjellmës"
2023-01-05 10:53:30

Sofida Vaja, një vajzë e thjeshtë e lindur dhe rritur në qytetin e Vlorës por me vizione të tejskajshme jashtë qytetit dhe ndonjeherë përtej detit.  Shkolla ishte dera e florinjtë që prindërit i mësuan të trokasë sa herë që do të aspironte një ditë të ulej në karrigen e një të reje intelektuale.

Kështu ka nisur rrugëtimin në fushën e drejtësisë dhe post diplomuar në master për kriminologji, në njerën dorë me librat dhe në tjetrën dorë valixhen me copëza arti të formësuara qysh nga fëmijeria. Art në skenë si ish valltarë e Ansamblit të shtetit, cilësuar kështu me çmime dhe kontribute jashtë vendit e deri tek botimi i katër librave me poezi dhe prozë.

Duket sikur Sofidën nuk e lenë të qetë arti, duke e ditur që e ka dashur fort pasi në shumicën e punësimeve baza ka qenë gjithmonë e lidhur me të bukurën, me të lexueshmen dhe lirikën.

Ndërkohë që ëndrra si kriminologe luftonte fort brenda saj me dëshirën për të qenë diku në një cep të televizionit çdo ditë e Sofidës mbeti një dëshirë e madhe për të qenë gjithmonë prezente në Shqipëri me zemer dhe mendje.

Eksperiencat si kordinatore projektesh në Dart Channel dhe nga ana tjetër sekretare në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë e bindën edhe një herë se vajzat mund të jenë çfarë të duan dhe ku të duan për aq kohë sa ato munden. Sa i përket botimeve, ajo ka botuar librat: “Endrrat e arratisura”, “Më vish me flake”, Këto dy botime vijnë të bashkëlidhura si një duologjji krijimesh poezi-prozë sepse kanë në qendër veten përballë vetes në të gjitha dimensionet dhe “20 ditë reflektimi në karantinë”.

CMG: A mund të na rrëfeni pak rreth jetës suaj profesionale?

Sofida Vaja: Realisht unë nuk jam një njeri që kam një eksperiencë stabël në një profesion të caktuar edhe pse në profesionin tim jam diplomuar me rezultate shumë të larta. Mendoj se kjo ka ardhur si një vakum i sistemit dhe politikës që ka sjellë ulje-ngritje në punësim dhe pastabilitet për të rinjtë, duke sjellë paqëndrueshmëri në ekonomi dhe çoroditje në gjetjen e vendit të duhur për cilindo. Këtë e them nga eksperienca personale që sa herë mendoja e gjeja veten në një institucion duke eksploruar në fusha të tjera dhe zbuluar pjesë të vetes që as në vete nuk i kishim njohur. Kështu të qenit një kriminologe e zonja s´ka qenë kurrë një dyshim në mendjen time dhe aq më teper s´kam qenë kurrë në dyzim se nëse një ditë do jem në një institucion të drejtësisë nuk do të shkelqej siç ndodhi me punësimin tim të fundit në pozicionin e sekretares në Gjykatën Administrative të Shkallës se  Parë Vlorë. Vetes i them përherë se profesioni im  është ajo që unë di të bëj më mirë. Të mendoj si një shkrimtare dhe të veproj në marëdhëniet me njerëzit si një kriminologe.

CMG: Si vjen lumturia në sytë e tu?

Sofida Vaja: Në të gjitha momentet e mia gjatë ditës dhe natës. Në të gjitha herët që bie dhe gjej kurajon e ngrihem. Në të gjitha çastet e dhembjes dhe forcës për të qenë prapë unë. Në të gjitha copëzat e gëzimit dhe buzëqeshjeve që i dua fort. E gjej lumturinë në të gjitha dimensionet e jetës, mbase ky është defekt i bukur i një artisti të vogël që fle brenda meje.

CMG: Një nga momentet më të shenjta të njeriut është fëmijëria, si ka qenë ajo për ju?

 Sofida Vaja: Nuk ka ikur asnjëherë nga unë. E kam para syve si një tablo në dërrase të zezë. Një vajzë çapkëne. Shumë e shkathët, por asnjëherë problematike në familje edhe shoqëri. Asnjëherë perfekte, por gjithmonë e veçantë. E lidhur fort me muzikën, kryesisht me kërcimin. E vogël dhe e llastuar gjithmonë në familjen time vetëm me meshkuj.

Gjithçka e bukur që me fle sot në shpirt është falë fëmijërisë së bukur që më ka dhuruar mami, duke më rritur një vajze të lirë, ëndërrimtare, guximtare dhe me këmbë në tokë.

CMG: Mësimet që jeta të jep, nuk i gjen dot as në libra as në njerëz, cilat janë mësimet që ju ka dhënë jeta?

Sofida Vaja: Jeta. E papritur. Surprizuese. E hidhur. E jetueshme dhe e dëlirë. Më ka mësuar shumë. Më ka pjekur ndonjëherë me pahir e herë të tjera më ka mbajtur me hatër duke më lënë të brishtë, të pathyeshme dhe vigjilente.

Jetën e dua shumë edhe kur sillet si një mësuese e paskrupullt, e ftohtë dhe të zgjon me shuplaka herët në mëngjes. E dua sepse ajo më nxjerr në pah një Sofide që më duhet për pjesën tjetër në vazhdim të jetës.  Pastaj jeta ka ato momentet e saj që kur ti mendon se nuk ka rrugë apo bie në rënie të lirë, ajo të merr në krahë duke të treguar se je e preferuara e saj pavarsisht për sa kohë. Të gjitha këto emocione janë mesime pa të cilat një qënie me frymë dhe arsye nuk do të ishte asgjë më pak e më shumë se një njeri.

CMG: Si është rutina juaj, nëse mund të na flisni për të?

Sofia Vaja : Rutina ime varet nga vendi ku jetoj. Kryesisht nuk jetoj për kohë të gjatë në një vend të caktuar, pasi shkoj atje ku mund të kem një projekt artistik apo profesional. Megjithatë janë disa gjëra bazike për të cilat nuk heq dore:  -Nuk jam përdoruese e kafesë edhe nëse punoj për orë të gjata apo edhe nëse zgjohem herët, pasi kam gjithmonë energji të mjaftueshme. (Nuk e teproj nëse them se energjia e tepërt më merr shpesh herë zvarrë deri në mbrëmje)

Më pëlqejnë marrëdhëniet e komunikimit me njerëzit me të cilët rrethohem dhe nëse ata nuk janë njerëz që bëjnë humor nuk është asnjë problem, pasi rutina ime është të qenit një njeri gazmor. Lexoj ose shkruaj diçka. Detyrimisht.

CMG: Vjen një moment në jetë që arrin të kuptosh nëse je produkt i fatit apo punës?

Sofida Vaja : Puna dhe ëndrrat ecin bashkë. E them këtë për cilindo. Nuk besoj ka njerëz që nuk ëndërrojnë të jenë diku të realizuar edhe nuk punojnë për këtë gjë. Pastaj talenti dhe fati është tjetër gjë. Ndonjëherë talenti bërtet fort, por fati është i shurdhet. Unë jam një njeri që punoj me veten. Diçka që dua e marr.

Përgjithësisht kam qenë atje ku kam synuar dhe herët që fati më ka shtyrë jo drejt destinacionit tim, janë herët që lufta nuk është më e imja.

CMG: Sa e vështirë është të ndërtosh balanca në jetë mes karrierës dhe familjes?

Sofida Vaja: Nuk ka balanca në jetë. Për mendimin tim gjithmonë dedikohesh diku më shumë dhe sakrifikon diçka tjetër më shumë. Në të gjitha herët kam pasur një marrëveshje me veten time, të mos harroj qëllimin se kush jam, nga vij edhe ku të dua të qëndroj. E thënë kjo metaforikisht dhe në kuptim të parë. Nuk kam dashur asnjëherë të sakrifikoj njerëzit për të cilët i quaj familje prandaj kam qenë shumë vigjilente kur i kam zgjedhur ata të jenë pjesë  e familjes sime të re.

U kam treguar se ndonjeherë të dyja palët duhet të sakrifikojnë nga koha jonë për hatër të profesionit apo të lemë për disa kohë projektet pezull, duke bërë prioritet familjen. Në fund të ditës, ajo që mbetet është dashuria. Dashuria është gjithmonë aty sepse ajo ushqehet në zemra të bukura.

CMG: Cilat janë parimet e tua në jetë?

Sofida Vaja : Dëgjo nënën! Ajo ka gjithmonë të drejtë. Ndiq instiktet e zemrës Ajo nuk njeh hile. Neglizho! Hakmarrja është për njerëz të vegjjël. Mos bëj kompromise shpirtërore!

CMG: Cilat janë disa nga synimet e këtij viti?

Sofida Vaja : Një familje në zgjerim. Nëse do ishte dëshirë për këtë vit është të kem një motiv ndryshe për t´u frymëzuar. Në një marrëdhënie të gjatë që kam finalizuar mendoj se projekti më i bukur që Zoti do të sillte për mua është ndjenja e mëmësisë. Nuk synoj dhe projektoj shumë pasi më pëlqen më shumë të surprizohem  prandaj ia le vendin universit të mendojë për mua. Çdo dëshirë apo punë që do pasojë mirë se të vijë, unë jam aty për t’u rritur përsëri dhe sfiduar kohën, veten, moshën dhe jetën.

CMG: Jeta është si një film, si nis rrëfimi juaj?

Sofida Vaja : Nuk na ishte asnjëherë një vajze artiste, por përse ndihej ajo si e tillë? Sa herë merrte frymë, sa herë zgjohej, sa herë trishtohej, sa herë rrëzohej, sa herë shkruante, sa herë dhuronte dashuri, sa herë vdiste edhe jetonte falë ëndrrave të saj? Ajo ishte një vajzë e thjeshtë, por përse ndërlikohej kaq shumë nepër ëndrra?

Ajo rrëfen se ska libër që të flasë më bukur se një ditë monotone. S´ka film që tregon më bukur jetën, se një pikë loti. S´ka ditar që mban bëmat më të bukura se dy sy që flasin….

CMG: A vlen në të gjitha rastet të jesh njeri i sinqertë ?

Sofisa Vaja: Te qenit nje libër i hapur është ajo që më karakterizon, por nuk jam ekzaktësisht njeriu që zgjedh momentet më të mira apo më pak të tilla për të frymëzuar. E thënë kjo thjesht. Të gjitha mësimet në jetë nuk i mbaj mend me ngjarje, por me leksione. I fermentoj në arkivën e mendjes dhe e gostis veten herë pas here ose miqtë e ngushtë, e pse jo lexuesit e mi, me nga nje gotë doze frymëzimi. Kështu kam zgjedhur ta ndaj gjithçka çfarë perftoj nga jeta, me ndjesi e jo me imazhe, episode apo emra. Por ajo që di me siguri është që sa herë te jesh në një situatë teë vështirë thjesht përballu me të dhe veç përballu pa ikur, pa u shmangur apo mbivendosur ndjesitë. Kjo përballje me veten është rruga për të qenë i vërtetë, jo vetëm në ditë të vështira, por mbi të gjitha të jesh real edhe në gëzim.  

CMG: Nëse një i ri që sapo ka nisur të shkruajë libër do të të kërkonte një këshillë, çfarë do t’i thoje?

Safida Vaja: Të shkruash një libër nuk është gjë e thjeshtë, më kanë këshilluar dikur. Jo çdokush shkruan libra, këshilla e dytë që më kanë dhënë në fillimet e mia.

Unë doja të ndaja një mendim tjetër.

Të shkruash një libër është njësoj si të lesh zemrën të flasë. E që të flasë zemra, nuk ka nevojë për të qenë shkrimtar, të kesh asnjë titull, gradë apo të kesh eksperiencë. Lëre zemrën të flasë, ashtu siç ajo di. Të krijojë melodi me fjalë. Të thurri fabula, të këndojë me ndjenjat dhe të flejë mbi tastierë. Atë libër që krijon zemra nuk ka kritik që mund ta zhvlersojë, pasi ajo di gjuhën e dashurisë. 

CMG: Cilët kanë qenë njerëzit që të kanë mbështetur më tepër në jetë ?

Safida Vaja : Krahu im i djathtë, mami. Edhe pas saj e gjithë familja ime, babai dhe vëllezërit. Mami ka besuar tek unë, tek aftësitë e mia, tek dëshirat që doja t’i ktheja në vendime dhe vendimet në plane afatgjata. Ajo më ka suportuar mbase dhe kur e ka ditur se mund të dështoj, duke më këshilluar se nga dështimet askush nuk vdes, por e riprovon përsëri. Nuk ka dështime, siç unë mund t’i quaj por ka shanse dhe rifillime. Ajo ka parë tek unë pjesën time më të mire, duke bërë që edhe unë të besoj dhe të fokusohem te kjo pjesë. Duke e perfeksionuar edhe bërë më të bukur. Unë i dedikohem familjes sime sot. Faleminderit!

CMG: Ne mbyllje na trego për fjalët që përdor më tepër në përditshmëri

Sofida Vaja: Që të thoja se nuk jam nje vajzë e sjellshme, ata që do e lexojnë këtë intervistë do ta kuptonin se do gënjeja. Adhuroj të them faleminderit, të lutem kur dua diçka dhe të uroj vakte te mbara. Më duket sikur e kam për detyrë t´i servir veshit tim fjalë që unë vetë kam dëshirë të dëgjoj.  Nëse përditshmëria pastaj më ze duke u përballur edhe me njerëz që s´më kuptojnë apo nuk duan të më kuptojnë, unë zgjedh të them: Në rregull ashtu është siç thua ti.

CMG: Si lindi ky botim i fundit ?

Sofida Vaja : Libri "Kënga e fundit e Mjellmës" sjell në vëmendje historinë e një vajze të rritur dhe arsimuar në vendin me zallin më të ndritshëm në Ballkan, quajtur Shqipëri.

Të gjitha pasazhet në libër flasin shqip, edhe ngërçet identifikohen shqip, edhe retë mbi tokë lëshojnë pika shiu shqiptar, dielli lind i kripur si deti Jon dhe perëndon i ëmbël si bakllavaja tradicionale shqiptare.

Personazhet personifikojne emra lumenjsh, fenomenesh, ndjesie mbinatyrore dhe yjësish. Duket sikur universalja është kaq e paprekshme dhe reale njëkohësisht në jetën e çdo frymori që e ka lidhur jetën ta kalojë në Shqipëri. 

Problematikat nuk janë të pazakonta, ato e shoqërojnë personazhin kryesor edhe kur ajo medoemos u shmanget, ato e gjejnë, e fusin në kurth derisa gjendet përballë dobësisë së fatit. 

Ndodhitë lindin natyrshëm,  dashuria vjen magjike ashtu siç ka për qëllim të zbukurojë jetët dhe ashtu zhduket siç dashuritë e mëdha dhe të vërteta nuk zgjasin përgjithmonë. 

Kënga e fundit e Mjellmës simbolizon njëkohësisht besnikërinë e Mjellmës si shpend që dashuron vetëm një herë sikurse Hana në jetën e saj. Por jeta është e bukur edhe kur qëndron e mërzitur i rri përshtat çdo lloj veshje .

Jeta është e çuditshme edhe kur asnjë çudi nuk të ndodh, sepse ajo lind jeton dhe vdes si një dëshirë për të qenë çdo ditë si e fundit herë.

Libri është një krijim normal në skutat anormale të një imagjinate dërmuese që të çon nga një faqe jete në një faqe vdekje.

Ashtu siç kjo botë është krijuar.

E befasishme.

E frikshme.

Por e jetueshme.

Fort madje.

CMG: Si është pritur nga publiku ?

Sofia Vaja : Në fakt adhuruesit e librave janë gjithmonë me sy e vesh hapur sa herë promovohet një libër dhe unë zgjedh gjithmonë ta promovoj në televizion projektin tim që lind, sepse e di që aty ai merr vlerën që sipas meje meriton. Megjithatë unë librin vendosa ta sjell të publikur në formën e një dhurate dhe ne e dimë se dhuratat janë falas. Nuk kam dashur të shes një libër që erdhi në periudhën e karantinës e si pasojë të shes artin që lindi bashkë me mua në ato kohëra të vështira. E kam cekur edhe në intervistën që kam zhvilluar e padashur të bëhem përsëritëse dua të ritheksoj se pjese e pseudoautorëve që e kthejne artin e tyre në reklamë për veten, në përfitime personale apo në vorbulla flluskash filozofësh të kohëve moderne, unë nuk bëhem. Unë shkruaj sepse brenda meje zhvillohet një kakofoni realitetesh ose një eklips ndjenjash dhe këto ndjesi thjesht dua t’i ndaj sipas sipas mënyres sime. Sigurisht që dhuratat që unë sjell tek publiku nuk do jenë gjithmonë në formën e pakove poshtë pemës, por do gjenden në librari një ditë e deri atë ditë kam dëshirë që publiku mos të mbajë mend çmimin e librit tim, por ndjesinë e bukur që ai fal.

CMG: Pse duhet ta lexojme këtë libër, çfare do të gjejmë në të ?

Sofia Vaja : Nuk ekziston fjala duhet, por pyete njëherë zemrën kur dëgjon titullin e një libri çfarë të thotë. Nëse zemra të thotë se ai të ngacmon, atëherë kërkoje. Nuk jam me idenë se kush e kush të japë mesazhin se përse duhen lexuar libri im apo yti. Libra të këqinj nuk ka. Ka libra jo të karakterit tënd apo timit. Secili libër është ideal për dikë dikur.

Intervistoi: Megi Latifi