Sfungjeri natyral në fushat e Beratit. I riu shqiptar sjell bimën e rrallë në Shqipëri
2023-01-05 10:11:08

Në Shqipëri prodhohet sfungjer bimor. Për herë të pare në kohët moderne, këtë bimë të rrallë aziatike   e ka sjellë një inxhinier nga Berati, Rakip Belishaku. Teksa ishte duke bërë një udhëtim pune në Vietnam, ai u has me këtë sfungjer në aeroportin e Hanoit. Si fillim kurioziteti e shtyu të mësonte më tepër rreth tij, deri sa arriti të zbulonte se si rritej dhe cilat ishin cilësitë e këtij produkti. Ky produkt aq miqësor me mjedisin dhe natyrën prodhohet për herë të parë në Shqipëri nga “Rinora Handmade”. Sfungjeri bimor prodhohet nga bima e luffës, e cila origjinën e ka nga Azia. E ngjashme me kungullin, kur fruti i saj është i njomë mund të konsumohet për gatim, ndërsa kur thahet krijon një fiber, e cila shërben si sfungjer natyral për larjen e trupit. Sipërmarësi nga Berati tregon për këtë eksperiencë:

“Sipërmarrja jonë ka nisur në vitin 2020. Në 2019-tën ishte hapi i parë që ne u prezantuam me këtë produkt në Azi, Vietnam dhe pastaj 2020 menduam që ta sjellim si produkt në Shqipëri dhe nisëm të bënim kultivimin e parë të tij. Bima e sfungjerit e ka origjinën nga Azia dhe e hasa në aeroportin e Hanoit si produkt të gatshëm. Pastaj përdora  Google për të gjetur më tepër informacion. Kjo bimë importohet në Evropë nga vendet aziatike, por kam njohur njerëz të cilët e kanë pasur në Shqipëri këtë bimë në vitet ’70 dhe mendoj që ka ardhur nga specialistët kinezë të cilët kanë ndërtuar Metalurgjikun e Elbasanit, ndoshta ata sollën farat e kësaj bime dhe e kultivuan në Shqipëri në atë kohë. Besoj se i bëjnë thjesht pastrimin dhe heqjen e farave ndërkohë që ne e përpunojmë dhe e sjellim në trajtë moderne të tij. Vështirësia është shumë e madhe sidomos për një produkt që nuk njihet masivisht. Vështirësitë teknike, përsa i përket prodhimit të saj duke qenë se është një bimë që ka një cikël prej 6-7 muajsh në fushë dhe më pas ajo kalon në proceset e përpunimit dhe pjesa e fundit është marketingu që ka nevojë në Shqipëri për ta njohur këtë produkt kaq të mrekullueshëm.” – shprehet Belishaku

Ai  u përzgjodh fitues i “Green Business 2020” nga “Partners Albania” dhe është  i vetmi start up shqiptar që fitoi në “Balkan Green Ideas 2020”. Përdorimi në dush i sfungjerit të dale nga bima Luffa, largon qelizat e vdekura të lëkurës, rrit mikroqarkullimin e gjakut dhe parandalon strijat dhe celulitin. Struktura e saj fibroze i jep veti antibakteriale dhe pas çdo përdorimi mjafton të shplahet dhe të shtrydhet. Me një jetëgjatësi mesatarisht prej 3 muajsh, është një alternativë natyrale dhe ekologjike ndaj sfungjerëve sintetikë.  

“Është nisur në bazë familjare, por shpresojmë që të kalojmë dhe me të punësuar të tjerë së shpejti. Fillimi është goxha i vështirë sidomos kur nevojitet kapital i madh për të bërë investimet në parcelat, duke qenë se është një bimë që ka nevojë për strukturë për t’u rritur. Po ashtu edhe në pajisjet e përpunimit të saj të cilat pjesa më e madhe nuk ekzistonin dhe ne na u desh t’i dizejonim dhe t’i ndërtonim vetë. Nuk kemi qenë pjesëmarrës në ndonjë nga grantet shtetërore, por që kemi qenë fitues të konkursit të “Ideve të Gjelbërta për 2020” dhe kemi fituar konkursin kombëtar por edhe atë rajonal që përfshinte gjithë Ballkanin”, tregon sipërmarësi.

Objektivat janë për një zgjerim të shitjeve në Shqipëri, ndërsa aktualisht produktet e tij gjenden edhe në tregjet e huaja.

“Aktualisht ne kemi një sipërfaqe prej 1 hektarë të mbjellë. Më vonë mendojmë ta zgjerojmë duke përfshirë edhe fermerë të tjerë, pra duke ndryshuar modelin e biznesit, t’i bëjmë outsource. Aktualisht ne eksportojmë në Gjermani ku kemi një kompani partnere dhe prodhojmë me etiketë dhe logon e tyre. Ideja qëndron që 70% është tregu i huaj tashmë dhe 30% shqiptar, duke qenë se nuk ka njohjen e duhur. Megjithatë objektivi ynë është që ta kthejmë këtë mbrapsht dhe të jemi 30% eksport dhe 70% konsumatori shqiptar.”- thotë ai.

Nën logon “Rinora Handmade” nga bima Luffa prodhohen disa produkte 100% natyrale.

“Ne kemi rreth 7 produkte sfungjeri duke nisur nga këmbët, tek trupi, fytyra. Këto produkte kanë shumë efekte për fytyrën. Efekti i parë është eksfolimi, është një eksfoliant i shkëlqyer i lëkurës, pra largon pikat e zeza, hap poret dhe bën pastrimin e lëkurës. Duhet të kujtojmë që edhe në lashtësi, princeshat e asaj kohe kishin rutinën e tyre të bukurisë. Sfungjeri plastik-sintetik u zhvillua në vitet 1940 dhe ne nuk e mendojmë dot sesi ka qenë më përpara, mirëpo ka pasur alternativa dhe një ndër këto alternativa ka qenë dhe Luffa si sfungjer. “- shprehet Belishaku.

Mjafton që ky product të shkojë në dorën e konsumatorit dhe më pas ata nuk heqin dorë nga cilësia që kanë.

“Ka një trend pozitiv. Ideja është që kur ti provon një produkt që ka benefite, atëherë nuk e ndryshon dot më, pra ti e ke bërë pjesë të rutinës tënde dhe ne po mundohemi që të paktën pjesës më të madhe t’i bëjmë që ta provojnë për herë të parë dhe pastaj ata vetë do të shohin efektshmërinë e këtij produkti”, thotë sipërmarrësi.

Rakipi është lindur e rritur në fshat dhe vjen nga një familje që lidhjen me tokën e ka të veçantë. Ai beson fort tek puna sistematike, përkushtimi dhe arritja e qëllimeve që ka. Duket e çuditshme por është një nga të paktit që sot ecën në gjurmët e një fushe tjetër dhe jo në atë që ka studiuar.

“Unë jam diplomuar si inxhinier nafte dhe kam punuar për kompani të ndryshme ndërkombëtare megjithatë origjina ime është nga fshati dhe familja ime ka qenë marrë me bujqësi përherë. Ndonëse asnjëherë nuk ka qenë sfungjeri Luffa pjesë e produkteve të tyre, por nuk është aq rastësi. Bëhen lidhjet shkak-pasojë në një farë mënyre”, thotë inxhinieri Belishaku.

Sipas tij, është ende herët të japë këshilla për të rinjtë në bujqësi.

“ Të japësh këshilla është e vështirë besoj sepse duhet të jesh shembull suksesi i arrirë. Ne nuk kemi arritur akoma në atë nivel, megjithatë bujqësia është e vështirë aq më tepër në Shqipëri ku mungojnë shumë kushte, agregatët dhe imputet bujqësore janë të shtrenjta dhe tregu është përherë problematic. Ne po mundohemi të mbyllim ciklin që nga fillimi në fund, pra edhe prodhimin edhe tregtimin ta kemi nën kontrrollin tonë dhe në këtë mënyrë të arrijmë direkt te konsumatori që të marrim edhe feedback-un nga konsumatori për të bërë ndryshime nëse duhet të produkteve, por gjithashtu për të shmangur dhe hallkat e tjera që artificialisht shtojnë koston për produktin final. Sfungjerët Luffa, duke nisur që nga fara deri te produkti final janë tërësisht të punuara me dorë, janë natyralë dhe as në fermë nuk përdoren pesticide sepse nuk ka nevojë kjo llojë bime, por edhe gjatë trajtimit të saj ne bëjmë tërësisht prodhim natyral” shprehet sipërmarësi beratas.