A funksionojnë vaksinat kineze kundër COVID-it?
2023-01-05 14:29:11

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kina është në valën e rritjes së parë të rasteve të COVID-it, që është një nga më të mëdhatë në botë. Kina i zbuti kufizimet ndaj COVID në fillim të dhjetorit dhe tani shkencëtarët vlerësojnë se ajo mund të përballet me më shumë se 10 milionë raste të reja në ditë. Disa ekipe studiuesish parashikojnë që gjatë disa muajve të ardhshëm, disa qindra mijë veta mund të vdesin, ndoshta më shumë. Ka gjithashtu shqetësim se COVID-i i përhapur në Kinë mund të çojë në variante të reja, por këto variante mund të shfaqen kudo në botë tani ndërsa virusi vazhdon të qarkullojë. Numri i vdekjeve – dhe ndikimi i përgjithshëm i kësaj vale – varet kryesisht nga një faktor kyç: sa të efektshme janë vaksinat kineze.

Dy vaksinat kryesore të përdorura në vend janë “CoronaVac” dhe “Sinopharm”, të krijuara e të prodhuara në Kinë. Rreth 90 % e popullsisë ka bërë të paktën dy doza të njërës prej këtyre vaksinave. Në ShBA po dyshohet mbi efektshmërinë e këtyre vaksinave, pavarësisht se të dy janë miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Duke pasur parasysh se më shumë se 700 milionë veta mund të preken nga COVID-i në Kinë gjatë muajve të ardhshëm, le të shqyrtojmë se çfarë tregojnë të dhënat lidhur me vaksinat kineze, veçanërisht për sa u përket dy aspekteve kryesore të tyre: efektshmëria dhe siguria. Thashethemi nr. 1: Kam dëgjuar se vaksinat kineze nuk funksionojnë shumë mirë? A është e vërtetë? "Jo, kjo nuk është e vërtetë," thotë epidemiologu Ben Cowling nga Universiteti i Hong-Kongut. "Studimet tona në Hong-Kong tregojnë se kjo nuk është e vërtetë. Nuk jam i shqetësuar për efektshmërinë e vaksinave kineze.” Vaksinat kineze nuk janë “vaksina mRNA”, si ato të prodhuara nga “Pfizer” dhe “Moderna”. “CoronaVac” dhe “Sinopharm” përdorin një teknologji më të vjetër, por të provuar mirë: ato përmbajnë një formë të çaktivizuar – ose të vrarë – të virusit SARS-CoV-2. Por – dhe ky është kyçi – në një studim nga Cowling-u dhe ekipi i tij, vaksinat kineze ofruan po aq mbrojtje kundër rasteve të rënda të sëmundjes sa dhe vaksinat mRNA për të rriturit nën 60 vjeç. Dimrin e kaluar, Hong-Kongu vuajti nga një rritje masive e rasteve me variantin “Omicron” dhe ky shpërthim u mundësoi Cowling-ut dhe kolegëve të tij të testonin se sa efektive ishte vaksina kineze “CoronaVac” krahasuar me vaksinën “Pfizer”. Rreth gjysma e popullsisë në Hong-Kong kishte bërë ”CoronaVac” dhe gjysma tjetër vaksinën e “Pfizer”-it. Së bashku, më shumë se 13 milionë doza u janë bërë 7.4 milionë banorëve të Hong-Kongut. Ç’ndodhi?

"Ne treguam shumë qartë se të dy vaksinat ofrojnë një nivel të lartë mbrojtjeje kundër rasteve të rënda të COVID-it," thotë Cowling-u. Në studim, Cowling-u dhe ekipi i tij analizuan të dhënat nga rreth 20 000 raste COVID, nga të lehta deri në vdekjeprurëse. Ata zbuluan se dy doza të të dy vaksinave ofruan një nivel të lartë mbrojtjeje kundër sëmundjeve të rënda për të rriturit nën moshën 60 vjeç. Dy doza të vaksinës së “Pfizer”-it ofruan 95 deri 97% mbrojtje, ndërsa dy doza të “CoronaVac”-ut patën nga 89 në 94 % efektshmëri, ekipi raportoi në “Lancet” në tetor të vitit të kaluar.