Dhoma Amerikane e Tregtisë: Katër kërcënimet e ekonomisë së Shqipërisë
2023-01-05 17:21:42

Sfidat e këtij viti do të jenë më të ashpra se ato të 2022-shit sipas presidentit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, në një parashikim për situatën ekonomike në botë, efektet e të cilës do të jenë domino edhe në Shqipëri.

Duke iu referuar paralajmërimit të FMN-në se një e treta e ekonomisë botërore do të hyjë në recesion, Jaço thotë se nga kjo do të preket edhe Shqipëria, citon “RTSH”.

Jaço thotë se 4 janë kërcënimet me të cilat do të përballet Shqipëria, që lidhen me emigrimin, inflacionin e lartë, krizën energjetike që do të ulë investimet e bizneseve dhe sfidat gjeopolitike në rajon.

Megjithatë, përtej realitetit të ashpër, sipas Jaços jo çdo gjë mund të jetë e zymtë në Shqipëri. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë thekson se nëse Shqipëria do të japë oferta të mira mund të tërheqë kompanitë perëndimore që për shkak të konflikteve globale gjeopolitike po kërkojnë tregje të reja. Gjithashtu, një tjetër ndihmë për Shqipërinë, sipas Jaços, do të jenë edhe fondet që ajo do të marrë si pasojë e hapjes së negociatave me BE-në.

Në ditën e parë të këtij viti, FMN-ja paralajmëroi se ky vit do të jetë i vështirë për ekonominë globale dhe se një e treta e ekonomisë globale do të bjerë në recesion. (Elona)