Shqipëria me satelitë të saj, lëshohen “Albania 1” dhe “Albania 2”
2023-01-05 16:26:44

Lëshohen në hapësirë satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”. Lajmi është konfirmuar nga kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar edhe momentin e ngritjes së tyre në hapësirë.

Lëshimi i satelitëve u bë nga kompania “SpaceX”, përmes raketës “Falcon 9”, e cila u ngrit në misionin e dedikuar “Transporter 6”. Lëshimi u bë nga Stacioni Hapësinor “Cape Canaveral” në Florida.

“Ja dhe kjo, u tha, u bë. Sapo është lëshuar nga “Cape Canaveral”, Florida raketa “Falcon 9” që transporton për në hapësirë edhe satelitët tanë, Albania 1 dhe Albania 2”, - shkroi kryeministri Rama në “Facebook”.

Më herët, Rama i kishte cilësuar lëshimin e dy satelitëve “Albania 1” dhe “Albania 2” në hapësirë si udhëtimin historik të Shqipërisë në orbitë. Qëllimi i dy satelitëve është për një kontroll sa më të mirë të territorit shqiptar. Përdorimi i mjeteve hapësinore do të jetë për çështje që ka të bëjë me punët civile të vendit dhe mbi luftën kundër krimit të organizuar apo për kontrollin e lëndëve narkotike, por edhe identifikimin e hapësirave të djegura.

Dy satelitët do t’i kushtojnë shtetit shqiptar 6 milionë dollarë për një kohëzgjatje kohore prej 3 vitesh dhe qeveria e Shqipërisë do të ketë akses prioritar. (Elona)