5 vende nisin përgjegjësitë si anëtarë të sapozgjedhur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
2023-01-05 17:29:27

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Pesë vende - Ekuadori, Japonia, Malta, Mozambiku dhe Zvicra - filluan të martën të marrin përgjegjësitë si anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mandati i tyre dyvjeçar filloi zyrtarisht më 1 janar, por dita e parë e punës e Këshillit të Sigurimit për vitin 2023 pas pushimeve të Vitit të Ri ishte e marta, 3 janar.

Një ceremoni e vendosjes së flamurit u mbajt për të shënuar fillimin e përgjegjësive të tyre. Përfaqësuesi i përhershëm i Kazakistanit Akan Rakhmetullin, i cili kryesoi ceremoninë, shprehu besimin se pesë anëtarët e rinj të këshillit do të sjellin fokus në çështjet urgjente të paqes dhe sigurisë globale, citon “Xinhua”.

“Ndërsa fillojmë një vit të ri, është e qartë se situata globale vazhdon të shënohet nga sfida dhe kriza të shumta, nga konfliktet e vazhdueshme dhe fatkeqësitë humanitare deri te ndikimet negative të ndryshimit të klimës dhe pandemisë”,- tha Rakhmetullin. Trajtimi i këtyre çështjeve akute kërkon bashkëpunim dhe solidaritet si dhe përkushtim të të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, tha ai.

Përfaqësuesit e përhershëm të pesë anëtarëve të rinj të këshillit mbajtën fjalime të shkurtra përpara se të vendosnin flamujt e tyre kombëtarë jashtë dhomës së Këshillit të Sigurimit.

Pesë vendet zëvendësuan Indinë, Irlandën, Kenian, Meksikën dhe Norvegjinë. Këshilli i Sigurimit prej 15 anëtarësh ka pesë anëtarë të përhershëm - Britaninë, Kinën, Francën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, dhe 10 anëtarë jo të përhershëm të zgjedhur për mandate dyvjeçare nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Pesë anëtarë jo të përhershëm zëvendësohen çdo vit.

Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë në mes të mandatit të tyre dyvjeçar si anëtarë jo të përhershëm. (Elona)