“Albtech” përzgjidhet ndër më të mirët e konkursit të “Huawei”
2023-01-05 16:28:47

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, zhvilloi një takim me vajzat e grupit “Albtech”.  

“Albtech” është krijuar nga 6 studente në profile të ndryshme në Universitetin e Tiranës, që kanë përfaqësuar Shqipërinë në dy faza të konkursit ndërkombëtar të talentit të gjigantit kinez të teknologjisë, “Huawei”.  

Projekti i tyre i quajtur “ESA - Easy Services Albania”, shpjegon ministrja në një postim në rrjetet sociale, lidhet me lehtësimin e përdorimit të shërbimeve digjitale për personat që kanë vështirësi në përdorimin e teknologjisë dhe është përzgjedhur nga “Huawei” ndër 5 më të mirët në botë dhe si skuadra më e mirë për Europën në kuadër të konkursit “Tech4Good”.  

“Pas fitores së merituar në 2 fazat e para, u uroj vajzave shumë suksese dhe në fazën finale të konkursit në rang ndërkombëtar, shpresoj të kthehen në Shqipëri me një fitore të merituar”,- u shpreh ministrja Muzhaqi në postimin në “Facebook”. (Elona)