Energjia elektrike, nevoja për diversifikim të sistemit në vend
2023-01-04 16:03:36

Ndërsa situata ekonomike në vend paraqitet e qëndrueshme për shkak edhe të reshjeve të fundit, sërish  Shqipëria është e varur shumë nga reshjet për shkak të përqëndrimit të lartë të prodhimit të energjisë me anë të hidrocentraleve.

Në një intervistë për mediat eksperti i energjisë Azmer Duleviç thotë se ka nevojë për diversifikim të sistemit energjitik.

Eksperti Azmer Dulevic (Foto dritare.net)

Eksperti Azmer Dulevic (Foto dritare.net)

“Situata elektroenergjitike në vendin tonë për momentin paraqitet e qëndrueshme për arsye se rezerva hidrike në hidrocentralet kryesore qofshin ato shtetërore ose private është në kuota maksimale, pra në kuota në pranueshme çfarë mundëson prodhimin e energjisë elektrike në këtë moment për vendin tonë. Madje në disa  momente KESH, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare edhe ka shitur energji jashtë vendit dhe ka arkëtuar rreth 14 milionë euro deri në këtë moment. Por ajo që duhet të them është që përsëri vendi ynë është i varur nga rreshjet. Pra, 97-98% e energjisë elektrike prodhohen nga hidrocentralet, kjo do të thotë që në dimër ne kemi reshje, hapen portat, përmbytet veriu dhe gjatë verës ne nuk kemi reshje, ulet rezerva hidrike dhe detyrohemi të dalim të blejmë energjinë jashtë dhe jemi përballur të paktën në vitin e fundit me çmime që kanë shkuar 600-700 euro. Ajo që duhet të bëjë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës është që të fokusohet më tepër në diversifikimin e sistemit”-  theksoi Duleviç.

Eksperti shpjegon në detaje idenë e diversifikimit.

“Çfarë kuptojmë me diversifikim? Me diversifikim do të kuptojmë format e tjera alternative të prodhimit të energjisë siç është energjia fotovoltaike dhe eolike. Fokusi për mendimin tim duhet të jetë tek energjia solare ose fotovoltaike për prodhimin e energjisë. Pse? Sepse vendi ynë ndodhet në Mesdhe, ku ka shumë ditë me diell, temperaturat janë të favorshëm për implementimin e këtyre paneleve dhe ka mbi 300 ditë me diell. Çfarë do të thohë? Nëse fokusi do të jetë tek energjia solare fotovoltaike, gjatë verës kur ne kemi mungesë reshjesh patjetër do të prodhohet energji nga panelet fotovoltaike dhe gjatë dimrit nga hidrocentralet. Pra, do të bëhet një kombinim dhe nëse fokusi do të jetë tek energjia solare, nuk do të jetë e largët dita që vendi ynë do të jetë një vend eksportues i energjisë, pra do të shesim energji pasi të kemi plotësuar patjetër nevojat e brendshme të vendit edhe jashtë. Pra, do të gjenerohen të ardhura.”- thotë eksperti.

energji nga era (Foto Agroweb)

energji nga era (Foto Agroweb)

Veç prodhimit të energjisë elektrike, panelet fotovoltaike janë mjaft të pranueshme për mjedisin.

“E dyta, panelet fotovoltaike duhen mbështetur dhe duhen implementuar në vendin tonë sepse janë ekologjike, pra nuk e ndotin ambientin siç mund të jenë TEC-et ose anijet lundruese që kanë ngjallur diskutim nga ambjentalistët për ndotjen që shkaktojnë në ambjent, këto e kanë ndotjen zero dhe nuk janë të dëmshme për mjedisin.  E treta, investimi tek panelet fotovoltaike është me interes të lartë sepse ta kthen investimin. Pra, koha e investimit në varësi të cilësisë se panelit, kompanisë që bën të mundur instalimin dhe llojin e inverterave që përdorin ta kthen investimin brenda 5-7 viteve. Po marr një mesatare sepse mund të ketë edhe që ta kthen investimin në një kohë më të gjatë ose më të shkurtër.” – thotë Duleviç.

Ndërsa Shqipëria ka shumë potenciale për prodhimin e energjisë me anë të diellit, njohësit e fushës thonë se qeveria duhet të ketë nisma për mbështetje me financime.

“Përsa i përket paneleve fotovoltaike e favorshme ose zona, Shqipëria ka plot toka djerrë, të pashfrytëzuara  dhe që nuk përdoren për bujqësinë dhe patjetër këtu duhet të jetë fokusi. Nga ana tjetër, qeveria duhet të marrë masa ligjore që t’i mbështesë investitorët strategjikë ose potencialë që duan të hyjnë në investimin e paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë edhe me subvencione. Pra, që të ketë mbështetje direkte në mënyrë që kapaciteti prodhues i energjisë së rinovueshme nga këto impiante  të shtohet dhe të zërë një peshë më të madhe se sa është aktualisht.”

Panele diellore (Foto Vega solar)

Panele diellore (Foto Vega solar)

Shumë biznese  tashmë e kanë siguruar  vetë energjinë elektrike në Shqipëri me anë të paneleve diellore dhe e konsiderojnë si një nga investimet më të vlefshme për kompaninë e tyre, pasi investimi kthehet  në një kohë më të shkurtër për shkak të rritjes së çmimit të energjisë.