CMG-ja: Vendet e Paqësorit duhet t’i kërkojnë Japonisë dëmshpërblim për lëshimin e ujërave të ndotura bërthamore
2023-01-04 17:53:57

foto nga VCG

Centrali bërthamor i Fukushimës më 27 mars 2022/  foto nga VCG

“Kemi nevojë t’i kujtojmë Japonisë që, nëse ujërat e ndotura bërthamore janë të sigurta, ato duhet lëshohen në Tokio, të provohen në Paris dhe të rezervohen në Uashington, por oqeani Paqësor duhet të mbetet pa lëndë bërthamore.” Ankesa e politikanes së njohur nga Vanuatu Motarilavoa Hilda Lini pasqyron dëshirën e përbashkët të popujve të rajonit të Paqësorit, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).

Në prill të vitit 2021, qeveria japoneze shpalli planin për lëshimin e ujërave të ndotura bërthamore të Fukushimës në det duke filluar qysh nga pranvera e vitit 2023. Me afrimin e afatit për zbatimin e këtij plani, nga bashkësia ndërkombëtare po dëgjohen kundërshtime gjithnjë e më të ashpra. Banorët në rajonin e Paqësorit kanë shprehur vazhdimisht kundërshtimin kategorik për këtë plan të Tokios. Analistët vënë në dukje që, nëse Japonia do ta zbatojë vërtet planin e vet, vendet e Paqësorit kanë të drejtë t’i kërkojnë dëmshpërblim.

Me planin e lëshimit të ujërave të ndotura bërthamore në det, Japonia do të kursejë shumë nga ana ekonomike, por ajo do t’ia transferojë gjithë botës ndotjet bërthamore, gjë që është shumë e papërgjegjshme dhe egoiste, komentoi CMG-ja. Veçanërisht vendet ishullore të Paqësorit Jugor kanë pësuar dëme të rënda nga ndotjet bërthamore. Gjatë periudhës nga viti 1946 deri më 1958, ShBA-ja bëri 67 prova bërthamore në ishujt Marshall dhe banorët e atjeshëm vuajnë edhe sot nga helmimi prej rrezatimit, ndotja e mjedisit detar dhe rrjedhjet nga vendet e hedhjes së mbeturinave bërthamore.

foto nga VCG

Depotë e rezervimit të ujërave të ndotura bërthamore në centralin bërthamor të Fukushimës, më22 korrik 2022/ foto nga VCG

Në centralin bërthamor të Fukushimës ndodhi incidenti bërthamor i nivelit më të lartë në botë dhe, si pasojë, ka mbetur mbi 1.3 milionë tonë ujë i ndotur. Megjithëse politikanët japonezë pretendojnë se ky ujë i ndotur është i sigurt pas filtrimit me sistemin ALPS dhe “është i pijshëm”, faktet janë të kundërta.

Në një artikull të publikuar nga organizata jofitimprurëse japoneze “Dhoma e Informacionit e Energjisë Bërthamore” thuhet se, pas pastrimit, uji i ndotur bërthamor përmban prapëseprapë 64 lëndë rrezatuese, përfshirë tritiumin etj., të cilat do të dëmtojnë mjedisin detar nëse lëshohen në oqean, dhe madje do të ushtrojnë ndikime negative ndaj shëndetit të njerëzve dhe mjedisit ekologjik nëpërmjet zinxhirit ushqimor.

Nga një raport nga organizata ndërkombëtare e mbrojtjes së mjedisit “Greenpeace” del se teknologjia e përdorur tani nga Japonia nuk mund t’i trajtojë strontiumin-90 dhe karbonin-14, periudha e gjysmëjetës e të cilëve është përkatësisht 50 dhe 5730 vjet, duke sjellë dëme më të mëdha se tritiumi. (Wang Lei/ Artan)

Depotë e rezervimit të ujërave të ndotura bërthamore në centralin bërthamor të Fukushimës, më22 korrik 2022/ foto nga VCG