Alma Spathara (Burim: foto personale)
Alma Spathara është një emër i njohur në fushën e turizmit. Sportet në natyrë dhe eksplorimi që ajo ofron me biznesin e saj familjar, e kanë bërë Almën një pikë referimi për shumë operatorë turistikë. Një model pasioni dhe rritje të shëndetshme ndër vite, një dashuri për vendlindjen dhe pasuritë e mëdha natyrore të Beratit e më gjerë. Alma Spathara dhe bashkëshorti i saj, kanë shënuar një gurë themeli në turizmin natyror, kulinar shqiptar. Plot energji dhe pasion për punën dhe për jetën Alma Spathara ka gjetur formën më të mire për të tejkaluar sfidat e Covid 19. Përshtatja me strategji e plane të reja pune, më shumë fleksibilitet, po e mundëson jo vetëm të mbijetojë por të ketë sukses edhe në këto kohë të vështira.
Në një intervistë për Radio Ejani ajo flet për jetën dhe sipërmarrjen e saj në fushën e turizmit
CMG: Prej sa kohësh merreni me aktivitetin e turizmit dhe cilat janë shërbimet tuaja?
Alma Spathara: Do t’ju tregoj historinë e vërtetë të sipërmarrjes time, e cila është sa e bukur, emocionuese, aq edhe sfiduese dhe e vështirë. Ne jemi munduar që të ngremë produktet tona unike, jo në qendër të Shqipërisë, si Tiranë, Durrës, etj., por në zona shumë të thella të Skraparit, Përmetit, Beratit, Dibrës, etj. Historia ime me turizmin ka nisur në vitin 1999, kur rashë në dashuri me njeriun, i cili sot është bashkëshorti im, bashkëthemeluesi dhe frymëzimi im. Ai vinte nga emigrimi në Itali, ku ishte edukuar dhe kishte kuptuar rëndësinë e turizmit në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.
Në ato vite nuk flitej fare për turizëm në Shqipëri. Kudo në media flitej vetëm për kronika të zeza dhe korrupsion. Nuk bëhej fjalë për turistë të huaj, por vetëm ata vendas. Turistët e huaj numëroheshin me gishta. E kemi nisur nga zero, nuk kishim asgjë përveç dashurisë për jetën dhe njëri-tjetrin. Ishim mes dilemës të qëndronim në Berat dhe të investonim në qytetin tonë të lindjes apo të investonim në kryeqytet, siç vraponin të gjithë miqtë tanë. Por, unë e dashuroja Beratin magjik, lagjet e vjetra të tij, me kishat dhe xhamitë e bukura, Osumin që gjarpëron mes tij. Tomorri, sa herë e shikoja, më magjepste a thua sikur nuk e kisha për ditë para syve. Mund të isha e lumtur vetëm në Berat, afër familjes sime.
Alma Spathara dhe stafi i saj ( Burim:foto personale)
Edhe sot e mbaj mend, kur kam parë për herë të parë Kanionet e Osumit nga sipër. Ishte dashuri me shikim të parë. Pamje aq madhështore dhe të bukur nuk më kishin zënë sytë. Fuqia gërryese e lumit Osum për miliona vjet e kishte çarë koren e tokës më dysh. Osumi gjarpëronte me zhurmë në thellësi dhe në të dyja anët ngriheshin madhështore dhe të thepisura shpatet e kanionit 150 metra të thella. Menjëherë mendja punonte se si mund ta kthenim në një destinacion për të gjithë turistët vendas dhe të huaj. Por çfarë fshihej në thellësi të tij? Donim me doemos ta zbulonim atë brenda, në zemër. Blemë një gomone të përdorur, 6 lopata, 6 jelekë të vjetër dhe skafandra. Do futemi brenda me gomone, do bëjmë rafting. Strategjia jonë ka qenë të ngrinim produkte turistike në zona shumë të thella dhe të çonim shpresë në to.
CMG: Cilat kanë qenë sfidat tuaja si sipërmarrëse në këtë periudhë aspak të zakontë?
Alma Spathara : Përhapja e COVID-19 përfaqëson një sfidë të rëndësishme dhe në zhvillim për sektorin e turizmit. Ai është sektori më i prekur në gjithë botën, por edhe në Shqipëri.
Përballë pandemisë globale, sipërmarrësit duhet të përballen me një realitet të ri, që nuk është vetëm një krizë e madhe shëndetësore që prek miliona, apo edhe miliarda njerëz në të gjithë botën, por provokon gjithashtu një rënie të paparë në ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Covid 19 ka kufizuar në radhë të parë lëvizjen e njerëzve në mbarë botën për të parandaluar përhapjen e tij, e cila është e lidhur drejtpërdrejt me turizmin kulturor, shëndetësor, natyror etj.
Si sipërmarrëse në turizmin e mikpritjes, agroturizmin dhe turizmin e aventurës, 70% e të ardhurave tona vijnë nga turistët e huaj dhe 30% nga turistët vendas.
Sfidat tona kryesore kanë qenë:
- Të rrisim numrin e klientëve të rinj vendas
- Të mbajmë burimet njerëzore në punë, pasi stafi i trajnuar është investimi më i rëndësishëm për bizneset në fushën e turizmit.
- Rritja e promovimit dhe digjitalizimit në mënyrë që të rrisin pikat e kontaktit me klientët tanë.
-Përmirësimi i shërbimeve tona, krijimi i produkteve të reja dhe interesante për të gjitha grupmoshat.
- Trajnimi dhe informimi i vazhdueshëm i guidave dhe stafit.
CMG: Çfarë keni mësuar nga kjo kohë e pazakontë dhe çfarë keni ndryshuar në strategjinë e punës, për t’iu përshtatur një situate të jashtëzakonshme apo edhe për të siguruar rritje?
Alma Spathara : Sipërmarrësit janë luftëtarë; nga natyra janë optimiste dhe elastikë. Mësova se sa e rëndësishme është familja, shëndeti dhe mbështetja mes njëri – tjetrit. Mësova se sa i rëndësishme është solidariteti, bashkëpunimi dhe puna në grup mes anëtarëve të stafit tim.
Alma Spathara duke promovuar shqiperine (Burim:foto personale)
Strategjia kryesore për ne ka qenë fleksibiliteti për çdo rezervim apo kërkesë. Kemi ndryshuar politikat e anullimit, duke u dhënë mundësi turistëve të huaj të shtyjnë rezervimet e tyre në vend që t’i anullojnë ato. Ulja e kostove fikse duke i kthyer ato në të ndryshueshme. Ribërja e një plani biznesi të ri, që i përgjigjet kushteve të reja, i cili duhet të parashikojë një periudhë krize ekonomike të paktën 2 vjeçare.
Motoja ime është: Vazhdoni të luani për të fituar, jo për të mbijetuar:
Në këtë mënyrë, ju mund të arrini të mbijetoni dhe në të njëjtën kohë, do të përgatiteni për ditën pas përfundimit të krizës, sepse pas një dite me shi ka gjithmonë ditë plot diell.
CMG: A keni ndërmarrë angazhime të reja ndërkohë?
Alma Spathara : Kjo periudhë pandemie ka pasur edhe anët pozitive të saj pasi kam mundur të ndërtoj lidhje të reja shpirtërore dhe biznesi me shumë kolegë, sipërmarrës, gra, banorë të zonave për rreth etje. Një nga angazhimet më të rëndësishme ka qenë anëtarësimi në Dhomën Ekonomike të Gruas, e cila bën bashkë sfidat e grave sipërmarrëse. Lidhja që kam krijuar me gratë anëtare më ndihmon të eci përpara, të jem energjike dhe të informohem për mundësi të reja bashkëpunimi. Kam gjetur kohën të përmirësoj dhe të mësoj më shumë në fushën e marketingut digjital falë shumë web binareve dhe trajnimeve online.
Yoga ka qenë një nga angazhimet e mia të reja dhe gjithashtu këtë periudhë jam trajnuar për t’u bërë një guidë profesionale e sportit të rafting dhe canyoning. Koha cilësore e kaluar me familjen dhe miqtë ka qënë fantastike.
CMG: Cilat janë shërbimet që ofroni dhe cila është qasja juaj me klientin?
Alma Spathara : Jam bashkëthemeluese e kompleksit turistik në Berat “Hotel Restorant Castle Park” dhe “Albania Rafting Group”, kompania e parë që solli sportin e rafting-ut për herë të parë në Shqipëri në 1999 dhe sot zhvillon 15 lloje sportesh dhe aktivitete në natyrë në disa nga zonat më të thella si Kanionet e Osumit dhe Gradecit në Skrapar, malin Tomorr, fshatrat e Përmetit, Divjakë, fshatrat e Gjirokastrës, Leskovik, Valbonë, etj.
Unë me bashkëshortin tim e kemi nisur udhëtimin tonë në fushën e turizmit kur në media flitej vetëm për kronika të zeza dhe kur numri i turistëve të huaj ishte i papërfillshëm. Aktivitetet në natyrë i kemi nisur duke shoqëruar një turist të vetëm kurse sot shoqërojmë me mijëra.
Me kalimin e viteve Shqipëria ndryshonte dhe zhvillohej shpejt, duke bërë kurioz shumë turistë të huaj për ta vizitur. Tashmë pas 2 dekadash pune “Albania Rafting Group” zhvillon 15 sporte në natyrë si rafting, hydro speed, kayaking në dete dhe liqene, canyoneering, zipline, stand up paddle, hiking, caravan mules, river hiking, snow shoeing, off road, eksplorim kanioni, eksplorim shpellash etj. Ajo, nëpërmjet paketave turistike ditore dhe shumë ditore, promovon Shqipërinë nëpërmjet sporteve në natyrë nëpër zona të thella, duke rritur hapjen e bizneseve dhe punësimin e shumë të rinjve dhe grave të këtyre zonave, duke sjellë punësim për bizneset e vogla dhe banorët lokalë. Të gjithë së bashku kemi lobuar dhe mbrojtur Kanionet e Osumit nga ndërtimi i Heceve dhe vazhdojmë luftën për të mbrojtur lumin Vjosa dhe lumenj të tjerë nga ndërtimi i hidrocentraleve.
Nga fillimi i organizimit tonë deri më tani, përparësia jonë ka qenë e njëjtë: t’u ofrojmë njerëzve përvojën më të mirë që mund të kërkojnë duke kombinuar bukur aktivitetet në natyrë në zona të thella me qëndrimin në shtëpitë e banorëve, ushqimin e tyre shoqëruar nga guida vendase.
Sipërmarrëse Alma Spathara (Burim: Foto perosnale)
Puna jonë e vështirë na ka konfirmuar se kjo mund të arrihet vetëm me një grup të përkushtuar njerëzish. Secili anëtar i ekipit tonë e konsideron punën e tij si një mision. Qëllimi i ynë është që turistët të jenë të sigurt dhe të argëtohen shumë në të gjitha udhëtimet tona aventureske në Shqipëri.
Mendësia është thelbësore. Së pari, çdo turist konsiderohet mysafir, mikpritja shqiptare është një trashëgimi dhe mbetet një nga traditat tona më të rëndësishme.
Pasioni që trajnerët transmetojnë gjatë trajnimit të guidave të reja është gjithashtu thelbësor. Ata janë së pari shoku juaj dhe ju merrni vëmendjen që meritoni, njëkohësisht janë edhe profesionistë e me standarde për sigurinë tuaj gjatë udhëtimit.
Kjo është ajo që na mban të fortë gjatë viteve, duke mësuar nga gabimet tona dhe duke përmirësuar shërbimet tona çdo ditë. Ne duam që turistët të kthehen në fund të ditës me një kujtim që mund ta ndajnë me të gjithë miqtë dhe familjen e tyre .
CMG: Sfidat mes të qenurit grua dhe sipërmarrëse kërkojnë një menaxhim e filozofi specifike. Si i keni menaxhuar apo këto dy anë të medaljes tuaj? Ju ka penguar apo ndihmuar fakti i të qenurit grua?
Alma Spathara: Në fakt të qenit grua nuk e kam ndjerë asnjëherë si pengesë, pasi jam rritur nga dy prindër të kulturuar dhe kam një bashkëshort që më mbështet dhe më inkurajon shumë.
Të jesh i suksesshëm shpesh do të thotë të mësosh nga ata që tashmë i kanë arritur qëllimet e tyre. Të kesh një mentor është një bekim i madh për një sipërmarrës. Mentori im është bashkëshorti im.
Njohja me bashkëshortin tim Zamo, i cili është me vizion dhe kishte shumë njohuri dhe trajnime në fushën e turizmit, forcuan edhe më tepër pasionin tim për natyrën dhe sportet. Ai është mentori im dhe së bashku po rrisim 3 fëmijë që sot janë gjithashtu të angazhuar në biznesin tonë. Filozofia ime është që suksesi varet nga skuadra që ke ndërtuar dhe e vetme nuk mund të jesh kurrë e suksesshme. Jam me fat që rrethohem nga të rinj e të reja shumë të përgatitur.
CMG: Çfarë do t’u sugjeronit të rinjve që duan të nisin një biznes, apo të kenë një karrierë të suksesshme?
Alma Spathara: Këto janë disa nga këshillat e mia për të qënë të suksesshëm:
-Gjeni një mentor! Të mësosh nga eksperienca e njerëzve të suksesshëm dhe të marësh këshilla nga përvoja e tyre është shumë e rëndësishme për suksesin tuaj.
-Sfidoni veten duke mësuar gjëra të reja! Motivimi im më i madh është të vazhdoj të sfidoj veten. Të rinjtë mund të mësojnë çdo ditë gjëra të reja.
-Bëni punën që ju pëlqen dhe besoni në veten tuaj! Mënyra e vetme për të qenë i kënaqur është të bësh punën që ju pëlqen më shumë vetëm kështu do të gjeni edhe mënyrat për t’i kapërcyer pengesat.
Foto:VCG
-Shoqërohuni dhe rrini me njerëz nga të cilët mund të mësoni! Më thuaj me kë rri të të them se kush je. Rrini me njerëz që do dëshironit të beheni, pasi mund të mësoni prej tyre.
-Investoni kohë në biznesin tuaj! Askush nuk ka sukses menjëherë dhe të gjithë kemi qënë fillestar dikur. Mua mu deshën 10 vite që të arrij këtu ku jam.
-Ndërtoni një ekip të shkëlqyer! Askush nuk ka sukses në biznes i vetëm. Ndërtoni një ekip shumë të mirë për të qënë të suksesshëm.
Këtë mars, Dita Ndërkombëtare e Gruas është shumë e rëndësishme. Tema e përzgjedhur për këtë vit është shumë e bukur “Zgjidh të Sfidosh”#choosetochallenge. Unë zgjedh të sfidoj, politikën, e cila ka lënë në harresë gratë e zonave të thella në Shqipëri. Zgjedh që nëpërmjet punës time në turizmin e aventurës dhe agroturizmit prej 20 vitesh të zhvilloj vende të thella dhe të izoluara ku nuk ka rrugë, shkolla, të ardhme. Zgjedh që me promovimin tim të këtyre zonave të thella të çoj sa më shumë turistë dhe të ardhura dhe të përmirësoj jetën e grave dhe të rinjve në këto fshatra, duke sjellë shpresë dhe gëzim. Jam e sigurt se me zhvillimin e turizmi të aventurës jeta dhe mentaliteti i tyre do të ndryshojë. Zgjedh të sfidoj veten time! Zgjedh të bëhem guida e parë femër në Shqipëri e rafting dhe canyoning. Në fakt unë sot do dëshiroja që të gjitha ne të sfidojmë gjithashtu veten tonë. E di se ne të gjitha kemi dhunti, vlera, talente, aftësi dhe nuk i përdorim ato sa duhet për të ndihmuar, motivuar, drejtuar, dashuruar gratë, vajzat dhe njerëzit që na rrethojnë. Ne mund të bëjmë akoma më shumë nëse besojmë te vetja jonë, nëse përdorim aftësitë që kemi për të ndihmuar të tjerët. Zgjidh të sfidosh veten sepse nga sfida vjen ndryshimi.
Thanë se ne ishim shumë të brishta për të garuar në maratona dhe tani gratë thyejnë rekorde botërore. Thanë që ne nuk mund të kishim bizenese, nuk mund t’i drejtonim dot ato. Tani gratë në Shqipëri janë sipërmarëse të suksesshme, ndërkohë që rrisin fëmijë të sjellshëm, të edukuar, të dashur e të fortë në shtëpitë e tyre. Ne udhëheqim familje, biznese, vende. Le të festojmë arritjet e grave, arritjet tona! Zëri ynë që dikur ishte i heshtur, i frikësuar, i turpshëm tani është monument force, që thotë STOP. Stop pabarazisë gjinore! Stop paragjykimit gjinor! Zgjidh të sfidosh sepse nga sfida vjen ndryshimi!
Intervistoi: Megi Latifi