Kinë: Vendi i Zbritjes “Dongfeng”, gjithmonë i gatshëm për misionet hapësirore
2023-01-03 16:40:35

Foto: VCG

Falë vitesh përgatitjeje dhe përpjekjesh, Vendi i Zbritjes “Dongfeng” zotëron aftësi të forta kërkimi e shpëtimi për të siguruar funksionimin e lirshëm të një hallke të rëndësishme të programit të fluturimeve hapësinore me astronautë të Kinës, tha një zyrtar i lartë gjatë një interviste për Grupin Mediatik të Kinës (CMG).

Vendi i Zbritjes “Dongfeng”, që gjendet në shkretëtirën e Gobit në rajonin e Mongolisë së Brendshme të Kinës së Veriut, pranë Qendrës së Lëshimit të Satelitëve të Jiuquan-it, u vu në përdorim në shtator 2021, kur mirëpriti kthimin e tre astronautëve të misionit hapësinor “Shenzhou-12”.

"Ne kemi një skemë të pjekur kërkimi e shpëtimi. Qendra e Pekinit dhe Qendra e ‘Dongfeng’-ut parashikojnë pikën e zbritjes së kapsulës së rihyrjes në kohë reale dhe njësitë e ajrit e të tokës shkojnë përpara në pikën e parashikuar të zbritjes," tha Hu Xiaochun, zëvendësdrejtor i Qendrës së Lëshimit të Satelitëve të Jiuquan-it dhe zëvendëskomandant i selisë së vendit të zbritjes të programit të fluturimeve hapësinore me astronautë të Kinës.

Hu theksoi se kërkimi natën për anijen kozmike me astronautë “Shenzhou-14” në dhjetor 2022 u krye me lehtësi.

"Ne siguruam arritjen e helikopterëve dhe personelit sapo zbriti anija kozmike. Çdo detyrë, duke përfshirë zbritjen, hapjen e kapakut dhe nxjerrjen e astronautëve nga kabina, u krye në mënyrë të ndërlidhur dhe të rregullt," u shpreh ai.

Më parë, anijet kozmike të Kinës uleshin në Siziwang në Mongolinë e Brendshme, ndërsa “Dongfeng” shërbente si një vend rezervë për të siguruar që kushtet meteorologjike në vendin e zbritjes të përmbushnin kërkesat për ulje të sigurt.

Në dhjetor 2022, misioni “Shenzhou-15” përfundoi ndërtimin e stacionit hapësinor të Kinës dhe filloi fazën e parë të vënies në përdorim dhe zhvillimit të saj. Tani anijet kozmike mund të qëndrojnë të lidhura me stacionin kozmik derisa kushtet meteorologjike të jenë të përshtatshme për kthimin e tyre. Nuk ka më nevojë për një vend zbritjeje rezervë.

Vendi i Zbritjes “Dongfeng”, me mbështetjen e fuqishme të burimeve telemetrike, komunikuese, meteorologjike dhe mjekësore të Qendrës së Lëshimit të Satelitëve të Jiuquan-it, është një zgjedhje më e mirë për të kryer misione kërkimi dhe shpëtimi.

"Ne kemi përmirësuar mjetet dhe pajisjet e komunikimit në anijet kozmike në mënyrë të gjithanshme për të siguruar komunikimin e lirshëm në mbarë zonës së uljes. Gjithashtu kemi personalizuar një mjet të posaçëm për mbikëqyrjen mjekësore dhe kujdesin shëndetësor," bëri të ditur Hu.

Pasi anija kozmike zbret në atmosferën e Tokës, ajo mund të mbështetet vetëm në stacionet e telemetrisë tokësore. Monitorimi i anijeve kozmike është plotësisht i mbuluar nga brezi telemetrik veriperëndimor. I gjithë procesi i kthimit të një anijeje kozmike është i dukshëm nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë, duke përfshirë momentin e zbritjes, i cili regjistrohet nga kënde të shumta.(Artan)