Nga orizi kamboxhian, arra e kokosit tajlandeze, deri te frutat vietnameze, një numër në rritje i produkteve bujqësore nga vendet e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) tani futen më lehtë në tregun kinez pas zbatimit të Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal (RCEP). Për shumë prej kompanive që merren me bujqësi në vendet e ASEAN-it, zbatimi i RCEP-it ka ulur ndjeshëm kostot e tregtisë ndërkufitare, duke u sjellë atyre përfitime të dukshme.
Foto:VCG
Pas hyrjes në fuqi të RCEP-it më 1 janar të vitit 2022, bizneset bujqësore në vendet e ASEAN-it kanë përfituar nga kostot më të ulëta të importit, por kanë siguruar edhe më shumë mundësi eksporti për shkak të tarifave më të ulëta. Sipas marrëveshjes, më shumë se 90 për qind e mallrave brenda rajonit do të tregtohen përfundimisht pa tarifa doganore, duke nxitur në mënyrë të vrullshme tregtinë ndërkufitare.
"Ne nuk jemi më të shqetësuar për porositë e eksportit si më parë. Rregullimi i zinxhirit industrial i sjellë nga RCEP-i ka rritur shitjet e produkteve tona në tregun kinez," - thotë Narongsak Chuensuchon, drejtori i NC Coconut, një kompani nga provinca Ratchaburi në Tajlandë. Kjo kompani i ka futur produktet e saj në tregun kinez që prej vitit 2013 dhe brenda pak vitesh shitjet janë rritur disa herë. Kina është bërë një treg i madh eksporti për produktet e arrës së kokosit të kompanisë, tregon Narongsak Chuensuchon.
Që nga fillimi i këtij viti, frutat e pasionit (anglisht: passion fruit) dhe durianët vietnamezë u miratuan për futjen në tregun kinez. "Ky është një lajm i mirë për Vietnamin, i cili ka burime të pasura frutash," - thotë Do Thi Thu, një pedagog në Akademinë Bankare Vietnameze, duke shpresuar se më shumë produkte bujqësore vietnameze mund të eksportohen në Kinë në të ardhmen.
Foto:VCG
Që nga fundi i tetorit, orizi me aromë jaseminë kamboxhiane ka hyrë në sezonin e korrjeve. Anijet e mbushura me oriz aromatik që nisen nga Sihanoukville ose Phnom Penh mund të mbërrijnë në portin Shekou në qytetin Shenzhen të Kinës brenda një jave. Pas kontrollit dhe veprimeve doganore në port, orizi me paketim 5 kilogramësh mund të hyjë drejtpërdrejt në tregun kinez të shitjes me pakicë. Ndërsa paketimet më të mëdha, 25 ose 50 kilogram, shkojnë për shitjen me shumicë për klientë të mëdhenj, ose futen në treg pasi ripaketohen në përmasa më të vogla. Kina është një nga tregjet më të mëdha të orizit kamboxhian. Të dhënat statistikore nga Federata e Orizit të Kamboxhias tregojnë se vendi eksportoi më shumë se 230 mijë tonë oriz në Kinë në 10 muajt e parë të vitit 2022, duke përbërë gati gjysmën e totalit të eksporteve të orizit.
Vitet e fundit, projekte të mëdha si Korridori i Ri Ndërkombëtar i Tregtisë Tokësor-Detare, hekurudha Kinë-Laos dhe përmirësimi i infrastrukturave logjistike si zinxhiri i transportit dhe magazinimit për produktet e ngrira, e kanë lehtësuar gjithnjë e më shumë hyrjen në tregun kinez për produktet bujqësore nga vendet e ASEAN-it.
Foto:VCG
Në 10 muajt e parë të vitit 2022, përmes Korridorit të Ri Ndërkombëtar të Tregtisë Tokësore-Detare, janë trajtuar 621 mijë kontejnerë, me 19.7 për qind më shumë nga viti në vit. Tani, më shumë se 640 kategori artikujsh mund të transportohen me hekurudhë dhe det përmes këtij kanali. Statistikat nga Byroja e Hekurudhave të qytetit Kunming të Kinës Jugperëndimore tregojnë se sasia totale e mallrave të transportuara me trena midis Kinës dhe Laosit i tejkaloi 10 milionë tonë që nga 7 nëntori, me vëllimin e transportit ndërkufitar të mallrave që kalonte 1.8 milionë tonë dhe me një vlerë që arrin në 12 miliardë juanë (rreth 1.7 miliardë dollarë amerikanë). Deri më tani, 25 njësi administrative të nivelit provincial në Kinë kanë krijuar itinerare hekurudhore ndërkombëtare të transportit të mallrave me këto vende, duke përfshirë Laosin, Tajlandën, Mianmarin dhe Singaporin. Përmasat e mallrave janë zgjeruar në më shumë se 1.200 kategori, duke përfshirë plehrat kimike, produktet elektronike e fotovoltaike dhe frutat.
Ndërsa, për Narongsakun, RCEP-i mund të nxitë formimin dhe zgjerimin e industrive në zhvillim në rajon dhe të promovojë transformimin dhe përmirësimin e industrive tradicionale vendore. "Kina është tregu ynë më i madh i eksportit, prandaj i kushtojmë më shumë vëmendje përmirësimit të cilësisë së produktit dhe rritjes së konkurrencës," – thotë ai, duke shtuar se kompania tani eksporton në Kinë edhe pelte dhe lëng kokosi në shishe, përveç arrave të freskëta të kokosit.
Foto:VCG
“Në të kaluarën, kur mbillnim durian, i ujitnim ose i plehëronim vetëm në bazë të përvojave të kaluara dhe nganjëherë zhgënjeheshim sepse pemët nuk rriteshin mirë”, - thotë Leong Pui Sam, pronari malajzian i plantacionit të durianit. Sam, i cili mbjell durianin e famshëm Malajzian Musang King, tregon se që kur në fermën e tij u prezantua një sistem i menaxhimit “të zgjuar” të zhvilluar nga Regaltech dhe gjiganti teknologjik kinez Alibaba Cloud, mbjellja e durianëve është shumë më efikase, përveç uljes së kostos apo kursimin e kohës, që bazohet mbi mbledhjen dhe analizimin më të shpejtë të të dhënave të rritjes së frutave.
Ouyang Jianbin, menaxher i përgjithshëm i Zhong Bao (Kamboxhia) Food Science & Technology, thotë se RCEP-i është i favorshëm për ndërtimin dhe prodhimin e ndërmarrjeve bujqësore kineze në Kamboxhia. Sipas tij, mënyra tradicionale ishte importimi i lëndëve të para dhe pastaj përpunimi. Por tashmë kjo është ndryshuar kryesisht sepse lëndët e para mund të përpunohen direkt në vendin e origjinës dhe më pas tregtohen produktet e gatshme, gjë që jo vetëm ka optimizuar formën ekonomike rajonale, por edhe ka reduktuar harxhimet e kota e të panevojshme.