Ambasadori Zhou Ding: Kina do ta konsiderojë gjithmonë Shqipërinë si një mike dhe partnere
2023-01-03 13:14:59

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ambasadori i Kinës në Tiranë, Zhou Ding, ka uruar të gjithë miqtë shqiptarë me rastin e ndërrimit të viteve. Nëpërmjet një mesazhi në rrjete sociale, ambasadori vlerëson zhvillimet e vitit të kaluar dhe thellimin e bashkëpunimit reciprok midis dy vendeve.

“Vitin e kaluar kemi qenë dëshmitarë të ndryshimeve në botë së bashku, ringjallëm miqësinë mes dy popujve dhe thelluam bashkëpunimin reciprok dypalësh. Nga Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit deri në Kupën Botërore të Katarit, ne vlerësuam frymën olimpike të përpjekjes së vazhdueshme për më lart, më shpejt, më fort dhe më të bashkuar, dhe ndjemë vitalitetin rinor të Tiranës si Kryeqyteti Evropian i Rinisë”,- shkruan ambasadori, teksa shton se vitin e kaluar, marrëdhëniet kino-shqiptare mbajtën një ritëm të mirë zhvillimi, udhëheqësit e të dy vendeve mbajtën komunikim të mirë dhe pati përparime të reja në bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, tregtisë dhe kulturës.

“Vizitova shumë vende në Shqipëri dhe bëra shumë miq të rinj. Qoftë në qytet, fshat, në universitete apo në komunitet, isha thellësisht i prekur nga ngrohtësia dhe mikpritja juaj dhe shpresat për zhvillimin e marrëdhënieve kino-shqiptare”,- shkruan ambasadori Zhou.

Në mesazhin e tij, ambasadori siguron se Kina do ta konsiderojë gjithmonë Shqipërinë si një mike dhe partnere.

“Kina do të jetë gjithmonë një ndërtuese e paqes botërore, një kontribuuese në zhvillimin global dhe një mbrojtëse e rendit ndërkombëtar. Viti i ri është plot shpresë, le të lutemi së bashku për paqen botërore dhe të gjithë njerëzit të përjetojnë një vit të ri plot dashuri. I uroj popullit shqiptar shëndet dhe lumturi”,- përfundon mesazhi i ambasadorit të Kinës në Shqipëri. (Elona)