Afrika Jugore përkujton 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kinën
2023-01-03 11:53:54

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Afrika e Jugut të dielën përkujtoi 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kinën.

“Gjatë 25 viteve të fundit, të dy vendet kanë thelluar marrëdhëniet e tyre të gjera dypalëshe, të cilat që atëherë janë ngritur në një partneritet gjithëpërfshirës strategjik dhe të mbështetur nga një program i ri strategjik 10-vjeçar i bashkëpunimit (2020-2029)”,- bëri të ditur Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit në një deklaratë në faqen e tij të internetit.

Afrika e Jugut vendosi marrëdhënie diplomatike me Kinën më 1 janar 1998. Ndërveprimi i rregullt midis Afrikës së Jugut dhe Kinës zhvillohet në nivele të ndryshme zyrtare dhe përfshin shkëmbime të vizitave shtetërore dhe angazhime të nivelit të lartë, si dhe bashkëpunim në ministri të ndryshme qeveritare, citon “Xinhua” deklaratën.

“Këto angazhime janë një dëshmi e rëndësisë së madhe që i kushtohet nga të dyja palët lidhjeve historike politike dhe ekonomike”, - thuhet në deklaratë, duke shtuar se Afrika e Jugut dhe Kina gëzojnë marrëdhënie të gjalla ekonomike dhe Kina është deri tani partneri më i madh tregtar global i Afrikës së Jugut.

Tregtia dypalëshe u rrit në mënyrë eksponenciale gjatë viteve, duke u rritur nga më pak se 1 miliard rand (rreth 59 milionë dollarë amerikanë) në 1998-n në nivelet aktuale prej 544 miliardë rand në 2021-shin. Afrika e Jugut është gjithashtu partneri tregtar numër një i Kinës në Afrikë.

Në kuadër të 25-vjetorit të marrëdhënieve dypalëshe, ministrja e Marrëdhënieve dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Naledi Pandor dhe homologu i saj kinez kanë shkëmbyer letra urimesh për të riafirmuar marrëdhëniet e vendosura mirë.

Të dyja palët janë të prirura të eksplorojnë fusha të mëtejshme bashkëpunimi për përfitimin reciprok, rritjen ekonomike dhe prosperitetin e kombeve të tyre përkatëse. Për më tepër, të dyja qeveritë kanë planifikuar disa aktivitete që do të zhvillohen gjatë gjithë vitit si në Afrikën e Jugut ashtu edhe në Kinë, për të festuar këtë moment historik, thuhet në deklaratë. (Elona)