Kamboxhia, fillon puna në rrugët kombëtare të financuara nga Kina
2022-12-31 17:35:22

Në Kamboxhia të premten u hap terreni për rindërtimin dhe përmirësimin e dy rrugëve kombëtare me fonde nga Kina, për të përballuar flukset në rritje të udhëtimeve dhe transportit të mallrave, përcjell “Xinhua”.

Rrugët përfshinin Rrugën Kombëtare 31 në gjatësi prej 53.5 km që lidh provincën Takeo me provincën Kampot dhe Rrugën Kombëtare 33 me gjatësi prej 52.6 km, që lidh qytetin Kampot me provincën Kep.

Kryeministri i Kamboxhias, Samdech Techo Hun Sen, dhe ambasadori kinez në Kamboxhia, Wang Wentian, morën pjesë në ceremoninë e hapjes së themeleve.

Hun Sen tha se të dyja rrugët janë të ndërlidhura dhe ndodhen në polin ekonomik të provincave jugperëndimore.

“Këto rrugë do të kontribuojnë në zhvillimin e turizmit në provincat bregdetare të Kampot dhe Kep, të cilat janë ndër destinacionet turistike të njohura në Kamboxhia. Ato do të kontribuojnë gjithashtu në nxitjen e tregtisë dhe investimeve”,- tha ai.

Kryeministri shprehu mirënjohje për qeverinë dhe popullin e Kinës, që ka ofruar një ndihmë kaq të madhe për Kamboxhian për zhvillimin e infrastrukturës, duke thënë se më shumë se 3000 km rrugë kombëtare dhe një numër urash mbi lumenj janë ndërtuar nën fondet e Kinës.

“Këto arritje janë fryt i besimit të ndërsjellë, bashkëpunimit të ngushtë dhe solidaritetit të fortë midis Kamboxhias dhe Kinës. Rrugët me kushte të mira do të zvogëlojnë kohën dhe shpenzimet e udhëtimit, kështu që njerëzit tanë do të përfitojnë shumë nga këto rrugë”,- tha ai.

Ambasadori Wang tha se viti 2022 ishte një vit i frytshëm bashkëpunimi midis Kinës dhe Kamboxhias, duke theksuar se një numër projektesh të financuara nga Kina, si rrugët dhe spitalet, si dhe një autostradë e shpejtë ishin vënë në funksion.

“Bashkëpunimi pragmatik midis Kinës dhe Kamboxhias ka dhënë rezultate të frytshme dhe ka injektuar një shtysë të re në ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët mes dy vendeve”,- tha ai.

Sipas Ministrisë kamboxhiane të Punëve Publike dhe Transportit, të dy rrugët po zhvillohen nën një hua preferenciale nga Kina, dhe po kryhen nga “China Road and Bridge Corporation” (CRBC). Projekti pritet të zgjasë 40 muaj. (Irma)