Thellohet roli i inteligjencës artificiale në rritjen ekonomike
2022-12-30 15:39:49

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Inteligjenca artificiale, një teknologji kyçe për nxitjen e transformimit digjital, po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në përshpejtimin e  Kinës për përmirësimin industrial dhe promovimin e integrimit të thellë të ekonomisë digjitale dhe asaj reale. Vlera e industrive bazë të inteligjencës artificiale të Kinës, sipas Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, tejkalon 400 miliardë juanë, me përparime që janë bërë në teknologjitë kryesore, si çipat inteligjentë.  Një  raport i ri nga konsulenca globale “Accenture” tregon se një numër gjithmonë e më i madh ndërmarrjesh kineze po rrisin investimet në inteligjencën artificiale.

Ndërmarrjet kineze po planifikojnë të rrisin investimet në inteligjencën artificiale pasi po perceptohet gjithnjë e më shumë si një nga faktorët  në rritjen e të ardhurave dhe transformimin e biznesit dhe i integruar në ekonominë reale, sipas një raporti të ri nga konsulenca globale “Accenture”.

Sipas raportit, 34 për qind e kompanive kineze të anketuara përdorën më shumë se 30 për qind të buxheteve të tyre teknologjike për projektet e inteligjencës artificiale në vitin 2021. Deri në vitin 2024, përqindja e kompanive që investojnë mbi 30 për qind të buxheteve të tyre teknologjike në inteligjencën artificiale pritet të rritet në 64 për qind.

Inteligjenca artificiale është bërë një avantazh i rëndësishëm konkurrues për ndërmarrjet. Hulumtimet kanë zbuluar se 13 për qind e ndërmarrjeve kineze të anketuara kanë përdorur inteligjencën artificiale për të tejkaluar konkurrentët e tyre. Në këtë grup janë ata që kanë arritje të suksesshme në inteligjencën artificiale, me një rezultat 64 në shkallën e maturimit, pothuajse dyfishi i asaj të të tjerëve dhe që lidhet me të ardhura 50 për qind më të larta sesa kolegët e tyre.

Pjekuria e inteligjencës artificiale është shkalla në të cilën kompanitë i tejkalojnë konkurrentët e tyre në një kombinim të aftësive themelore dhe diferencuese të lidhura me inteligjencën artificiale, të cilat përfshijnë llogaritjen “cloud”, të dhënat dhe algoritmet e inteligjencës artificiale si dhe strategjinë e inteligjencës artificiale, talentin dhe kulturën e inovacionit, tha “Accenture”.

Raporti vlerësoi se përqindja e të suksesshmëve në inteligjencën artificiale do të rritet me shpejtësi në 34 për qind deri në vitin 2024. Përveç kësaj, më shumë se gjysma e ndërmarrjeve kineze të anketuara janë "eksperimentuese të inteligjencës artificiale", që mezi kanë gërvishtur sipërfaqen e potencialit të saj dhe nuk kanë strategji të pjekura të inteligjencës artificiale dhe aftësitë përkatëse.

Megjithëse disa industri, si teknologjia e lartë, janë aktualisht shumë përpara në pjekurinë e tyre të inteligjencës artificiale, hendeku ka të ngjarë të ngushtohet ndjeshëm deri në vitin 2024. Ka hapësirë të madhe për rritje në adaptimin e inteligjencës artificiale  në të gjitha industritë dhe mundësi për ato kompani që zgjedhin ta përdorin atë, vuri në dukje raporti.

Për shembull, sektori i automobilave po eksploron për një rritje të madhe të shitjeve të automjeteve vetë-drejtuese me inteligjencë artificiale, ndërsa kompanitë e hapësirës ajrore parashikojnë kërkesë të vazhdueshme për sisteme të largëta të aktivizuara me inteligjencën artificiale. Industria e shkencave të jetës do të zgjerojë përdorimin e saj të inteligjencës artificiale në zhvillimin efikas të barnave.

Hulumtimi anketoi 250 kompani kineze në 17 industri, duke përfshirë shitjen me pakicë, telekomunikacionin, kimikatet, energjinë, shërbimet financiare dhe kujdesin shëndetësor midis korrikut dhe shtatorit, me të ardhurat e tyre nga shitjet që tejkalojnë 1 miliard dollarë në 2021-shin.

"Ne besojmë se çdo pjesë e çdo biznesi duhet të transformohet nga teknologjia, të dhënat dhe inteligjenca artificiale, në disa raste duke rezultuar në rishpikjen totale të ndërmarrjes",- tha Sanjeev Vohra, udhëheqës global për inteligjencën e aplikuar në “Accenture”.

"Përshtatja e inteligjencës artificiale dhe futja e saj në të gjitha aspektet e biznesit nuk është më një zgjedhje, por një domosdoshmëri dhe mundësi me të cilën përballet çdo industri, organizatë dhe lider",- shtoi Vohra.

Inteligjenca artificiale, një teknologji kyçe për nxitjen e transformimit digjital, po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në përshpejtimin e  Kinës për përmirësimin industrial dhe promovimin e integrimit të thellë të ekonomisë digjitale dhe ekonomisë reale.

Kina ka nxjerrë një plan që përcakton standardet për sektorin e saj të inteligjencës artificiale, me vlerën e industrive kryesore të inteligjencës artificiale që parashikohet të kalojë 1 trilion juanë (143.6 miliardë dollarë), duke e bërë Kinën një nga liderët globalë në një inovacion të tillë deri në vitin 2030.

Sipas Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, vlera e industrive bazë të inteligjencës artificiale të Kinës tejkalon 400 miliardë juanë dhe numri i ndërmarrjeve në më shumë se 3,000, me përparime që janë bërë në teknologjitë kryesore si çipat inteligjentë.

Një numër në rritje i kompanive kineze do të arrijnë transformimin digjital me ndihmën e të dhënave dhe inteligjencës artificiale, tha Chan Tzeh Chyi, drejtor menaxhues i strategjisë dhe konsulencës, drejtues i inteligjencës së aplikuar dhe shkencëtar kryesor i të dhënave në “Accenture Greater China”.

Ai shtoi se drejtuesit e biznesit duhet të përshpejtojnë hapat për të promovuar përdorimin në shkallë të gjerë të inteligjencës artificiale, t'u japin përparësi investimeve afatgjata dhe afatshkurtra të inteligjencës artificiale dhe të lejojnë që inteligjenca artificiale  të integrohet më mirë në strategjitë e përgjithshme të ndërmarrjeve.

Xiang Ligang, drejtori i përgjithshëm i Aleancës së Konsumit të Informacionit, një shoqatë e industrisë së telekomit, nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të teknologjive digjitale të përfaqësuara nga inteligjenca artificiale, që do të injektojë një shtysë të re në rritjen ekonomike të vendit dhe do të përshpejtojë përmirësimet digjitale dhe inteligjente në ndërmarrje.

Integrimi i thellë i teknologjive digjitale me ekonominë reale do të përforcojë më tej avantazhet e Kinës në zinxhirët e furnizimit global, tha ai.