Mali Daliangshan në Sichuan dikur ishte një nga "qoshet më të varfra në Kinë". Në vitin 1970, me përpjekjet e 300 000 punonjësve, u përurua hekurudha Chengdu-Kunming, arteria kryesore e çelikut që lidh provincat Sichuan dhe Yunnan. Në Sichuan, kjo hekurudhë kalon nëpër malet e mëdha Daliangshan, duke lidhur një zonë dikur të mbyllur me botën e jashtme. Sot, trenat me ngjyrë të gjelbër në linjën Chengdu-Kunming transportojnë jashtë maleve produkte bujqësore dhe bagëti çdo ditë.
Në vitin 2014 filloi ndërtimi i një hekurudhe me shpejtësi të lartë paralelisht me hekurudhën Chengdu-Kunming, projekti i zgjerimit dhe rindërtimit të hekurudhës Chengdu-Kunming. Pothuajse në të njëjtën kohë me këtë hekurudhë, u hap edhe “rruga për jetën e begatë” të banorëve në malet Daliangshan.
Zhao Yong, zëvendëskryetari i Komisionit Shtetëror të Çështjeve të Kombësive të Kinës, u shpreh: "Mbrojtja e të drejtave të njeriut në Kinë jo vetëm që është bërë mirë, por gjithashtu ka karakteristika dalluese kineze. Njëra është mbrojtja e të drejtave të njeriut të të gjithëve. Të gjithë qytetarët, pavarësisht nga kombësia, gjinia, profesioni, prejardhja familjare etj., gëzojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut pa dallim. E dyta është garantimi i të drejtave të barabarta të të gjitha kombësive. Pavarësisht nga madhësia e popullsisë, vjetërsia e historisë dhe niveli i zhvillimit, të gjitha kombësitë janë të barabarta në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. E treta është dhënia përparësi mbrojtjes së të drejtës për mbijetesë dhe zhvillim. Kina ndjek politikat e mbështetjes së veçantë, duke u mundësuar pjesëtarëve të të gjitha kombësive të gëzojnë mundësi të barabarta zhvillimi dhe të ndajnë frytet e zhvillimit. 56 kombësitë e Kinës kanë dalë njëkohësisht nga varfëria dhe kanë arritur begatinë relative. Ky është shembulli më i mirë."
Me një sërë projektesh për sigurimin e ujit të pijshëm në zonat rurale dhe projekte të konsolidimit dhe përmirësimit, Kina ka zgjidhur problemin e sigurimit të ujit të pijshëm për 28.89 milionë banorë të varfër. Sasia e ujit të pijshëm dhe cilësia e ujit kanë përmbushur të gjitha standardet, duke sjellë përfitime për 382 milion banorë ruralë.
Më 23 dhjetor 2015 u zgjidh problemi i energjisë elektrike të 9614 familjeve të fundit me 39 800 pjesëtarë pa energji elektrike në Kinë. Kur ka ende 1.1 miliardë njerëz pa energji elektrike në botë, Kina është bërë një vend ku të gjithë mund të përdorin energjinë elektrike.
Foto nga VCG
Uji, energjia elektrike e rrugët në fshatra kanë përmirësuar jetën e njerëzve, dhe rrjeti i informacionit që po zhvillohet me shpejtësi, e ka bërë botën e banorëve të fshatit më të madhe. Deri në fund të vitit 2021, të gjitha fshatrat administrative të Kinës kanë realizuar plotësisht "lidhjen me internetin".
Justin Yifu Lin, dekani i Institutit të Ekonomisë së Re Strukturore pranë Universitetit të Pekinit, shprehet: "Zhvillimi ynë ndër vite është mbështetur në përmirësimin e infrastrukturës, në mënyrë që çdo krahinë të përdorë epërsitë e saj krahasuese sipas kushteve të veta, që produktet e saj të hyjnë në tregun e brendshëm dhe në tregun ndërkombëtar, duke rritur nivelin e të ardhurave. Kështu, edhe produktet nga vendet e tjera mund të hyjnë më mirë në këto krahina për të përmirësuar standardet e jetesës së banorëve vendorë. Prandaj, mund të arrihet objektivi për përparim të përbashkët.”
Sot struktura e punësimit urban dhe rural në Kinë është duke u optimizuar vazhdimisht. Punësimi i grupeve kryesore, si të diplomuarit, të ardhurit nga fshati për të gjetur punë në qytete dhe njerëzit me vështirësi punësimi, është i qëndrueshëm. Industritë e reja dhe format e reja të biznesit po lulëzojnë dhe punësimi elastik ka arritur në 200 milionë. Gjatë dhjetë viteve të fundit, shkalla e punësimit urban po vazhdon të zgjerohet, me një rritje mesatare vjetore prej më shumë se 13 milionë vende pune të reja.
Që nga viti 2021, numri i përgjithshëm i institucioneve mjekësore dhe shëndetësore në mbarë vendin i kalon 1.03 milionët, duke përfshirë 23 000 institucione mjekësore dhe shëndetësore në nivel konteje, 35 000 qendra shëndetësore në qyteza dhe 599 000 klinika në fshatra, duke arritur mbulimin e plotë të zonave rurale.
Kina ka formuar gjithashtu rrjetin më të madh në botë të sigurimeve mjekësore bazë. Që nga viti 2021, numri i atyre që marrin pjesë në sigurimet mjekësore bazë i ka kaluar 1.36 miliardët, dhe mbulimi me sigurime mbetet mbi 95 %. Jetëgjatësia mesatare është rritur nga 35 vjet në ditët e para të themelimit të Republikës Popullore të Kinës në 78.2 vjet në vitin 2021.