Qendra kineze “Luban” ndihmon në trajnimin e inxhinierëve të ardhshëm të Egjiptit
2022-12-30 15:22:43

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Qendra “Luban” për Trajnimin Profesional në Egjipt është një nga shembujt e bashkëpunimit arsimor midis Kinës dhe Egjiptit.

Në këtë qendër ofrohen trajnime për instalimin e kontrollit numerik kompjuterik,  teknologjinë e energjisë së re dhe teknologjinë e aplikimit dhe mirëmbajtjes së automobilave. Kjo qendër u jep studentëve mundësinë të zbatojnë praktikisht atë që mësojnë në mënyrë teorike. Studentë dhe profesorë tregojnë për agjencinë e lajmeve “Xinhua” mundësitë e pafundme që u ofron kjo qendër, që nuk është më e vetmja e tillë në Egjipt.

Në një seminar në Universitetin Ain Shams në Kajro të Egjiptit, një numër studentësh inxhinierie po trajnoheshin se si të përdornin kodin G, një gjuhë programimi për të krijuar një kontroll të automatizuar të një makinerie. Punëtoria, e njohur edhe si Qendra Luban për Trajnimin Profesional, është një nga shembujt e shumtë të bashkëpunimit arsimor midis Kinës dhe Egjiptit.

E bashkëthemeluar nga Kolegji Teknik Profesional i Industrisë së Lehtë të Kinës Tianjin, Kolegji Teknik i Transportit Tianjin dhe Universiteti Ain Shams i Egjiptit në fund të vitit 2020, punëtoria, që mbulon një sipërfaqe prej rreth 1200 metrash katrorë, ofron trajnime për instalimin e kontrollit numerik kompjuterik (CNC), teknologjinë e energjisë së re  dhe teknologjinë e aplikimit dhe mirëmbajtjes së automobilave.

Yomna Osama, një studente e vjetër, tha se mësoi shumë nga trajnimi që mori në “Luban” mbi strukturën e kontrollit numerik kompjuterik, komponentët, zgjidhjen e problemeve dhe mirëmbajtjen.

“Ne gjithashtu mësuam kodin G, një gjuhë programimi që një makinë e kupton dhe unë personalisht po e përdor atë në projektin tim të diplomimit”, - tha inxhinierja e ardhshme për “Xinhua”.

Profesor Mohamad Ahmed Awad, drejtor i punëtorisë, tha se objekti arsimor u jep studentëve mundësinë të zbatojnë praktikisht atë që mësojnë në mënyrë teorike. "Punëtoria përfaqëson një lidhje shumë të rëndësishme midis arsimit akademik dhe punës praktike në fabrika pas diplomimit”,- tha drejtori për “Xinhua”.

Zona e trajnimit të energjisë së re u ofron studentëve katër sisteme dhe simulime për prodhimin e energjisë elektrike nga energjia e erës, ndërsa seksioni i trajnimit për mirëmbajtjen e makinave përmban simulatorë fizikë dhe komplete të mirëmbajtjes për makinat me naftë, mekanizma dhe sisteme mirëmbajtjeje.

"Punëtoria u ofron studentëve një mundësi të madhe për t'u njohur me teknologjitë moderne të automobilave dhe pajisjet diagnostikuese",- tha Ahmed Abdel-Kader, një mësues asistent në departamentin e inxhinierisë së automobilave.

“Ne kemi përfituar shumë nga ky bashkëpunim duke pasur një punëtori kaq cilësore, me pajisje moderne automobilistike që nuk i kemi pasur kurrë më parë”, - tha ai, duke theksuar se kjo nuk është e dobishme vetëm për studentët, por edhe për profesorët dhe mësuesit.

Punëtoria “Luban” në Universitetin Ain Shams nuk është e vetmja në Egjipt. Një tjetër është hapur së fundmi në Shkollën Teknike të Avancuar për Teknologjinë e Mirëmbajtjes në Kajro.

"Ne jemi shumë krenarë që kemi dy punëtori “Luban” në Egjipt, studentë të diplomuar në fushat e përpunimit të kontrollit numerik kompjuterik dhe mirëmbajtjes moderne të makinave",- tha Mohamed Megahed, zëvendësministër i Arsimit dhe Edukimit Teknologjik në Egjipt.

“Bashkëpunimi midis Egjiptit dhe Kinës po rritet në fushën e arsimit, veçanërisht arsimit teknik”,- tha zëvendësministri për “Xinhua”.