Prishila Gjoka: Të qenit sipërmarrës është thjesht çështje mendësie
2022-12-30 16:12:39

Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë dhe avancimi i saj ka bërë që njeriu t’i afrohet dhe të jetë më pranë saj. Disa prej pajisjeve më të familjarizuara me njeriun sot padyshim janë telefonat celularë, kompjuteri dhe gjithçka që ka lidhje me teknologjinë. Miliona njerëz kalojnë pjesën më të madhe të kohës duke komunikuar në kompjuter, ndërsa fjalisë “libri shoku më i ngushtë i njeriut” po i zbehet kuptimi. Mund të themi me bindje se ajo që u shpik nga njeriu, për t’i shërbyer atij, sot po i krijon varësi dhe po e shkëput nga realiteti. Megjithatë është për t’u befasuar fakti se si njeriu ka arritur të krijojë pajisje të tilla kaq “inteligjente”  saqë lehtësisht mund t’ju përgjigjet pyetjeve tona, në pak sekonda dhe  na mundëson gjithçka i kërkojmë. Por, si do të jetë e ardhmja e shoqërisë tonë nëse vazhdohet me këto ritme?  

Prishila Gjoka, menaxhere projektesh pranë AlbaniaTech, e sheh këtë realitet me sy optimist , madje mendon se e ardhmja i përket botës së teknologjisë. Ajo ndan për  Radio Ejani  ndodhitë në botën e teknologjisë për vitin 2022 dhe çfarë pritet në 2023. 

CMG: Prishila, cili do të ishte profili që do t’i bëje vetes ?

Prishila Gjoka: Unë kam qenë gjithmonë ajo vajza e urtë që ulej në fund të klasës për të lexuar. Më gjenin orët duke dëgjuar podcaste të ndryshme. Gjithmonë kam qenë e atashuar me botën e sipërmarrjes ndaj ndoqa edhe studimet për këtë gjë .

Në vitin e tretë unë pata mundësinë të kryeja praktikën në të parën revistë dedikuar biznesit në Shqipëri dhe që atëherë jam dashuruar me botën digjitale, startup dhe çdo gjë tjetër . 

CMG: Ju keni një eksperiencë edhe tek "Albania Tech". Çfarë udhëhiqni aty?

Prishila Gjoka : Për mua është kënaqësi të jem pjesë e një grupi të tillë sepse në çdo rast zhvillohem më tepër. Unë ndjek nga afër projektet dhe mënyrën se si funksionojnë të gjitha zhvillimet më të fundit.

Kur është ndërtuar kjo gjë, të gjithë kemi qenë pak skeptikë, por ja ku jemi më të fuqizuar se asnjëherë tjetër. 

CMG: Sa vite keni që merreni me marketingun digjital?

Prishila Gjoka: Kam tre vite që punoj intensivisht në këtë fushë dhe që jam e përfshirë, por që mësojmë dita- ditës pasi është një sektor në zhvillim.

CMG: Ky vit që po ikën  ishte viti i teknologjisë dhe zhvillimit, por a ishte i sukseshëm sipas jush ?

Prishila Gjoka : Ky vit ka qenë vërtet i suekshem pasi Tirana u shpall Kryeqyteti Europian  i Rinisë. Pati një zhvillim të madh në fushën e startup-eve dhe inovacionit, ku  unë jam edhe më e përkushtuar. Nuk dua të le askënd pa përmendur, por një arritje shumë e madhe ishte lançimi i databazës së parë shqiptare të startup-eve ku u përfshinë të gjithë aktorët e ekosistemit dhe arritëm të evidentojme të gjithë ata të cilët janë aktive në këtë platformë. Me pas ka pasur evente si "All Web", një konferencë fantastike e marketingut digjital ku u mblodhën 12 figura të rëndësishme. Ka qenë “Tirana Digital Nomad Festival”, me qindra nomade digjitale të ardhur në Tiranë nga e gjithë bota. Ky në mënyrë të tërthortë ishte një promovim për vendin tonë. Historia e një prej pjesëmarrësve në këtë event ishte e jashtëzakonshme, pasi ai vendosi të qëndrojë në Shqipëri për të ushtruar profesionin e tij sepse i pëlqeu ekosistemi këtu .

CMG: Si ka qenë tregu i Startup-eve në 2022 dhe si pritet viti 2023?

Prishila Gjoka: Fakti është që ka pasur një treg në zhvillim e siper dhe një nga aktorët më të rëndësishëm ka qenë edhe diaspora, por pa lënë mënjanë investitorët e huaj në Shqipëri.

Secili po punon për të kontribuar. Unë besoj fort që të qenit sipërmarrës është thjesht çështje mendësie dhe sa më shumë ti edukojnë të rinjtë me mendësinë e suksesit dhe sipërmarrjes aq më mirë do të jetë për të ardhmen. 

Shqipëria është ende në hapat e para, por kemi thjesht nevojë për sa më shumë kontribut nga secili .

CMG: Sa të afirmuar mendon se do jemi këtë vit në botën digjitale?

Prishila Gjoka: Shqiptaret tashmë e kanë kuptuar që e ardhmja i përket teknologjisë dhe botës digjitale dhe sa më shumë që do kalojë kohë edhe me tepër do kemi nevojë për nomadë digjitalë kështu që është momenti që të fokusohemi dhe të rritemi profesionalisht.

CMG: Ju jeni më pranë shijeve të lexuesve, si mendon çfarë duan të lexojnë më tepër njerëzit online ?

Prishila Gjoka : Në fakt janë të kategorizuar. Pra, nuk mund të themi që ka vetëm lexues që duan të kenë informacion nga teknologjia, apo vetëm nga historitë e suksesit. Kjo është diçka që varet. Pra, nëse kemi zhvillime patjetër që fokusi kalon tek lajmi dhe në të kundërt humbet tek historitë e sipërmarrjes.

CMG: Cili ka qenë organizimi më i bukur në vitin 2022, sipas jush?

Prishila Gjoka: Do vazhdoj të them që është lançimi i databazës më të dhënat e startup-eve dhe krijimi i një hapësire për ta për të pasur më shumë mundësi zhvillimi .

CMG: A i takon e ardhmja e teknologjisë?

Prishila Gjoka: Puna online po merr zhvillim të madh dhe patjetër që e ardhmja i përket botës së teknologjisë sepse po shkojmë drejt lehtësirave. Pra , ne sa vjen dhe duam të punojmë qoftë në distancë apo qoftë me punë, të cilat na ofrojnë lehtësira.

CMG: Cilat janë synimet e 2023?

Prishila Gjoka: Të ndihmojmë biznesin e sipërmarrjen dhe t’i motivojmë të rinjtë të hedhin hapa apo ide drejt sipërmarrjes sepse është një fushë e pafundme.

CMG: Cilat janë tendencat që nuk duhet të humbasim në 2023?

Prishila Gjoka: Do të jenë  celularët  pa kufizime Edhe në vendet e pasura, ka disa zona ku njerëzit e kanë të pamundur të marrin një sinjal të fuqisë së mirë për telefonat e tyre celularë. Shtojini atyre miliarda njerëz në pjesët më të varfra dhe më të largëta të planetit që nuk kanë fare sinjal dhe do të keni një treg të madh e të pashfrytëzuar. AST SpaceMobile me bazë në Teksas ka plane për të trajtuar këtë boshllëk  në tregun e telefonisë celulare. Aktualisht ka një satelit testues në orbitën e ulët të tokës, që në vitin 2023 planifikon të lëshojë pesë satelitë të tjerë. Ata do të jenë në gjendje të mbulohen me ndërprerje me një shërbim të vazhdueshëm global të disponueshëm kur 100 satelitë të jenë në pozicion. AST nuk do t'u shesë shërbime drejtpërdrejt klientëve, përkundrazi po punon me ofruesit e shërbimeve telefonike, për të ofruar mbulimin e saj satelitor si një opsion shtesë.

E ardhmja e fluturimit. Imagjinoni një avion që mund të ngrihet dhe të ulet si një helikopter, por pa zhurmë, shpenzime dhe emetime. Ky është vizioni i firmave që zhvillojnë të ashtuquajturat avionë eVTOL.Të krijuara për udhëtime “taxi” relativisht të shkurtra  dhe për një pjesë të vogël të pasagjerëve. Ata argumentojnë se avioni eVTOL do të mund të shërbejë si taxi dhe mund të zvogëlojë koston e fluturimit, pasi motorët e tyre elektrikë janë më të lirë për t'u përdorur dhe mirëmbajtur sesa motorët e helikopterëve. Pengesa e madhe për të gjitha këto projekte është marrja e certifikimit nga rregullatorët e aviacionit, një proces kërkues dhe i kushtueshëm që mund të marrë vite.

Intervistoi :Megi Latifi