Ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2022, pritshmëritë për vitin 2023
2022-12-30 14:51:42

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një konferencë për shtyp këto ditë ku bëri një prezantim dhe analizë të treguesve kryesorë makroekonomikë për vitin 2022.

Ministrja theksoi faktin se ecuria ekonomike ka rezultuar më pozitive se sa pritshmëritë, pavarësisht se viti 2022 është rrethuar nga shumë pasiguri dhe është ndikuar kryesisht nga çmimet në tregjet ndërkombëtare dhe efektet e luftës në Ukrainë.

Referuar dhe shifrave më të fundit të publikuar nga INSTAT, Ministrja Ibrahimaj tha se rritja ekonomike për periudhën 9 mujore ishte 4.23 %, ndërsa Ministria e Financave dhe Ekonomisë vijon të parashikojë që viti 2022 të mbyllet me një rritje ekonomike prej 3.7 %. Ecuri pozitive gjatë vitit 2022 kanë shënuar edhe tregues të tjerë të ekonomisë, si kredia për sektorin privat dhe kredia konsumatore; remitancat të cilat janë rritur me 9.8 % për periudhën 9 mujore; investimet e huaja direkte, flukset e të cilave janë rritur me 35 % për 9 mujorin; papunësia është ulur në 10.6 % në tremujorin e tretë; paga mesatare e cila është 9.18%  më e lartë; paga minimale e cila është rritur dy herë gjatë vitit 2022; si dhe përmirësimi i aktivitetit të biznesit, ku në muajin nëntor numri i bizneseve aktive të regjistruara është 125.971 biznese ose 8.2 % më shumë në krahasim me fundin e vitit 2021, ndërkohë që bizneset e reja të regjistruara janë rritur me 4.7 %.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se treguesit kryesorë makroekonomikë gjatë vitit 2022 kanë qenë në konsolidim dhe tendenca konsoliduese e politikave fiskale të ndjekura nga qeveria shqiptare duket ndjeshëm në treguesin e borxhit publik, i cili ka ardhur në reduktim. Inflacioni në vend u ul për herë të parë në 7.9 % në muajin nëntor, nga 8.3 % që ishte në muajin tetor. Ministrja Ibrahimaj tha se kjo normë inflacioni vijon të mbetet ndjeshëm më e ulët se normat e rajonit apo BE-së, ku për periudhën 11 mujore inflacioni mesatar në vend ka qenë 6.7 %, gati sa gjysma e inflacionit të Maqedonisë së Veriut dhe ndjeshëm më ulët se sa në Serbi, Kosovë dhe Mali i Zi, si dhe më e ulët se sa mesatarja e vendeve të BE, e cila është 9 %.

Eksperti i ekonomisë Ersuin Shehu bën një analizë të ecurisë së ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2022 dhe të pritshmërive të vitit 2023.

CMG: Si ka qenë në tërësi ky vit që po kalon për ekonominë shqiptare ?

Ersuin Shehu: Viti 2022 ka qenë një tjetër vit sfidues, sepse ekonomia në vitet e fundit është përballur me disa goditje të njëpasnjëshme dhe në fillim ishte vala e pandemisë që u bë më e ndjeshme gjatë këtij viti. Të gjithë si konsumatorë kemi qenë të vetëdijshëm për rritjë të çmimeve, inflacioni ka prekur nivelet më të larta në 24 vitet e fundit që nga post periudha e viti 1997 dhe kjo është reflektuar shumë në buxhetet familjare, kuptohet në familje që kanë dhe të ardhura më të ulta. Kështu që në këndvështrimin mikro 2022-i ka qenë shumë sfidues ndërsa në atë makro efektet e inflacionit ende nuk u ndjenë, por u arrit që të amortizoheshin dhe nëse shohim të dhënat e rritjes ekonomike deri në fund të tre mujorit të tretë jemi në nivele relativisht pozitive duke pasur parasysh dhe kontekstin. Në tre mujorin e tretë patëm një rritje të prodhimit të brendshëm bruto me 4 %, që ishte në përmirësim ët ndjeshëm nga tre mujori i dytë, një rritje diku te 2.7 %.

CMG: Çfarë ka ndikuar më së shumti në ecurinë ekonomike të vendit  ?

Ersuin Shehu: Besoj që ndikoi sektori i turizmit, ishte mjaft pozitiv dhe shifrat e turizmit hyrës ishin në nivelet më të larta dhe sigurisht shpenzimet e truistëve arritën të kompensonin rënien e fuqisë blerëse për shkak të çmimeve dhe në njëfarë mënyre kjo e ka amortizuar disi efektin e inflacionit të lartë mbi ekonominë shqiptare, që turizmi do të na mbronte nga pasojat e inflacionit të lartë. Nga ana tjetër është dhe sektori i ndërtimit, i cili po shënon një cikël shumë të shpejtë rritës dhe këtu ka një tendencë nga investimet e të huajve në pasuritë e paluajtshme, ku sipas Bankës së Shqipërisë e ka kaluar vlerën e 1 miliardë eurove. Natyrshëm që kjo ka dhënë ndikimin në rritjen e ekonomisë dhe përballjen e saj me vitin 2022. Ka një rritje për shpenzimet publike në tremujorin e fundit dhe do të jenë ato që do të mundësojnë ruajtjen e një rritje ekonomike në nivele të kënaqshme. Sipas projeksioneve pritet që viti 2022 të mbyllet me një rritje afër nivelit 4 %, pra janë optimiste nga institucionet e analizës financiare deri në 3.9%. mbase ky është një nivel i kënaqshëm në raport me pritshmëritë.

CMG: Cilët sektorë të ekonomisë kanë ndikuar më tepër në rritjen ekonomike të vitit 2022 ?

Ersuin Shehu: Kryesisht sektori i turizmit, i cili e ka të shtrirë ndikimin në të gjithë zinxhirin e tregtisë dhe besoj që ka pasur një efekt shumë domethenës në rritjen ekonomike të viti 2022. Një ecuri pozitive kanë pasur dhe sektorët e shërbimeve, pavarësisht efekteve të krizës. Nuk kemi pasur rritje të kredive me probleme, sipas të dhënave më të fundit. Kështu që sektori financiar dhe ai i shërbimeve kanë shfaqur një ecuri pozitive dhe do të jetë 2023 që do të tregojë dimensionin real të efekteve të inflacionit në ekonominë shqiptare. Kemi pasur një gërryrje të fuqisë blerëse nga inflacioni i lartë, por nga ana tjetër kemi pasur rritje të normave të interesit, sepse siç e dimë financimet nga sektori bankar janë ato që mbështesin konsumin dhe investimet në ekonomi. Rritja e normave të interesit do të bëjë që të kemi ngadalësim të kredisë, që do të thotë më pak resurse në funksion të konsumit dhe investimeve të reja kjo do të sjellë ngadalësim të rritjes ekonomike, ku për vitin 2023 pritet të shkojë poshtë  nivelit të 3 %.

CMG: Cili ka qenë roli i Bankës së Shqipërisë në këtë rritje?

Ersuin Shehu: Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një rritje dhe sigurisht është objektivi i saj ligjor, ku reagon duke shtrënguar politikën e saj monetare dhe mundëson ulje të inflacionit pranë objektivit. Ajo që kemi parë në këtë periudhë ishte ngadalësimi i inflacionit, për shkak edhe të një stabilizimi të tregjeve të lëndëve të huaja. Kemi pasur ngadalësim të ritmeve të huadhënies dhe rritje të bonove të qeverisë, që është përcjellë dhe tek produktet e kredisë afatgjatë. Të gjitha këto pasoja reflektojnë politikën monetare shtrënguese ose normalizuese, ku për sa kohë normat e interesit janë poshtë nivelit ekuilibër, politika monetare quhet lehtësuese. Banka e Shqipërisë po shkon drejt atij niveli ku efektet po ndjehen gjatë viti 2022 dhe ata huamarrës që nuk janë prekur do ta ndjejnë gjatë vitit 2023.