Foto nga VCG
Pele, mjeshtri brazilian, emri i të cilit është sinonim me futbollin dhe që nga shumë vlerësohet si lojtari më i madh i të gjitha kohërave, ka vdekur në moshën 82 vjeç.
Pele, një ikonë e sportit në vendin e tij të lindjes Brazil dhe anembanë botës, është i vetmi futbollist deri tani që ka fituar Kupën e Botës tre herë. Ai kishte vuajtur nga problemet me veshkat dhe prostatën në vitet e fundit dhe u shtrua në spital në fund të nëntorit për një infeksion në rrugët e frymëmarrjes dhe për shumë probleme të tjera shëndetësore.
Spitali “Albert Ajnshtain” i Sao Paulos, ku Pele po mjekohej, njoftoi të enjten se legjenda e futbollit vdiq në 3.27 të pasdites sipas orës vendore.
Kanë qenë të shumta homazhet pas konfirmimit të vdekjes së Peles, duke përfshirë ato nga Neymar, Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Kapiteni i Argjentinës Lionel Messi shkroi: "U prehsh në paqe, Pele", ndërsa talenti francez Kylian Mbappe, i cili, ashtu si Pele, ka shkëlqyer që në moshë të re në Kupën e Botës, tha: "Mbreti i futbollit na la, por trashëgimia e tij nuk do të harrohet kurrë. Prehu në paqe, MBRET."
Këtë muaj, Pele e përgëzoi Messin për fitoren e Kupës së Botës me Argjentinën në një postim të përzemërt në “Instagram”, ndërsa e ngushëlloi Mbappe-në, që nuk arriti ta ngrejë kupën, ndonëse shënoi tre gola në finale.
Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino foli për "praninë magnetike" të Peles ndërsa vlerësoi trashëgiminë e legjendës braziliane në futboll anembanë botës.
Presidenti brazilian Jair Bolsonaro deklaroi tre ditë zi kombëtare të enjten për Pelen, duke shtuar se ai "e bëri Brazilin të njohur në mbarë botën."
Si dëshmi për ndikimin botëror të Peles, edhe figura të shquara, si presidenti i ShBA-së Joe Biden, ish-presidenti Barack Obama dhe kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach gjithashtu bënë nderimet e tyre.
Sipas një deklarate nga klubi i tij i dashur “Santos”, trupi i Peles do të lëvizet nga spitali në stadiumin “Urbano Caldeira” të këtij klubi, ku arkivoli do të vendoset në qendër të fushës, që publiku të bëjë nderimet e tij.
Varrimi i Peles do të bëhet të martën. Ceremonia publike do të zgjasë 24 orë, pas të cilave do të ketë një procesion nëpër rrugët e Santosit. Pastaj Pele do të varroset në mënyrë private pranë anëtarëve të tjerë të ndjerë të familjes.