MJK: Kina, rezultate konkrete në mbrojtjen e pronësisë intelektuale
2022-12-30 19:30:07


foto/VCG

foto/VCG

Kina i ka kushtuar gjithmonë rëndësi të madhe dhe është angazhuar aktivisht për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, duke ofruar mbështetje efektive për përmirësimin e nivelit të inovacionit dhe zhvillimin me cilësi të lartë. Kështu u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin në një konferencë shtypi të premten, duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi “Raportin e vlerësimit për zhvillimin e pronësisë intelektuale të Kinës në vitin 2022”, sipas të cilit Kina ka bërë përparim pozitiv në drejtim të ndërkombëtarizimit dhe kthimit në një fuqi të mbrojtjes së pronësisë inteletuale.

foto/VCG

foto/VCG

Pak kohë më parë, Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale ka publikuar renditjen e “Treguesit global të inovacionit për vitin 2022”, në të cilin Kina u ngjit nga vendi i 34-t në atë të 11-të. Raporti i “Treguesit botëror të pronësisë inteletuale” tregon gjithashtu se në vitin 2021, numri i patentave të Kinës ka zënë vendin e parë në botë.

Kina po forcon mbrojtjen e të drejtave të pronësisë inteletuale, ndërkohë që po zhvillon thellësisht bashkëpunimin ndërkombëtar mbi pronësinë intelektuale. Kina ka marrë pjesë zyrtarisht në “Marrëveshjen e Hagës për regjistrimin ndërkombëtar të dizenjimeve industriale” dhe “Traktatin e Marrakeshit” për të drejtat e autorit, si edhe ka nënshkruar me BE-në “Marrëveshjen për mbrojtjen dhe bashkëpunimin mbi treguesit gjeografikë”, duke realizuar njohjen dhe mbrojtjen e ndërsjellë të 244 produkteve kineze dhe evropiane me tregues gjeografikë. Ndërkombëtarizimi i të drejtave të pronësisë intelektuale mbështet fuqishëm ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”. 37.9 % e kompanive kineze që kanë transferuar ose licencuar patentat e tyre jashtë Kinës në vitin 2022, e kanë bërë këtë në vende ose rajone pjesëmarrëse në nismën “Një brez, një rrugë”. Këto tregojnë plotësisht se Kina ka arritur rezultate konkrete në forcimin e mbrojtjes së pronësisë inteletuale dhe ndjekjen e rrugës së inovacionit dhe zhvillimit, duke dhënë një kontribut pozitiv për zhvillimin dhe krijimin  e risive të mbarë botës.

foto/VCG

foto/VCG

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin theksoi po ashtu se inovacioni është një forcë e fuqishme lëvizëse për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë njerëzore. Kina do të vazhdojë të përshpejtojë zbatimin e strategjisë së zhvillimit të drejtuar nga inovacioni, do t'i përmbahet pozicionit thelbësor të inovacionit në përpjekjen e përgjithshme të modernizimit, do të forcojë shkëmbimet e bashkëpunimin ndërkombëtar dhe do të ndajë frytet e inovacionit e të zhvillimit me botën.  (Fang Xiaoyu/Artan)