Irani: Dritarja për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore nuk do të jetë gjithnjë e hapur
2022-12-30 10:32:08

VCG

VCG

Ministri i Jashtëm iranian paralajmëroi se dritarja për arritjen e një marrëveshjeje për ringjalljen e një marrëveshjeje bërthamore të vitit 2015 nuk do të mbetet e hapur përgjithmonë, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve “IRNA”, cituar nga “Xinhua”.

Irani do të përdorë alternativa të tjera nëse Perëndimi vazhdon hipokrizinë dhe ndërhyrjen e tij, theksoi ministri i Jashtëm iranian.

Duke komentuar takimin e tij me kryediplomatin europian Josep Borrell në kuadër të një konference rajonale në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, javën e kaluar, Hossein Amir-Abdollahian tha se BE-ja, si koordinatore e bisedimeve bërthamore, po vazhdon përpjekjet e saj.

Gjatë takimit të tij me sulltanin e Omanit, Amir-Abdollahian tha se Irani mirëpret çdo iniciativë nga Omani për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshje të mirë, të fuqishme dhe të qëndrueshme bërthamore.

VCG

VCG

Në një video që u shfaq javën e kaluar, presidenti amerikan Joe Biden tha se marrëveshja bërthamore me Iranin ishte e vdekur, por ai nuk do ta shpallte atë publikisht. Shtëpia e Bardhë nuk e ka kundërshtuar vërtetësinë e videos.

Irani nënshkroi marrëveshjen bërthamore, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), me fuqitë botërore në korrik 2015, duke rënë dakord të vendosë disa kufizime në programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndaj vendit. Shtetet e Bashkuara, megjithatë, u tërhoqën nga marrëveshja në maj 2018 dhe rivendosën sanksionet e saj të njëanshme ndaj Iranit, duke e shtyrë këtë të fundit të reduktojë disa nga angazhimet e saj bërthamore sipas marrëveshjes.

Deri më tani janë mbajtur disa raunde bisedimesh midis Iranit dhe palëve të mbetura të JCPOA për të ringjallur marrëveshjen, por asnjë rezultat i prekshëm nuk është arritur. (Irma)