Rama: Nga 1 janari, mbështetje sociale për nënat me dy fëmijë
2022-12-30 16:44:19

Kryeministri Edi Rama deklaroi se nga 1 janari do të garantohet mbështetja e qëndrueshme e mburojës sociale lidhur me dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike për nënat me 2 fëmijë, pas mbështetjes së atyre me 3 e më shumë fëmijë.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, duke e shoqëruar me pamje nga ndarja e dhuratave në familjet me ndihmë sociale, kryeminisri Rama tha se skema e ndihmës ekonomike ka pësuar rritje për të gjithë përfituesit me vendimet e fundit të qeverisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi në “Facebook”, se prej 1 janarit nënat do të përfitojnë nga politika e re e mbështetjes për nënat e papuna me tre ose më shumë fëmijë nën 18-vjeç, me mbulimin e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për 5 vitet e para të fëmijës.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila shpërndau dhurata për fundvit në një nga këto familje përfituese të ndihmës sociale, deklaroi në “Facebook”, se nga janari këto familje do të jenë përfituese prej programit të ri të mbështetjes për nënat me 3 e më shumë fëmijë, të cilave siç u vendos nga Këshillimi Kombëtar do t’u paguhen nga shteti sigurimet shëndetësore e shoqërore. (Irma)