< img height="1" width="1" style="display:none"src="https://www.facebook.com/tr?id=514174860241230&ev=PageView&noscript=1"/>
Rritje e turistëve të huaj në Shqipëri
2022-12-29 14:13:39

播放地址不存在

Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se edhe në muajin nëntor ka pasur një numër të konsiderueshëm hyrjesh drejt vendit tonë, ku një dominim duket se e kanë dhënë shtetasit nga Kosova edhe si efekt i festave të nëntorit. Konkretisht, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin nëntor 2022, janë 808.813. Ky tregues rezulton me një rritje 47,4%, krahasuar me nëntor 2021. Në nëntor 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 358.350. Ky numër është rritur me 46,8%, krahasuar me nëntor 2021 ndërkohë që është 34% më i lartë edhe në raport me vitin 2019 kur turizmi ishte në normalitet pa pandeminë e COVID-19.

“Në nëntor 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 2,4 herë dhe Italia me 62,9 %, krahasuar me Nëntor 2021. Gjatë njëmbëdhjetëmujorit 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3,7 herë dhe Anglia me 93,8 %, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 13,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.”- thotë raporti i Instat.

Gjatë nëntorit edhe  daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë shënuan një rritje me 41,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit nëntor 2022 janë 463.097. Krahasuar me nëntor 2021, ky numër është rritur me 47,9 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit nëntor 2022, janë 374.959. Krahasuar me nëntor 2021, ky numër është rritur me 33,9 %. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë njëmbëdhjetëmujorit 2022, është  mbi 5.2 milione duke u rritur 36,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë “- thotë INSTAT.

INSTAT ka publikuar edhe të dhënat  nga  turizmi në shifra Shqipëri 2021. Në vitin që lamë pas, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi brenda vendit ishte rreth 3 pikë 13 milionë. Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 97,9 % të udhëtimeve. Ndërkohë udhëtimet për qëllime biznesi 2,1 % të tyre. Në vitin 2021, numri i hyrjeve të shtetasve të huaj për qëllime personale është rritur me 2,2 herë, krahasuar me një vit më parë. Destinacionet më të preferuara për udhëtime (personale apo biznesi) në Shqipëri janë: Tiranë, Vlorë dhe Korçë.

“Përqëndrimet më të larta të udhëtimeve brenda vendit (personale dhe biznes), për vitin 2021 sipas muajit të nisjes janë regjistruar në muajt: Gusht (18,6 %), Korrik (12,1 %), Qershor (11,7 %) dhe Dhjetor (10,1 %). Udhëtarët e grup-moshës 25-34 vjeç kanë regjistruar përqindjen më të lartë të udhëtimeve të kryera brenda vendit, 23,3%. Në vitin 2021, janë regjistruar 7,72 % më shumë udhëtime për pushime dhe kohë të lirë në Shqipëri, krahasuar me vitin 2020. Përgjithësisht është shënuar rritje për të gjitha llojet e udhëtimeve, ndërsa për udhëtimet për qëllime të tjera të kryera në Shqipëri është shënuar ulje.”- thotë raporti.

Në vitin 2021, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri kanë qenë afërsisht 5,7 milionë persona. Gjatë vitit 2021, hyrjet e shtetasve të huaj janë 2.1 herë më shumë se viti 2020. Gjatë vitit 2021, hyrjet e shtetasve nga rajoni i Evropës zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj me 90,9 %. Numri i tyre është rritur me 97,7 %, krahasuar me një vit më parë.

“Sipas rrugëve hyrëse në vitin 2021: Me rrugë ajrore kanë mbërritur afërsisht 765 mijë shtetas të huaj, duke u rritur me 2,8 herë, krahasuar me një vit më parë. Shtetasit e huaj që hyjnë në vendin tonë nëpërmjet linjave ajrore zënë mesatarisht 13,4 % të hyrjeve gjithsej Numri i shtetasve të huaj që mbërrijnë në Shqipëri me linjat detare ka qënë afërsisht 206 mijë duke u rritur me 3,2 herë, krahasuar me një vit më parë. Shtetasit e huaj që hyjnë në vendin tonë nëpërmjet linjave detare zënë mesatarisht 3,6 % të hyrjeve gjithsej. Numri i shtetasve të huaj që mbërrijnë në Shqipëri nëpërmjet tokës ka qënë afërsisht 4,7 milionë duke u rritur me 2,0 herë, krahasuar me një vit më parë. Shtetasit e huaj që hyjnë në vendin tonë nëpërmjet tokës zënë pjesën më të madhe me 82,9 % të hyrjeve gjithsej.”

Numri i strukturave akomoduese në vend në vitin 2021 shënoi rënie në raport me një vit më parë. Publikimi i përvitshëm i Institutit të Statistikave sjell në vëmendje se në vitin 2021 në gjithë vendin funksionuan 1.457 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra)). Një vit më parë numri i strukturave ishte 1469 të tilla. Por edhe pse ka pasur ulje të numrit të strukturave vihet re se ka një rritje të numrit të dhomave dhe shtretërve.

Gjatë vitit 2021 janë miratuar gjithsej 33 leje ndërtimi për ndërtim hotelesh, nga 23 leje të miratuara në vitin 2020.

“Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtim hotelesh, në vitin 2021, është rreth 144.000 m2, duke shënuar një rritje prej 87 % krahasuar me vitin 2020. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit e miratuar për ndërtim hotelesh, në vitin 2021, është rreth 5,1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 77,8 %, krahasuar me vitin 2020. Gjatë vitit 2021, qarku Korçë shënoi numrin më të lartë në lejet e miratuara për “Hotele dhe të ngjashme” me rreth 27,2 % të lejeve gjithsej në nivel vendi. Vlera e shtuar e industrive të turizmit është rritur me 36,9 %, krahasuar me vitin 2020. Pesha që zënë industritë e lidhura drejtpërdrejt me turizmin në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2021 është 3,1 %.”

Lajmet Kryesore

Our Privacy Statement & Cookie Policy

By continuing to browse our site you agree to our use of cookies, revised Privacy Policy. You can change your cookie settings through your browser.
I agree