Kartolina e parë është prodhuar nga Henry Cole, John Calcott Horsley dhe Joseph Cundall në vitin 1843, në po të njëjtin vit kur u botua “Një Kartolinë e Krishtlindjeve” e Charles Dickens.
Ajo është pikturuar me dorë të lirë dhe paraqet në të një familje dhe një vajzë të vogël të mbledhur rreth një tavoline, duke shijuar nga një gotë verë.
Gjithmonë kur vijnë festat e fundvitit duket si më e udhës që të bëjmë një bilanc të punëve, apo arritjeve. Urimet jane shumë të shtrenjta dhe ato historikisht janë dërguar përmes kartolinave, por me kalimin e kohës dhe me futjen e teknologjisë në epokën moderne, ato u zëvendësuan me mesazhe telefoni.
Këtë vit ajo që na ka tërhequr vëmendjen dhe që na ka bërë të reflektojmë janë dy vajza të vogla, të cilat kanë ndërmarrë nismën " Kartolina të harruara".
Ato kanë vendosur të shkruajnë dhe dërgojnë kartolina për gjithë miqtë, në mënyrë që ato të mos harrohen dhe të rikthehet sërish tradita .
Klea Rrapi është një vajzë 13 vjeçare. Ajo studion në Shkollen 9-Vjeçare "Gjon Buzuku" si dhe Rohela Bodlli studion në Shkollën 9-Vjeçare "Kasem Shima".
“Mos kujto se të harrova, kartolinën ta dërgova!”
Kjo ka qenë një nga formulat, me të cilat mbusheshin tekstet e kartolinave prej letre të festave nga brezi i viteve ‘70-‘80 në Shqipëri.
Kartolinat, janë të një rëndësie të veçantë ndër persona, të konsideruara si shenjë mirësjelljeje, e dallueshme ndaj miqve e të afërmve, nuk mund të mungonin në periudhën festive.
Çuditërisht të formuluara të gjitha në mënyrë të homologuar me të njëjtat shprehje standard e me rimë:
“Frynte era nga përjashta,
tundte perdet e mëndafshta,
mos kujto se të harrova,
kartolinën ta dërgova!”
Një tjetër urim kartolinash, madje dhe me humor ishte:
“Pjatat me meze,
gotat me raki,
të uroj nga zemra Vitin e Ri!”
Ndër urime të tjera mund të veçojmë dhe :
“Sa deti ka valë,
sa qielli ka yje,
aq urimet e mia për ty,
këtë doja që ta dije!”
Është e habitshme sesi kanë mbetur të fiksuara në kujtesë këto shprehje dhe dy nxënëset Klea dhe Rohela i risjellin në vëmendje.
CMG: Si lindi kjo ide Klea ?
Klea Rrapi: Kjo ide lindi në fakt rastesisht, teksa unë isha duke parë se çfarë kishte brenda në sirtarin e babit tim. Aty gjeta një bllok dhe brenda kishte disa kartolina të harruara. I hapa dhe menjëherë thashë me vete " Sa vite kanë kaluar qe nuk kemi deleguar kartolina!. Mora shkas nga kjo gjë që të mund të shkruaja më pas edhe kartolina vetë.
CMG: Arrite të kuptoje, apo pyesje babin se kush ja dërgonte ato kartolina ?
Klea Rrapi: Babit ja kishin dërguar mbesat e tij dhe ishte nje emocion i vërtetë pasi edhe vetë ai i kishte harruar. Më pas më tregoi që ato kartolina ishin aty që prej vitit 1999.
CMG: Më pas ju vendosët të shkruani vetë kartolina. Kë pyetët më parë kujt patët mundësi t'i merrni një mendim ?
Klea Rrapi: Unë në fillim e testova këtë gjë me mikeshat e mia. Jam habitur nga reagimet e tyre, kur ua kam dërguar. Përveçse habi ato shprehën edhe dëshirën për t’i rikthyer të njëjtat ndjesi të viteve më parë. Normalisht na duhet kohë për të rikthyer çfarë kemi humbur, por mendoj që është një fillim i bukur .
CMG: Sa veta jeni bërë bashkë në këtë nismë dhe pse e quajtët kështu ?
Klea Rrapi: Jemi bërë diku 6 veta që gjithësecili mori përsipër që të shkruajë kartolina, ndërsa arsyeja se pse e quajtëm kështu është sepse në fakt ashtu janë ato kartolina. Janë të harruara dhe ne nuk duam që një traditë aq e bukur dhe aq e veçantë të mbetet në harresë. Ne e kemi mundësinë që të dërgojnë kartolina dhe janë një dhuratë shumë herë më e bukur se dhurata të tjera të shtrenjta .
CMG: Klea sa kartolina janë shkruar deri tani dhe ku i keni dërguar ?
Klea Rrapi : Janë shkruar të paktën prej meje më shumë se 50-të kartolina, të cilat i kam shpërndarë tek miqtë e mi, familjarë dhe deri tek mësues. Pasi të bëj këtë shpërndarje do të përpiqem që të shkruaj edhe të tjera .
CMG: Cili është urimi që e ke shkruar më shpesh në kartolinë ?
Klea Rrapi: Urimi më i shpeshtë ka qenë shëndeti sepse pa shëndet asnjë gjë nuk bëhet. Unë e dua shumë familjen time dhe i uroj asaj sa më shumë mbarësi dhe shëndet në këtë vit që po vjen .
CMG: Cilat janë ëndrrat më të mëdha që ke ndërtuar për vitin e ardhshëm?
Klea Rrapi: Dua të përmbyll me rezultate shumë të larta shkollën dhe kështu të kem mundësi të krenohem me veten time dhe familja ime të ndihet krenare për mua .
CMG: A ke ti një mesazh për të gjithë fëmijët e botës ?
Klea Rrapi : Në fakt kam një lutje. Ju lutem te gjithëve të shkruani sa më shumë kartolina sepse të gjithë bashkë nga pak mund të ndihmojmë që të mos e humbasim këtë praktikë të rëndësishme të viteve më parë dhe që i ka bërë njerëzit më të lumtur.
Kartolinat vërtet sillnin gëzim dhe hare, ishin lajmëtare të ndërrimit të viteve . Akoma më të bukura ishin ato të cilat bëheshin vetë. Punoheshin kartolinat me fletë vizatimi apo edhe me letra të zakonshme. Të njëjtën gjë ka bërë edhe nxënësja Rohela Bodlli.
CMG: Sa kohë të ka marrë punimi i kartolinave?
Rohella Bodlli: Mua më ka marrë pak kohë, por këtë gjë e kam bërë me ndihmën e motrës sime me të madhe, e cila është stiliste. Ajo më suportoi me çdo detaj dhe në fakt kanë dalë shumë të bukura .
CMG: Cila është arritja e këtij projekti ?
Rohela Bodlli: Që ne morëm kartolina, përveçse dërguam edhe miqtë tanë na dërguan më pas kartolina .
CMG: Cilat janë qëllimet tuaja për vitin 2023?
Rohela Bodlli: Dua që të arrij sa më shumë suksese në rrugëtimin tim. Shpresoj që muzika dhe arti të më shoqërojnë.
Intervistoi: Megi Latifi