Moda fillon me adoleshentët. Të frymëzuar nga harqet e modës ata adoptojnë me guxim veshjet e ndritshme, të errëta dhe nuk kanë frikë të sfidojnë njerëzit në rrugë apo kudo, duke qenë ndryshe nga të tjerët. E rëndësishme është që rrobat për adoleshentët në përditshmëri duhet të jenë universale, të përshtatshme për situata të ndryshme të jetës. Kur një adoleshent zgjedh stilin e tij në paraqitje përballet me dinamika të ndryshme, një ndër to është eksperimentimi, por edhe prova të ndryshme që adoleshenti kalon përpara pasqyrës për të vendosur se cila nga veshjet i pëlqen apo i shkon më shumë. Në kohët e sotme adoleshentët ndikohen nga çdo gjë që i rrethon si nga filmat, videoklipet, reklamat, televizioni, rrjetet sociale, artisti i preferuar, etj duke zgjedhur stilin e një personazhi të caktuar dhe për ta bërë atë stil të vetin. E ftuar në Radio Ejani është Lisjana Nikolli 13 vjeç dhe studion në Liceun Artistik “Jordan Misja” për fizarmonikë, piano si edhe këndon. Ajo pëlqen të ndjekë modën dhe një arsye më tepër është se ajo merret me art dhe është e pranishme në aktivitete të ndryshme artistike si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
CMG: Çfarë stili veshjeje zgjedhin adoleshentët sot?
Lisjana Nikolli: Adoleshentët e sotëm nuk kanë një stil të veçantë të të veshurit. Ajo që dominon më së shumti në masë është veshja sportive dhe sa më e rehatshme.
CMG: A kanë adoleshentët një pikë referimi për veshjen, apo një stilist të preferuar?
Lisjana Nikolli: Në përgjithësi ndjekim një stil tjetër të të veshurit, nuk kemi një pikë referimi. Adoleshentët më së shumti shohin njëri- tjetrin. Pika e referimit mbetet tek dyqanet e veshjeve sportive më shumë.
CMG: A pranojnë adoleshentët sot të vishen sipas shijeve të prindërve, apo preferojnë të kujdesen vetë për veshjen?
Lisjana Nikolli: Nuk besoj se ka fëmijë dhe adoleshentë që vishen në kohët e sotme sipas shijes së prindërve. Primare për adoleshentët është që të vishen me rroba firmato, kjo është pikë shumë e rëndësishme për këtë moshë.
CMG: A vishen adoleshentet sipas karakterit të tyre, apo ndjekin stilin e njëri-tjetrit? Ti meqënëse merresh me art, a je një hap përpara edhe me modën?
Lisjana Nikolli: Po, unë mendoj se jam një hap më përpara, pasi vetë arti të bën të luash me ngjyrat, me modën dhe të bën të krijosh dhe stile të reja, sidomos në paraqitje të ndryshme skenike.
Të jesh vetvetja dhe ta bësh të dukshme këtë gjë tek të tjerët është e një rëndësie jetike gjatë periudhës së adoleshencës dhe në të njëjtën kohë, e vështirë. Kjo është edhe një nga arsyet se përse në këtë moshë adoleshentët kanë një theks të madh drejt modës dhe stilit të veshjes, për t’u treguar bashkëmoshatarëve rëndësinë strategjike të ndryshimeve.
Intervistoi: Sava Lena