Këshilli i Sigurimit i OKB-së përsërit thirrjen për pjesëmarrje të barabartë të grave në Afganistan
2022-12-29 12:31:38

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Këshilli i Sigurimit i OKB-së përsëriti thirrjen e tij për pjesëmarrje të plotë të grave dhe vajzave në shoqërinë afgane, duke shprehur shqetësimin për vendimin e talebanëve për të ndaluar gratë të studiojnë dhe punojnë.

“Thellësisht i alarmuar nga raportet se talebanët kanë pezulluar aksesin në universitete për gratë dhe vajzat, Këshilli përsëriti shqetësimin e tij për pezullimin e shkollës përtej klasës së gjashtë dhe thirrjen e tij për pjesëmarrje të plotë, të barabartë dhe kuptimplotë të grave dhe vajzave në Afganistan”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Këshilli u bëri thirrje talebanëve të rihapin shkollat dhe t'i ndryshojnë me shpejtësi këto politika dhe praktika, të cilat përfaqësojnë një erozion në rritje të respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, citon “Xinhua”.

“Anëtarët e Këshillit janë për më tepër të shqetësuar nga raportet se talebanët kanë ndaluar punonjëset gra të organizatave joqeveritare dhe organizatave ndërkombëtare të shkojnë në punë, gjë që do të kishte një ndikim të rëndësishëm dhe të menjëhershëm në operacionet humanitare në vend. Këto kufizime bien ndesh me angazhimet e bëra nga talebanët ndaj popullit afgan dhe pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare”, bëri të ditur këshilli.  (Elona)