Shkalla e papunësisë në Shqipëri ulet në 10.6%
2022-12-29 12:37:41

Shkalla e papunësisë për tremujorin e tretë të këtij viti në Shqipëri rezulton në nivelin më të ulët të viteve të fundit, konkretisht 10.6%.

Në një konferencë për shtyp, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se reduktimi i shkallës së papunësisë është ndikuar nga ecuria më e mirë e tregut të punës, qoftë në treguesit e punësimit, qoftë në treguesit e financimit të punësimit, pra të pagave.

Sipas saj, paga mesatare në tremujorin e tretë ka qenë 61.613 lekë ose 9.18% më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Edhe paga minimale dhe ndërhyrjet që qeveria ka bërë në nivelin e pagës minimale kanë pasur një ndikim në ecurinë e pagës mesatare në tërësi dhe do të vijojnë të kenë ndikim edhe për periudhat në vijim duke qenë se në tremujorin e tretë ne kemi vendosur të rrisim më tej pagën minimale dhe gjatë vitit të ardhshëm gjithashtu”,- deklaroi ministrja. (Elona)