Ibrahimaj: Ekonomia shënoi rritje, inflacioni për nëntorin 7.9 %
2022-12-29 11:59:04

Ekonomia shqiptare ka vijuar të ecë me ritme pozitive, duke konfirmuar qëndrueshmërinë, edhe pse situata mbetet kritike dhe inflacioni i lartë në shifra që nuk ishin shfaqur prej vitesh.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, ka bërë një përmbledhje të treguesit të ekonomisë gjatë 11-mujorit, janar-nëntor 2022, ku për tremujorin e tretë rritja ishte 4.02%, përcjell “RTSH”.

Sektori i bujqësisë dhe ndërtimi kanë shënuar rritje, ndërsa industria ka qenë sektori që ka shënuar ulje dhe një kontribut negativ në ekonominë shqiptare. 

“Industria ka shënuar ulje dhe kontribut negativ ku ka ndikuar kryesisht industria nxjerrëse. Industria përpunuese e lidhur kryesisht me kërkesën e huaj  ka pasur rritje pozitive. Energjia elektrike ka pasur një ndikim pozitiv në ecurinë e këtij sektori. Shpenzimet ishin 8.09 % nga konsumi i popullatës, që përbën pjesën më të madhe të shpenzimeve të ekonomisë, rreth 70 % të saj, dhe ka ndikimin më të madh të rritjes ekonomike. Rritje ka pasur edhe të eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, por edhe importeve të mallrave dhe shërbimeve.  Për 11 mujorin e parë ka pasur një rritje totale prej 21 %, ku rritja ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët. Ecuria ekonomike është mbështetur nga sektori i kredisë, ndërsa kredia konsumatore është rritur në 3- mujorin e tretë”,- tha Ibrahimaj.

Edhe inflacioni ka shënuar ulje për muajin nëntor krahasuar me muajin tetor. Inflacioni për nëntorin shënoi 7.9 %. Ministrja Ibrahimaj tha se edhe investimet e huaja kanë shënuar rritje sidomos në pasuritë e paluajtshme.

Ibrahimaj njoftoi ndërkohë se në tremujorin e parë të 2023-shit pritet që ligji për bastet online të miratohet në Parlament. (Elona)