Shefi i OKB-së, alarm global në Ditën Ndërkombëtare të Përgatitjes Epidemike
2022-12-29 11:49:12

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, lëshoi të martën një alarm global në Ditën Ndërkombëtare të Përgatitjes Epidemike.

Në një mesazh, Guterres tha se Covid-19 ishte një thirrje zgjimi, me miliona jetë të humbura dhe qindra milionë të sëmurë; me ekonomi të shkatërruara dhe sisteme shëndetësore të dëmtuara, citon “Xinhua”.

“Vendet në zhvillim u lanë të kujdeseshin për veten e tyre, me turp u mohuan vaksinat, testet ose trajtimet që u duheshin për të mbrojtur njerëzit e tyre”,- tha ai.

Guterres paralajmëroi se Covid-19 nuk do të jetë epidemia apo pandemia e fundit me të cilën përballet njerëzimi.

“Si një komunitet global, ne duhet t'u kushtojmë vëmendje mësimeve të ashpra të Covid-19 dhe të bëjmë investime të guximshme në përgatitjen, parandalimin dhe reagimin ndaj pandemisë”,- tha shefi i OKB-së.

Guterres nënvizoi nevojën për një mbikëqyrje më të mirë për të zbuluar dhe monitoruar viruset me potencial epidemik; sisteme shëndetësore elastike të mbështetura nga mbulimi shëndetësor universal dhe një fuqi punëtore shëndetësore të trajnuar mirë, të pajisur dhe të paguar mirë.

“Ne gjithashtu kemi nevojë për akses të barabartë në vaksina, trajtime, diagnostikime dhe teknologji për shpëtimin e jetës për të gjitha vendet”,- shtoi Guterres. Ai theksoi nevojën për të luftuar plagën e dezinformatave dhe pseudoshkencës me shkencë dhe informacione të bazuara në fakte. “Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Përgatitjes për Epideminë, unë u bëj thirrje të gjitha vendeve të bashkohen me përpjekjet tona për të siguruar që bota të jetë e pajisur dhe e gatshme për të përballuar sfidat shëndetësore që do të vijnë”,- tha ai. (Elona)