Miratohet marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj kineze për heqjen e vizave
2022-12-29 11:23:31

Qeveria shqiptare ka miratuar, në parim, marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë kineze, për heqjen reciproke të vizave për mbajtësit e pasaportave të zyrtarëve publikë dhe të pasaportave të zakonshme.

Propozimi është bërë nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Ky vendim, sipas qeverisë, hyn në fuqi menjëherë, bën të ditur “RTSH”.

Pak kohë më parë Shqipëria kishte njoftuar heqjen e vizave për shtetasit kinezë gjatë sezonit turistik. Qeveria shqiptare vendosi që për periudhën 1 prill deri më 31 tetor, shtetasit me pasaporta të zakonshme nga nëntë vende, duke përfshirë edhe Kinën, mund të hynin pa viza në Shqipëri, por periudha e qëndrimit nuk mund t'i kalonte 90 ditët.

Sipas marrëveshjes dypalëshe midis Kinës dhe Shqipërisë, të dyja vendet kishin hequr më parë vizat për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit.

Në gusht 2016, Kina dhe Shqipëria nënshkruan gjithashtu një memorandum mirëkuptimi për të thjeshtuar procedurat e vizave, duke dhënë viza me afat deri në 5 vjet për shtetasit e të dy vendeve me pasaporta të zakonshme për qëllime biznesi, turizmi dhe vizita familjare. (Elona)