Si një festë familjare, Krishtlindjet më të mira për të krishterët janë ato që kremtohen në shtëpi. Por për ata që vendosin të dalin jashtë pragut, ka disa vende që të gjithë njerëzit e planetit ëndërrojnë t’i vizitojnë qoftë edhe një herë në jetë. E ndërsa për besimtarët e thekur Betlehemi është numri 1, për të tjerët, sidomos ata që i festojnë të gjitha festat, më kuriozet janë shtëpia e Santa Klausit pranë Rovanienit të Finlandës, apo Kysnaht në Zvicër, ku mijëra njerëz dalin në rrugë për ta përzënë Babadimrin. Gjithsesi Krishtlindjet janë të lidhura me dëborën dhe atraksionet e bardha si Talin në Estoni, Rejkjavik (Islandë), Praga (Çeki), Tromso ose ishujt Lofoten në Norvegji, Dolomitet në Itali, Helsinki (Finlandë), Salcburg (Austri), Sent Moris (Zvicër), Shën Petërsburg (Rusi), Çikago në Ilinois (ShBA), apo Montreal në Kanada…, janë me pesë yje. Por diku tjetër, rreth 8 mijë kilometra vijë ajrore larg Tiranës, “fshihet” (edhe pse me 10 milionë banorë) një qytet si në përralla dhe ku mund të kalohen Krishtlindjet më unike në botë…”.
Laçi në Harbin(Foto personale)
Para se të nisesha për në Harbin, kryeqendrën e provincës Heilongjiang të Kinës Veriore në kufi me Siberinë, e dija që gjatë gjatë pesë muajve të vitit termometri është gjithmonë me të kuqe, ndërsa gjatë dimrit ato arrijnë deri në minus 40 gradë Celcius. Por për fat, për Krishtlindjet e këtij viti, klima duket më e “butë” dhe temperatura më e ulët arrin deri në vetëm minus 17. Megjithatë si mesdhetar i pakalitur me kështu kiametesh, nuk lë gjë leshi pa veshur, aq sa mezi marr frymë. Tashmë nuk ka kthim më prapa, pasi biletat e avionit janë rezervuar dhe në Harbin sapo është hapur edicioni i 24-të i “Festivalit Botëror të Borës dhe Akullit”, ku ndodhet edhe parku më i madh skulpturave prej akulli në botë. Besoj se sikur vetëm për kaq ia vlen t’i kalosh Krishtlindjet pikërisht aty.
Kur del jashtë dyerve të aeroportit “Taiping International” të Harbinit, ndërsa pret për të marrë taksinë, e kupton se xhupi yt gjoja i trashë ngjan me një kanatiere. Dhe “loja” ngriva-shkriva do të zgjasë po aq ditë sa do të qëndrojmë në Harbin, por duke mësuar “prej hallit” se pas një ore në mjedis të hapur, është mirë që për disa minuta të futesh diku, qoftë dyqan i vogël, qendër tregtare, dyqan, bar, restorant, metro apo taksi…për të shpëtuar, sidomos duart dhe këmbët, nga ngrirja. Aq më mirë nëse pi me fund ndonjë shishe të vogël vodka, nga ato që dikur i jepnin nëpër avionë, sepse i gjen në çdo dyqan suveniresh. Ose edhe çaj nuk është keq. Mjaftojnë vetëm disa “rregulla” të vogla për të shijuar Harbinin e vërtetë me të gjitha përmasat e tij.
Edhe pse në Harbin janë zbuluar fosilet e para të paraardhësve që gjurmohen nga viti 3457 para Krishtit, qyteti daton shumë vonë, rreth vitit 1900. Ai ishte vetëm një fshat peshkatarësh, para se rusët të vinin aty për ndërtimin e hekurudhës Trans-Siberiane, duke e kthyer shumë shpejt në një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike dhe tregtare. Harbin është sot qyteti i dytë ku kinezishtja Mandarin është më e ngjashme me versionin standard, pas Pekinit. I cilësuar edhe si "Moska” apo “Parisi” i Lindjes" Harbin është ndër qytetet më romantike në Kinë. Ndoshta ngaqë aty gjejmë ndërtesa të stilit rus, turk, italian, francez, anglez etj. Rruga Qendrore e ndërtuar në vitin 1924 u quajt Central Avenue dhe që nga viti 1996 ajo është bërë pedonalja më e gjatë dhe më e gjerë në Azi. Në lindje të saj ndodhet Shën Sofia, kisha më e madhe ortodokse në Lindjen e Largët dhe një ndër më të rrallat për karakteristikat e saj të arkitekturës bizantine. Në të dy anët e pedonales gjen pa fund produkte tipike të Harbinit, si salsiçet e kuqe, salsiçet e mëdha, ato Qiulin, bukën ruse Ukleba dhe çuditërisht edhe akulloret që, pavarësisht temperaturave shumë minus, kanë shumë lezet. Salmoni, bliri dhe peshqit e famshëm të ujërave të ëmbla të provincës Heilongjiang nuk duhen lënë pa provuar, sikurse salsiçet e thata që shoqërojnë verën e shtëpisë, apo fasulet Adzuki dhe perimet e egra të malit. Në asnjë prej restoranteve që provon, është e vështirë të dalësh “huq”. Ndërsa mes dhuratave, mund të zgjedhësh mjaft produkte lëkure apo të tjera tipike lokale, duke përfshirë xhensen, brirët e drerit dhe punimet prej thupre.
Laçi në Harbin(Foto personale)
Por qëllimi i vërtetë i udhëtimit është “Harbin Ice-Snow World”. Këtë vit mësojmë se festivali mbulon plot 810 mijë metra katrorë, me mbi 100 atraksione turistike me akull dhe borë. Tashmë që Kina njoftoi hapjen për turistët vendas dhe të huaj, pritet që parkun ta vizitojnë me miliona njerëz. Ndaj nuk ke si të mos krenohesh me veten që je ndër të parët aty. Festivali shoqërohet edhe me një spektakël të pakrahasueshëm dritash, duke e përfshirë “Harbin Ice-Snow” mes atraksioneve më të rralla për ndriçimin në botë. Prandaj zgjedhim që të shkojmë pas orës 17. Ky spektakël quhet gjithashtu edhe "Përralla e papërsëritshme e fëmijëve", edhe pse ne të rriturit aty shastisemi më shumë se të vegjëlit. Po brenda Harbin Sunac Land ndodhet edhe Sunac Snow Park, resorti më i madh i mbuluar i skive në botë, me 150 mijë metra katrorë. Dizajni i resortit i frymëzuar nga qytetet e vogla të Evropës Veriore, përveç 8 pistave, ka një shumëllojshmëri të gjerë objektesh argëtuese dimërore, duke përfshirë një kështjellë akulli përrallore, shkallë lëvizëse dimërore dhe madje edhe makina me parakolp akulli. Së bashku me Ski Dubai dhe Guangzhou Snow Park, ato quhen si tre mrekullitë e botës së skive për mjediset e mbyllura. Pak metra më larg është edhe Syri i Harbinit, rrota qiellore 120 metra e lartë nga ku mund të shohësh për 20 minuta gjithë qytetin. Për për ata që si mua e kanë inat radhën, është më mirë të provosh teleferikun që kalon nga njëra anë e lumit të ngrirë Songhua në tjetrën, duke shijuar pothuajse të njëjtën magji. Por lumi nga ku nxirren edhe blloqet e akullit për statujat, mund të kalohet fare bukur edhe me karroca me kuaj, apo me slitat e qenve. Dhe nuk e lamë pa provuar, që të nesërmen kur në program ishte Ishulli i Diellit, me një sipërfaqe prej 38 kilometra katrorë, edhe ky i mbushur me dhjetëra statuja gjigande prej bore. Nuk kishim fat, sepse pak ditë më vonë na thonë se aty do sillnin edhe tigrin siberian, pasi në periferi të Harbinit ndodhet edhe parku natyror më i madh në botë për mbrojtjen e këtij lloj tigri.
Dimri në Harbin është i shenjtë. Ndoshta prandaj të rinjve aty, në dallim me krahinat e tjera kineze, u pëlqen martesa në këtë stinë. Ndërsa në verë na tregojnë se Harbini i dedikohet muzikës, pasi aty zhvillohet një nga festivalet muzikore më të famshme të vendit. Ndoshta prandaj Harbini u zgjodh për të ndërtuar një nga kryeveprat e arkitekturës botërore, “Grand Theatre”, e cila krahasohet me operën e famshme të Sidnejit. Ndërtesa ekstravagante dhe me notën më maksimale për foninë në botë, u nderua me Çmimin e Parë të Arkitekturës në vitin 2015 nga “ArchDaily”. Një foto aty nuk duhet të mungojë. Harbini është edhe shtëpia e birrës së parë të prodhuar në Kinë, e cila është mes dhjetë më të shiturave në botë. Nëse ju kujtohet Harbin ishte edhe birra zyrtare e Botërorit të Afrikës së Jugut në vitin 2010. As një birrë Harbin nuk duhet lënë pa provuar, dhe jo vetëm për shkak të namit të saj. Në Harbin ndodhet edhe hekurudha e parë me shpejtësi të lartë në botë, që funksionon në gjerësi gjeografike të larta dhe temperatura jashtëzakonisht të ulëta, e cila lidh qytetin e Harbinit dhe qytetin port të Dalian. Trenat e saj që lëvizin me shpejtësi maksimale prej 300 kilometrash në orë, duhet të përballojnë përgjatë rrugës dhe stinëve diferenca temperature që i kalojnë 70 gradë Celsius. Si një ndër dhjetë qytetet kryesore të Kinës, Harbin është edhe shtëpia e shumë institucioneve të arsimit të lartë, duke përfshirë Institutin prestigjioz të Teknologjisë apo universitetin e Mjekësisë.
Harbin(Foto:VCG)
Laçi në Harbin(Foto personale)
Për pak desh harrova. Nga i gjithë ky udhëtim i mrekullueshëm, po të ishte për telefonin tim, sot nuk do kisha asnjë foto për kujtim nga aventura në Harbin. Madje edhe mund të mos më besonin. Dhe jo për faj të telefonit, por të temperaturave të ulëta, të cilat e çonin baterinë në zero brenda pak minutash. Po të mos kesh me vete një aparat të mirë fotografik, por edhe një mik që “pranon” të heqë dorezat për të të fotografuar ty në minus 17 gradë Celcius…vështirë se mund të sjellësh me vete kujtime nga Harbini në dimër. Pavarësisht se pata fat, unë gjithsesi nuk do harroja asgjë nga Krishtlindjet në Harbin.