Kina përpiqet të sigurojë ofertën e barnave
2022-12-29 14:57:37

Ditët e fundit, kompanitë farmaceutike kineze kanë bërë të gjitha përpjekjet për të prodhuar barnat e nevojshme. Ndërsa kapaciteti i prodhimit është shtuar vazhdimisht, të gjitha rajonet po koordinojnë në mënyrë aktive burimet e shpërndarjes për të stabilizuar tregun.

Në të njëjtën kohë, krahinat e ndryshme kanë marrë masa të shumta për rritjen e ofertës së barnave në treg. Në Wuhan, 3 milionë tableta me barna analgjezike janë hedhur në treg çdo ditë gjatë javës së kaluar, 80 % e të cilave është ofruar për institucionet mjekësore dhe 20 % për farmacitë e shitjes me pakicë. Në Nankin po hidhen në treg 2 milionë barna për uljen e temperaturës së trupit në ditë, që tregtohen në 153 farmaci. Ndërkohë, në Jinan janë ofruar urgjentisht 1.1 milionë hape barnash të tilla për të mbështetur klinikat bazë dhe farmacitë. Departamenti i ekonomisë dhe informacionit i provincës Anhui ka ngritur një grup të posaçëm pune për sigurinë e barnave të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë.Vlerësohet se deri në fund të këtij muaji, më shumë se 100 milionë barna për uljen e temperaturës mund të shpërndahen në këtë provincë, të cilat mund të plotësojnë nevojat e rreth 20 milionë pacientëve.

Aktualisht, Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit e Kinës po udhëzon palët përkatëse në vende të ndryshme për të hartuar plane pune për t'i dhënë përparësi sigurimit të furnizimit me barna në vende kyçe, si institucionet mjekësore dhe shtëpitë e të moshuarve. (Zhan Dian/Artan)