Kina dënon raportet “e shtrembëruara” perëndimore rreth optimizimit të reagimit ndaj COVID-19
2022-12-29 15:20:52

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ministria e Jashtme kineze dënoi të mërkurën raportet "e shtrembëruara" të medieve perëndimore rreth optimizimit nga Kina të masave të përgjigjes ndaj COVID-19.

Zëdhënësi i kësaj ministrie Wang Wenbin theksoi në një konferencë të rregullt për shtypin se raporte të tilla janë plot paragjykime dhe të nxitura nga motive politike, duke mos qenë në përputhje me të vërtetën.

Wang vuri në dukje se, që nga fillimi i pandemisë, qeveria kineze i ka vënë njerëzit dhe jetën e tyre në plan të parë. Ajo ka mobilizuar të gjitha burimet dhe ka bërë të gjitha përpjekjet për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e njerëzve, duke arritur të vërë nën kontroll raundet e shpërthimeve gjatë periudhës më të vështirë të përhapjes së virusit.

Ai shtoi se Kina ka përqindjen më të ulët të rasteve serioze dhe vdekjeve prej COVID-19 krahasuar me vendet e tjera, ndërsa jetëgjatësia mesatare në Kinë, një tregues bazë i mirëqenies kombëtare, u rrit nga 77.3 vjet në vitin 2019 në 78.2 vjet më 2021.

Ndërsa patogjeniteti dhe virulenca e variantit “Omicron” janë zbutur dhe Kina ka vazhduar të përmirësojë trajtimin mjekësor, zbulimin e patogjenit dhe vaksinimin, masat e reagimit ndaj COVID-19 janë optimizuar, me publikimin e 20 masave të hollësishme dhe 10 të tjerave në vazhdim, duke ulur nivelin e menaxhimit të COVID-19 në atë të sëmundjeve infektive të kategorisë B, tha ai.

Wang shtoi se ajo që bëri Kina është shkencore, në kohë dhe e nevojshme, me qëllim që të sigurohet jeta dhe shëndeti i njerëzve dhe të minimizohet ndikimi i epidemisë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Të gjitha vendet do të kalojnë nëpër një periudhë përshtatjeje të politikave të tyre të reagimit ndaj COVID-19 dhe Kina nuk përbën përjashtim, theksoi ai, duke shtuar se situata e COVID në Kinë është në tërësi e parashikueshme dhe nën kontroll.