Viti 2022, më i nxehti në Itali që nga viti 1800
2022-12-29 12:26:55

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ky vit ishte më i nxehti në Itali që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1800, sipas të dhënave nga Instituti për Shkencën Atmosferike në Këshillin Kombëtar të Kërkimeve të vendit.

“Gjatë gjithë vitit kishte rekorde temperaturash”,- tha për “Xinhua” Bernardo Gozzini, drejtor i konsorciumit meteorologjik “LaMMA” të Këshillit Kombëtar të Kërkimeve.

Rekordi i ri nuk do të jetë zyrtar deri në fund të vitit, por zyrtarët e LaMMA-së thanë se është statistikisht e pamundur që temperaturat mesatare të bien nën ato të 2018-s, viti më i nxehti i regjistruar në Itali.

LaMMA-ja fillimisht filloi të raportonte në korrik se ky vit kishte gjasa të ishte më i nxehti në histori. Në tetor, ai tha se temperaturat në Italinë veriore dhe qendrore ishin 3.2 gradë celsius më të larta se normalja.

Ndërkohë, organizata raportoi temperaturat prej 5 deri në 7 gradë celsius më të larta se mesatarja në fund të dhjetorit në pjesën më të madhe të Evropës jugore dhe qendrore, përfshirë Italinë.

Ky vit ka qenë i vështirë në Itali, me një thatësirë të gjatë verore që uli nivelet e ujit me tre të katërtat në shumicën e lumenjve kryesorë dhe uli prodhimin bujqësor me një të tretën. Temperaturat përvëluese rezultuan në qindra të vdekur.

Në korrik, mungesa e reshjeve të kombinuara me temperatura të larta të paarsyeshme shkaktoi shembjen e një akullnaje në vargmalin e Dolomiteve të Italisë veriore.

Në nivel global, viti 2016 mbetet viti më i nxehtë i regjistruar, i ndjekur nga 2020-a, 2019-a dhe 2022-shi. (Elona)