Bukuria e lashtë e Dunhuangut shijohet në mënyrë digjitale
2022-12-28 21:38:42

Fotografia e bërë më 10 korrik 2022 tregon se vizitorët shikojnë kopjen digjitale një me një të shpellës nr.258 në Dunhuang në një ekspozitë në Pekin/ Xinhua

Qyteti Dunhuang i Kinës Veriperëndimore ndodhet mbi dy mijë kilometra larg Pekinit, por falë teknologjisë digjitale, trashëgimia e tij e famshme tradicionale mund të shikohet lehtë edhe nga banorët në kryeqytet.

Dunhuang është vendlindja e Shpellave Mogao, një trashëgimi botërore e UNESCO-s. Tani shumë elemente të kësaj trashëgimie po demonstrohen në një ekspozitë që vazhdon të jetë e hapur edhe këto ditë në Qendrën e Shërbimit të Tregtisë Kulturore Ndërkombëtare të Pekinit. Muralet, shpellat, skulpturat me vizatime dhe vepra të tjera të shkëlqyera të trashëgimisë kulturore janë kopjuar, ndërsa ato guva që mbyllen tani, janë kopjuar në format digjitale.

Zona e ekspozitës, me një sipërfaqe prej afro 1.600 metrash katrorë, demonstron rezultatet e kërkimit mbi 50 relikte kulturore nga Akademia Dunhuang. Shpella nr.3 është një shembull tipik i pikturave të lashta murale, por ajo është në përkeqësim e sipër. “Në mur ka shumë flluska, që mund të prishin shtresën e pigmentit. Disa ekspertë kanë arritur në konkluzionin se piktura murale do të zhduket për një kohë jo shumë të largët,” - thotë Tang Li, përgjegjësja e kësaj ekspozite.

Ndonëse shpella nr.3 reale në Dunhuang nuk hapet më për publikun, ajo e restauruar në mënyrë kompjuterike do të ruhet përgjithmonë në hapësirën digjitale. Ekspozita e hapur në korrik të këtij viti, do të zgjasë për tre vite. Kjo është hera e parë që Akademia Dunhuang zhvillon një ekspozitë kaq të gjatë në Pekin. Përmes teknologjisë së skanimit digjital, ndërtesat, skulpturat me vizatime dhe pikturat murale të Shpellave Mogao në Dunhuang janë skanuar, ruajtur dhe transformuar në një format digjital.

foto nga VCG

Skulptura e budës e prituar me teknologjinë tredimensionale në ekspozitë foto nga VCG

“Teknologjia e skanimit dhe printimit tredimensional ruan forcën tërheqëse të skulpturave me vizatime, ndërsa rindërtimi dhe restaurimi artistik tredimensional kopjon formën e skulpturave me vizatim një me një,” –tregon një ciceron në ekspozitë.

Ideja për digjitalizimin e kulturës Dunhuang u paraqit për herë të parë në vitet 80-të të shekullit të kaluar. Gjatë dekadave të mëvonshme shihen shumë zhvillime dhe arritje në mbrojtjen digjitale. Deri në fund të vitit 2021, “Projekti i Dunhuangut Digjital” ka përfunduar mbledhjen e informacionit digjital të 268 shpellave, trajtimin e imazheve të 164 prej tyre dhe rindërtimin tredimensional të 45 skulpturave me vizatime, të 146 shpellave dhe të 7 pikave të mëdha të relikteve. Është krijuar dhe një grup profesional dhe teknik prej mbi 100 personash. 

Akademia Dunhuang ka krijuar një kompleks të teknologjive digjitale në përshtatje me pikturat murale që nuk mund të lëvizen. Gjatë këtij procesi, Akademia Dunhuang ka përdorur teknologji të ndryshme jo vetëm për mbrojtjen digjitale të shpellave, por ka krijuar edhe standardet për digjitalizimin e relikteve kulturore të palëvizshme.

foto nga VCG

Vizitorët dëgjuan shpjegimet e ciceronit për një pikturë të kopjuar me teknologjinë digjitale/ foto nga VCG

Mbrojtja dhe rigjallërimi i kulturës së lashtë të Dunhuangut nuk është rast i vetëm në Kinë. Edhe Shpellat Yungang në provincën Shanxi të Kinës Perëndimore i janë nënshtruar trajtimit digjital tredimensional, të cilat u japin mundësi relikteve të çmuara kulturore dhe arkivit historik të ruhen përgjithmonë. Ndërkohë, turistët mund të shjojnë figurat e lëvizshme të terrakotave të ushtarëve e kuajve në varrezën e perandorit Qinshihuang përmes teknologjisë AR (tekonologjia e realitetit të shtuar). Këto projekte kanë ofruar një metodë të mbrojtjes së trashëgimive të shkëlqyera kulturore të Kinës për brezat e ardhshëm, ndërkohë që i lejon ato të përhapen më gjerësisht brenda dhe jashtë vendit.

Zhao Shengliang, përgjegjësi i Akademisë Dunhuang thotë: “Shpresohet se ‘Dunhuangu digjital’ jo vetëm do t’u japë mundësi më shumë shikuesve të provojnë forcën tërheqëse artistike të Dunhuangut, të shijojnë arritjet e shkëlqyera të kulturës tradicionale kineze, të forcojnë shijen estetike artistike dhe të shtojnë vetëbesimin kulturor, por do të nxitë edhe shkëmbimet midis kulturave përgjatë “Një brez, një rrugë” në kushtet e reja historike.” (Wang Lei/ Laçi)