E talentuar, e zhdërvjellët, me shumë pasione, një vajzë me një shpirt të lirë aventure. Kanë qenë të forta motivet që e kanë nxitur drejt suksesit e drejt iniciativave që vetëm ajo ka ditur t’i japë shijen e së bukurës, shijen e të vërtetës.
Kështu këngëtarja e njohur, Elsa Lila është rikthyer në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH pas 25 vitesh mungesë, duke rrëmbyer çmimin e parë të këtij festivali.
Kënga “Evita” me të cilën ajo mori pjesë në festival, i dedikohet së bijës që mban këtë emër, e cila ishte edhe ajo prezente në Pallatin e Kongreseve. Këngëtarja ishte edhe autore e tekstit prekës ku artistja shpreh pritjen dhe gëzimin për lindjen e së bijës. Publiku i Festivalit të Këngës e mirëpriti këngën e saj dhe e shpërbleu me duartrokitje, por triumfi i çmimit të parë u shoqërua me kritika dhe diskutime publike, siç është shoqëruar shpesh jeta e artistes.
Elsa Lila - foto shqiptari i italise
Kush është Elsa Lila? Elsa Lila ka lindur në Tiranë në vitin 1981. Babai i saj, Edmond Lila, ishte nje tenor me reputacion, ndërsa nëna e saj ishte violiniste, kështu që të dy prindërit e rritën atë afër muzikës dhe teatrit, duke i dhënë një dashuri të madhe për artet. Mosmarrëveshjet në çift i çuan prindërit e saj drejt divorcit.
Elsa Lila ishte ende adoleshente, teksa u ngjit në skenë në 1996 dhe fitoi Festivalin e RTSH me këngën “Pyes lotin”, një këngë e kompozuar nga Valentin Veizi. Ishte pikërisht ky kompozitor që e zbuloi talentin e saj në Festivalin e Fëmijëve në Tiranë. Me zërin, ndjeshmërinë dhe interpretimin e saj ajo bëri për vete publikun e asaj kohe. Një vit më pas, në vitin 1997, ajo sërish u shpall fituese në Festivalin e RTSH-së me këngën “Larg urrejtjes”, duke u kthyer në artisten më të dashur të publikut. Në pak vite ajo ka realizuar qindra koncerte, transmetime televizive dhe radiofonike; në vitin 1997, vit në të cilin humbi tragjikisht nënën e saj, ajo u transferua në Itali, duke bërë një jetë normale studentore, ndërsa në Shqipëri konsiderohej si një yll i muzikës dhe spektaklit.
Elsa nisi një jetë të re në Romë, ku studioi për arkitekturë dhe njëkohësisht punoi duke siguruar vetë të ardhurat e saj, derisa në vitin 2003 u shfaq në skenën e Sanremos në Itali, si e përzgjedhura e Pippo Baudos që bënte edhe rolin e Drejtorit Artistik, me këngën “Valeria”, me të cilën u rendit e treta në klasifikim. Në po këtë vit doli abumi i saj i parë “Elsa”.
Elsa Lila gjate performances se saj - foto Panorama.al
Katër vite më vonë, në vitin 2007 ajo mori pjesë sërish në Sanremo me këngën “Il senso della vita”, që i parapriu albumit që doli në pranverën e po këtij viti. Po në vitin 2007, u ftua nga regjisori Pali Kuke për të drejtuar Festivalin e 46 të Këngës, bashkë me kantautorin Pirro Çako, ku kënduan duetin e kompozuar nga ky i fundit “Diferenca je ti”. Dueti konsiderohet si ndër më të dashurit e muzikës shqiptare dhe është ndër më të dëgjuarit sot e kësaj dite.
Në dhjetor të viti 2008 Elsa Lila prezantoi Festivalin e 47-të të Këngës, kësaj radhe bashkë me dy artistë të estradës, Gentjan Zeneli dhe Julian Deda, ku këndoi një duet të mrekullueshëm me kantautorin e njohur italian, të ftuar në këtë festival, Enrico Ruggeri “Volata finale – Futurimi i fundit”, e cila u bë kolona zanore e filmit të regjisorit Gjergj Xhuvani me titull “Lindje, Perëndim, Lindje”. Kjo këngë u bë edhe pjesë e albumit të Enrico Ruggerit “All in - Ultima follia”
Kjo ishte një periudhë e mirë krijimtarie për Elsa Lilën, një nga të paktat artistë bashkëkohorë, e aftë të variojë nga muzika pop në muzikën barok, duke kaluar nëpër muzikën popullore ballkanike dhe muzikë botërore.
Në vitin 2010 bashkëpunoi me violinistin Olen Cesari në albumin “Unexpected”. Në vitin 2014 ajo u rikthye në skenën muzikore si trainere në edicionin e katërt të “The Voice of Albania”.
Elsa Lila me kupen e festivalit - foto Panorama.al
Jeta e saj u godit rëndë pasi në vitin 2022 u arrestua gabimisht në Itali me akuzën e bashkëpunimit me një grup që synonte trafikimin e lëndëve narkotike dhe më pas u lirua.
Pas heshjes që pasoi këtë tronditje në jetën e saj, Elsa Lila iu rikthye këngës, asaj që di të bëjë më mirë dhe këtë kthim e bëri pikërisht në sallën e Festivaleve të Këngës, ku kishte nisur karriera e saj emocionuese, kur ishte vetëm 15 vjec dhe ku në dy vjet pjesmarrje siguroi dy çmime të para.
Edhe në këtë pjesmarrje të tretë, në edicionin e 61 të Festivalin Kombëtar të Këngës, ajo rrëmben sërish çmimin e parë.
Elsa është nënë e një vajze 10-vjeçare të quajtur Evita, të cilës i ka kushtuar edhe këngën e festivalit.
Elsa ne skene duke performuar kengen fituese - foto NOA
Neritana Kraja