OKB: 100 milionë njerëz të zhvendosur globalisht në vitin 2022
2022-12-28 10:30:46

Te zhvendosurit (Foto Scottishrefugeecouncil.org.uk)

Te zhvendosurit (Foto Scottishrefugeecouncil.org.uk)

Rreth njëqind milionë njerëz në mbarë botën u detyruan të lënë shtëpitë e tyre në vitin 2022 dhe Kombet e Bashkuara po vazhdojnë të ndihmojnë ata që kanë nevojë në një mori mënyrash. Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi, e përshkroi shifrën si një rekord që nuk duhet të ishte vendosur kurrë, citon “Xinhua”.

Shifra është rritur nga rreth 90 milionë në vitin 2021. Shpërthimet e dhunës ose konfliktet e zgjatura, ishin faktorë kyç të emigrimit në shumë pjesë të botës, duke përfshirë Ukrainën, Etiopinë, Burkina Fason, Sirinë dhe Mianmarin.

Mijëra emigrantë të dëshpëruar e shikonin Evropën si një destinacion të preferuar, duke lënë jetën e tyre në duart e trafikantëve të qenieve njerëzore dhe duke u nisur në udhëtime të rrezikshme nëpër Mesdhe.

VCG

VCG

UNHCR-ja bëri të ditur se qeveritë anembanë botës kishin premtuar rreth 1.13 miliardë dollarë, një shumë rekord, për të siguruar një rrugë shpëtimi për njerëzit e zhvendosur nga lufta, dhuna dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

“Si rezultat i konfliktit, emergjencës klimaterike dhe krizave të tjera, njerëzit e zhvendosur në mbarë botën përballen me nevoja të paprecedenta. Fatmirësisht, donatorët bujarë të UNHCR-së vazhdojnë t'i mbështesin ata gjatë këtyre ditëve të vështira, duke krijuar shpresë për një të ardhme më të ndritshme”,- tha Grandi.

Dimri do të jetë shumë sfidues për miliona njerëz të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në mbarë botën, bëri të ditur UNHCR-ja në faqen e saj të internetit. (Elona)