Kina shpejton hapat për mëkëmbjen ekonomike
2022-12-28 11:45:29

VCG

VCG

 

Me masat e reja kundër epidemisë, Kina e ka fokusuar më tej punën e saj në zhvillimin ekonomik. Posaçërisht pas zhvillimit të mbledhjes qendrore ekonomike në dhjetor, shumë krahina në Kinë kanë rregulluar planet e tyre ekonomike për vitin 2023, me synim që të shpejtohet prodhimi industrial e zhvillimi ekonomik dhe të mëkëmbet konsumi në treg.

 

“Ngadalësimi është i papranueshëm!”

 

Ditët e fundit, shumë krahina kanë përmirësuar masat e tyre antiepidemike dhe kanë shpejtuar hapat për rifillimin e punës e të prodhimit, me synim që të ofrojnë mbështetje për ndërmarrjet që kanë vështirësi.

 

Pekini ka kërkuar që t’i kushtohet rëndësi rifillimit të prodhimit dhe sektorët ose organet administrative nuk mund të bëjnë shqyrtim apo miratim për rifillimin e prodhimit dhe nuk duhet të kufizojnë numrin e punonjësve që shkojnë në punë.

 

Provinca Gansu e Kinës Perëndimore ka publikuar masa të reja, duke bërë thirrje që të shpejtohet rifillimi i prodhimit industrial në mënyrë urgjente. “Shpresojmë që populli të shohë masa të vërteta konkrete për zgjerimin e kërkesës së brendshme, rregullimin e qarkullimit ekonomik dhe aktivizimin e ndërmarrjeve në treg. Kështu do të shtohet më shumë besimi në treg dhe zhvillimi ekonomik do të kthehet sa më parë në shinat normale,” deklaruan autoritetet e provincës.

 

VCG

VCG

Vihen në përdorim fondet për nxitjen e konsumit

 

Në mbledhjen qendrore ekonomike është theksuar që të vendoset në vend të parë mëkëmbja dhe zgjerimi i konsumit. Me këtë kërkesë qendrore, shumë krahina kanë marrë masa konkrete, duke vënë në përdorim fonde për nxitjen e konsumit.

 

Në provincën Henan është shpallur që do të rregullohen masat kufizuese ndaj konsumit, duke aktivizuar tregun e pronësisë së paluajtshme dhe duke inkurajuar konsumin e mallrave të mëdha, si automjetet me energji të reja. Synimi i Henanit është që të përgatitet konsumi i ri dhe konsumi i shërbimit, çka mund të forcojë më tej aftësinë e konsumit.

 

Në provincën Jiangsu ka nisur aktiviteti “Blerjet dimërore, konsumi i ri 2022”. Në 13 qytete të kësaj province do të zhvillohen mbi 1800 aktivitete promovuese, ku do të jepen kuponë konsumi me vlerë 250 milionë juanë.

 

Në qytetin Shenzhen të Kinës Jugore, distrikti Nanshan bëri të ditur dhënien e kuponëve të konsumit me vlerë 200 milionë juanë, të cilët mbulojnë automjetet, pajisjet elektro-shtëpiake, produktet digjitale, veshjet, bizhuteritë, syzet dhe ushqimet, me synim që të nxitet konsumi në treg.

 

xinhua

xinhua

Zgjerimi i biznesit jashtë vendit

 

Në qytetin Ningbo të Kinës Lindore është zhvilluar aktiviteti i mobilizimit për zgjerimin e biznesit, ku u shpall që, para prillit të vitit 2023, do të bëhen përpjekje për të organizuar mbi 100 grupe të posaçme biznesi, mbi 1 000 ndërmarrje dhe mbi 10 mijë individë të dalin jashtë vendit për të nxitur prodhimin dhe biznesin, me synim që të ngrihet më tej cilësia e hapjes së tregut.

 

Në qytetin Quanzhou të Kinës Juglindore janë publikuar një sërë masash inkurajuese, si “Masat nxitëse për zgjerimin e tregut ndërkombëtar” dhe “Masat mbështetëse për zgjerimin e porosive jashtë vendit”, të cilat inkurajojnë ndërmarrjet të dalin sa më shumë jashtë vendit dhe të ekspozojnë sa më shumë mallra e produkte të tyre, me synim të sigurojnë më shumë mundësi biznesi.

 

Zëdhënësi i Shoqatës së Promovimit Tregtar të Kinës, Sun Xiao, vë në dukje që, për të ndihmuar ndërmarrjet të sigurojnë më shumë porosi dhe të zgjerojnë biznesin, janë marrë parasysh masat e reja antiepidemike dhe procesi i shqyrtimit për pjesëmarrjen e ndërmarrjeve në ekspozitat ndërkombëtare. Deri në fund të nëntorit ka përfunduar shqyrtimi dhe miratimi i 15 projekteve për pjesëmarrje në ekspozita jashtë vendit, duke ofruar shërbime për sektorë si tekstilet, pjesët e këmbimit të makinave, artikujt sportivë, pajisjet elektronike dhe mallrat e konsumit.

 

“Ne do të bëjmë mirë punët për pjesëmarrjen e ndërmarrjeve në ekspozita jashtë vendit në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit 2023, me synim që të ndihmojmë ndërmarrjet të krijojnë lidhje të sakta me klientët ndërkombëtarë,” thotë Sun Xiao. (Jiang Lei)