Aktorja Merita Smaja ka punuar që nga viti 1981 në teatrin “Migjeni” të qytetit të e Shkodrës. Ajo ka punuar ne teatër, televizion e film për vite me rradhë ku ka krijuar një galeri të tërë rolesh. Gjithashtu ajo ka shkruar shumë librete shfaqjesh të këngëtarëve të ndryshëm, të cilët kanë dhënë recitalin e tyre në Shkodër. Pasioni i artit skenik ka vazhduar edhe tek fëmijët e saj sepse vajza dhe djali i saj kanë studiuar në Universitetin e Arteve në Tiranë. Në një intervistë për Radio Ejani aktorja Smaja tregon për karrierën e saj artistike nër vite.
CMG: Çfarë mund të na thoni për angazhimin tuaj artistik?
Merita Smaja: Të jesh e angazhuar artistikisht do të thotë që je një njeri që ke dëshirë të japësh shumë më tepër, ke dëshirë jo vetëm që ta marrin dhe ta çojnë më tej artin, por është vërtetë një detyrë e madhe sepse ndodhesh përballë diçkaje që të vë në përgjegjësi, të jep krah dhe kënaqësi.
Merita Smaja (Facebook)
CMG: Në teatrin e Shkodrës jeni që prej viteve 80-të dhe vazhdoni aktivitetin tuaj artistik. Si i kujtoni vitet pranë trupës së teatrit “Migjeni”?
Merita Smaja: Të jesh në një teatër si teatri “Migjeni” është vërtetë një kënaqësi e madhe. Kënaqësi por dhe përgjegjësi e madhe sepse unë erdha nga qyteti i Peshkopisë ku banoja në atë kohë dhe kam punuar vetëm një vit atje pas shkollës. Në Shkodër erdha për arsye martese dhe kisha emocion. Kisha një ndjesi të çuditëshme sepse unë e kisha ndjekur vazhdimisht Shkodrën, qoftë me teatrin apo estradën dhe e dija që isha përballë artistëve të mëdhenj. Isha përballë një teatri me emër me punën dhe veprat që kishte vendosur në skenë, pra një teatër që ka lënë shenjë si më të mirët në Shqipëri. Kur unë erdha kam punuar për herë të parë me një regjisor me emër siç ishte Serafin Fanku. Më vjen mirë dhe ndjehem vërtetë krenare që unë kam punuar me të dhe kam pasur një ndihmë të madhe prej tij. Serafin Fanku ishte një emër i veçantë, ishte një regjisor që i dha shumë jo vetëm Shkodrës por gjithë Shqipërisë.
CMG: Keni pasur momente të vështira gjatë karrierës suaj artistike?
Merita Smaja gjate nje roli (Facebook)
Merita Smaja: Periudha të vështira ka çdo njeri, ka në jetë, punë dhe gjithëkund sepse jemi njerëz dhe natyrshëm të gjitha qeniet njerëzore të cilat përballen jo vetëm me veten por përballen me gjithçka që i rrethon, dhe ndonjëherë dalin vështirësi të cilat ndoshta nuk i mendojmë por janë. Këto vështirësi janë të natyrave të ndryshme, mund të jenë vetjake apo shoqërore. Edhe unë si të gjithë kam pasur, dhe jo se i kam përballuar por çdo njeri në ato momente ndjehet i tërhequr dhe pak ndryshe sepse ato të vendosin në vështirësi dhe të bëjnë të mendosh nëse do t’i kalosh, si do t’i kalosh apo si do të jetë jeta jote dhe momenti. Ka pasur vështirësi por nuk kanë qenë të mëdha, vështirësi që njeriu nuk mund t’i përballojë. Unë ndjehem mirë që kam pasur vështirësi, por ja kam dalë.
CMG: Ju keni luajtur dhe në disa filma. Çfarë kënaqësie keni marrë nga filmi gjatë punës tuaj si aktore?
Merita Smaja: Nuk janë shumë filma, por nuk janë as pak. Janë disa filma me metrazh të gjatë, metrazh të shkurtër dhe një serial që unë kam luajtur. Unë për serialin jam vërtetë kernare sepse ka qenë ndër serialet më të mira që mund të jetë prodhuar në Shqipëri. Jo pse kam marrë unë pjesë aty, por nga të gjithë prodhuesit e këtij seriali që ishte “Familja Kuq e Zi” është ndër serialet që të gjithë e kërkojnë dhe përsëri vazhdojnë dhe pyesin nëse do të vazhdojmë me këtë serial. Filmi dhe teatri kanë gjëra të ndryshme. Unë e dua më shumë teatrin sepse është live dhe gjithçka është emocionale dhe kaq e bukur, se ke spektatorin aty dhe i merr vlerësimet në moment. Filmi ka tjetër gjë, ka emocionet e veta kur ti e sheh, por në film nëse gabon njëherë bën një dubël tjetër apo 20 dubla derisa ti të jesh vërtetë mirë, dhe kjo të jep mundësinë që të rregullosh gabimet. Ndërsa në teatër nuk ka gabim, nëse ti bën gabim atëherë gjithçka humbet dhe nuk mund ta rikthesh më. Teatri është diçka shumë e bukur dhe emocionuese sepse të jep jo vetëm forcë por të jep një ndjesi të veçantë që vetëm teatri mund ta japë.
Merita Smaja gjate nje roli ne teatrin e kukullave (Facebook)
CMG: Ju gjatë karrierës suaj artistike keni shkruar dhe librete shfaqjesh. Si ka qenë kjo pjesë e punës suaj?
Merita Smaja: Unë kam shkruar vazhdimisht dhe e kisha me dëshirë të shkruaja. Kam bërë librete të cilat më shumë i kam bërë për këngëtarë, recitalet e tyre. Gjithashtu kam bërë dhe dramatizime sepse e kisha me dëshirë. Ndonjëherë shkruaj dhe poezi, por kjo nuk do të thotë që unë jam poete por vërtetë më pëlqen që poezia të jetë një pjesë e imja edhe pse nuk kam ndërmend t’i botoj sepse sot është pak e vështirë që njerëzit të lexojnë poezi. Poezia është një art i lartë dhe jo gjithkush mund ta pëlqejë, jo gjithkush mund ta shkruajë, ta shijojë dhe ta përcjellë tek të tjerët. Ndërsa libreti është thjesht të kesh një kulturë apo një mundësi.
Unë deri tani kam shkruar 22 librete që janë për këngëtarë të ndryshëm, jo vetëm të Shkodrës sepse dy librete unë i kam bërë për Artiola Toskën, kam shkruar për vëllezërit Zena të Elbasanit si dhe shumë këngëtarë të tjerë, të cilët kanë mbajtur recitalin në Shkodër. Kjo punë më ka bërë të ndjehem mire dhe në atë periudhë kur unë kam shkruar të gjita recitalet kishim nevojë sepse merrnim dhe një shpërblim sepse artisti vlerësohet pak nga ana ekonomike dhe ka nevojë që të bëjë edhe gjëra të tjera, që të përpiqet për t’i dhënë familjes së vet diçka më shumë që të ketë mundësi të jetojë. Shumë prej artistëve edhe unë jemi ndjerë në vështirësi sepse jo gjithmonë jeta të përball me gjëra të mira.
Merita Smaja gjate nje shfaqje (Facebook)
CMG: Edhe fëmijët tuaj kanë vijuar rrugën e artit. Flasim për rrugëtimin e tyre artistik?
Merita Smaja: Unë kam mbaruar Akademinë e Arteve, po ashtu dhe bashkëshorti ku jemi njohur aty. Ne ishim bashkë studentë, mbaruam shkollën bashkë dhe krijuam vërtetë një jetë artistike, një jetë familjare të bukur. Ai më dha shumë dhe unë i dhashë atij. Po flas për atë ngaqë është ndarë nga jeta dhe unë e ndjej shumë mungesën e tij sepse e kisha jo vetëm koleg, bashkëshort por ishte shok, mik dhe i dashur. Ne krijuam familjen dhe kemi dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, Kreshniku dhe Sara. Ne nuk donim kurrë që fëmijët t’i bënim artistë sepse ishte shumë e vështirë të jetoje ne artin dhe vazhdon të jetë e vështirë. Artisti vazhdon të mos jetë në qendër të vëmendjes dhe është shumë i nënvlerësuar. Djali mbaroi shkollën për regji filmi dhe televizioni, ku akoma nuk punon si regjisor se këto janë kushtet por punon si kameraman në TVSH. Ndërsa vazja mbaroi për aktore ku dha shumë duke bërë shumë role të bukura në shkollë, bëri dhe shumë role kur erdhi në teatrin tonë. Ajo iku prej Shkodre sepse tha që nuk mund të jetojë me kaq pak të ardhura që merret në teatër, dhe sot është në Tiranë ku vazhdon punën si regjisore dhe aktore. Nga një anë më vjen mirë dhe kënaqem me rezultatet dhe gjërat që ata bëjnë, por nga ana tjetër më vjen keq që janë kaq të pavlerësuar nga ana ekonomike, por kurrë nuk morën rrugën për të ikur jashtë dhe për të bërë diçka tjetër. Unë jam e kënaqur me ta dhe shpresoj që në të ardhmen të bëjnë gjëra artistikisht të bukura që vlerësohen.
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike në vazhdim?
Merita Smaja: Unë kam përgatitur shumë prej të rinjve të cilët kanë shkuar në Universitetin e Arteve, kam punuar me fëmijët në “Horizont Akademi” dhe janë fëmijë të vegjël që edukohen me teatrin. Mendoj se këta do të jenë prapë ajo që unë do të bëj, që të përcjell tek të rinjtë dhe gjithë brezat dashurinë për teatrin. Gjithashtu nëse unë do të kem regjisorë që do të dëshirojnë të luaj në pjesët e tyre, do të jem pjesëmarrëse dhe do të punoj me shumë kënaqësi dhe profesionalizëm.
Merita Smaja me kolege te tjere (Facebook)
CMG: Së fundi një mesazh urimi për festat e fundvitit.
Merita Smaja: Unë i uroj të gjithë njerëzve ta duan njëri- tjetrin, t’i japin sa më shumë dashuri njëri- tjetrit sepse vetëm dashuria mund të sjellë një mirëkuptim, mund ta rregullojë botën dhe mund të bëjë që njerëzit të jenë më të mirë. Le të gëzojmë së bashku dhe ta shijojmë jetën!
Intervistoi: Gazmend Agaj