Binjakëzimi i të rinjve nga Tirana-Shkodra dhe Prishtina nga shkollat shqipfolëse ishte në qendër të veprimtarisë ku morën pjesë 14 nxënës dhe mësues nga Kosova, Shkodra së bashku me nxënës të gjimnazit “Ismail Qemali“. Synimi i veprimtarisë ishte zhvillimi i kapaciteteve të të rinjve nën moton "Rini aktive", ku janë njohur me tematika që fuqizojnë të rinjtë dhe forcojnë formimin e tyre. Pjesë e veprimtarisë, nga gjimnazi “Ismail Qemali“ në Tiranë, Paola Persjaka na tregon rreth këtij projekti:
Projekti i binjakëzimit (Foto perosnale)
Paola Persjaka(Foto personale)
“ Përgjatë këtij viti Tirana mbajti titullin qyteti europian i rinisë, ndërsa në vitin 2021 u hap thirrja për projekte nga individë dhe grupe formale e jo formale. Bashkë me nxënës të tjerë të gjimnazit Ismail Qemali u bëmë pjesë e këtij projekti, i cili u zgjodh edhe fitues. Binjakëzimi i shkollave shqipfolëse, rini aktive, me qëllim zhvillimin e njohurive të reja dhe kështu vendosëm të mos ta lëmë vetëm në kuadrin e shkollave që flisnin gjuhën shqipe, por më gjerë. Kështu të rinjtë do të kishin mundësi të merrnin një informacion më të plotë dhe të ndalonim vetëm tek ana kulturore apo tradita. Si qëllim do të nënvizonim fuqizimin e kapaciteteve dhe zhvillimin për të pasur një rini më aktive dhe që njeh potencialin e saj. Sjell për të gjithë të rinjtë një formë ndryshe të të kuptuarit dhe mbulon kështu të gjithë qëllimin e shkollave në zhvillimin e kapaciteteve dhe fuqizimin e rinisë“, tha Persjaka.
Qëllimi i projektit ishte binjakëzimi mes të rinjve dhe fuqizimi i tyre, ndërsa kishte fokus dhënien e më të mirës të secilit student.
Por sa i rëndësishëm është kontributi i shkollave në ndërtimin e një bote të qëndrueshme.
Rots of wings (Foto personale)
Anëtarët e projektit (Foto personale)
“Shkollat kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e individit. Nëse më parë kishte detyrë ta formonte nga ana akademike tashmë dhe formimi i individit si një qenie që i përket shoqërisë, tani mendojmë për një spektër më të gjerë. Po ashtu rëndësia e shkollës për një botë të qëndrueshme është shumë e madhe pasi në thelb edukon individin që do të bëjë botën në të ardhmen. Shkolla ka ndikim dhe në çdo aspekt që ne do të donim ta shihnim qëndrueshmërinë dhe individin.”
Ndërsa të rinjtë shqiptarë po bëhen gjithmonë e më shumë aktivë, duke qenë pjesë e nismave dhe projekteve në fusha të ndryshme.
“ Të rinjtë shqiptarë janë tejet aktivë, mjafton t‘u ofrosh të gjithë mundësitë, i duhet vetëm një ndihmë fillestare dhe më pas e gjejnë vetë rrugën. Nëse kanë një indicie më pas vazhdojnë duke ia krijuar vetë mundësitë vetes. Përgjatë ditëve të projektit pamë se të rinjtë duan dhe mund t‘ia dalin, nëse kanë informacionin e nevojshëm mund të vazhdojnë. Në të ardhmen do të jenë më tepër aktivë sesa tani” , tha Paola Persjaka nga gjimnazi “Ismail Qemali“ i kryeqytetit, pjesë e projektit “Roots inspire wings”, binjakëzimi i shkollave shqipfolëse nga Tirana, Shkodra dhe Prishtina.