Dita e Diasporës- Çështjet ekonomike në tryezë
2022-12-27 16:17:40

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Diasporës u organizua mbledhja vjetore e Këshillit Koordinues të Diasporës ku të pranishëm ishin Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe kryetari i Dhomës së Diasporës Mark Gjonaj, i cili tha se pasuria e Shqipërisë është populli, jo vetëm qytetarët e Shqipërisë por populli  që jeton në katër anët e botës. 

Këshilli Koordinues i Diasporës (Foto ministria.gov.al)

Këshilli Koordinues i Diasporës (Foto ministria.gov.al)

“Gjeografia mund ta ndajë, por është gjuha kultura dhe dashuria për kombin që na bashkon. Diaspora luan një rol të madh në identitetin  e vendit. Jo vetëm kontributin në ekonomi, kulturë dhe jetën sociale, por në çdo aspekt sepse gjeneratat e ardhme do gëzojnë atë që ata do të lënë. Diaspora nuk  i diferencon krahinat dhe qytetarët, ne kemi një interesat e përbashkët dhe diçka që na lidh dhe përfitojmë të gjithë bashkë. Kur punojmë bashkë rrisim gjëra madhështore.
Roli i diasporës duhet të vlerësohet dhe njihet, diaspora nuk është eksperimentim  social dhe bankë për lekë, por një grup madhështor me forcë, influencë dhe vlera. Një përqindje e madhe e shqiptareve jetojnë jashtë
INSTA DATA  raporton 1.6 milion shqiptarë jetojnë  jashtë vendit pra 37% e tyre.”

Në fjalën e saj ndër të tjera Ministrja Olta Xhaçka tha se detyrimi ndaj diasporës është i madh, kemi një borxh të lartë mirënjohje dhe forcimi i marrëdhënieve është një mundësi dhe potencial i rëndësishëm.

“Diaspora është pa as më të voglin dyshim një burim i jashtëzakonshëm mundësish dhe nëse nuk gjejmë mënyrat më të mira për të ndërtuar me diasporën modele bashkëpunimi unë besoj që historia nuk do të na falë. Unë jam optimiste që ne sot i kemi të gjithë mundësitë për ta ndërtuar këtë bashkëpunim. Së pari, sepse ky proces i ndërtimit të marrëdhënieve me diasporën ka nisur e është në rrugë të mbarë. Së dyti, me kalimin e diasporës si fushë përgjegjësie tek MEPJ, ne kemi sot mundësinë të vëmë në dispozicion të kësaj përpjekje të gjithë risurset e shërbimit tonë të jashtëm dhe përfaqësive tona. Së treti, dhe kjo është vërtet e rëndësishme, ky bashkëpunim është sot i mundur sepse sot ekziston një filozofi e re që diasporën nuk e sheh thjesht si një burim të ardhurash që na ndihmojnë të kalojmë kohën e vështirë, por si një partnere në këtë përpjekje” u shpreh ministrja Xhaçka.

Mbledhja vjetore e Këshillit Koordinues (Foto ministria.gov.al)

Mbledhja vjetore e Këshillit Koordinues (Foto ministria.gov.al)

Kryeministri Rama ka përshëndetur Ditën e Diasporës. Përmes një postimi në Facebook ai ka ndarë disa histori nga shqiptarët që janë kthyer nga emigracioni në Atdhe.

Me rastin e Ditës së Diasporës ai shprehu përulje dhe respekt për shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë, e po ashtu mirënjohje për plot të tjerë që janë kthyer në atdhe për të investuar.

Kreu i qeverisë shqiptare u ndal te amnistia fiskale ku tha se kjo e fundit duhet të ishte bërë më herët pasi garanton formalizimin e të ardhurave të emigrantëve.

“Amnistia fiskale do të garantojë formalizimin e të gjitha të ardhurave nga puna të shqiptarëve në Diasporë. Ekonomia informale nuk është një territor vetëm i vendeve në zhvillim si Shqipëria, por është një zonë që ekziston edhe në vendet e zhvilluara. Puna në të zezë, pagesat në Cash për punë të paregjistruara janë një konstante edhe në vendet e zhvilluara. Kemi arsye dhe raste për ta bërë më në fund këtë hap i cili ka qenë dashur të bëhet prej shumë kohësh”- tha Rama.

Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike të opozitës, drejtuese e këshillit parlamentar të integrimit, Jorida Tabaku,  u shpreh në një deklaratë se diaspora shqiptare është e treta mes më të mëdhave në botë dhe shqiptarët po largohen, gjë që nuk duhet lejuar më të ndodhë.

“Sot është shumë e domosdoshme që ne të kemi një ligj, i cili u mundëson atyre votën, në mënyrë që zëri tyre të dëgjohet dhe gjithashtu një mundësi për të afruar më shumë diasporën me shtetin shqiptar. Shqipëria ka nisur rrugën drejt BE përmes hapjes së negociatave, prandaj diaspora, si ambasadorja më e mirë e Shqipërisë, mundet dhe është e aftë që të japë ndihmesë për të ndërtuar Europën këtu”, theksoi Tabaku.

Olta Xhaçka (Foto facebook)

Olta Xhaçka (Foto facebook)

Sipas të dhënave statistikore, 1.68 milionë shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë, ose 37 për qind e popullatës së saj.

OKB e ka renditur Shqipërinë si vendin e tretë në botë me numrin më të madh të popullsisë, që jeton jashtë territorit të saj, mbi 30 për qind e shtetasve.

Këshilli Koordinues i Diasporës u krijua në dhjetor 2019 për të ndihmuar në tejkalimin e pasojave të tërmetit tragjik të vjeshtës së atij viti, por disa muaj më vonë erdhi edhe pandemia Covid19, e cila frenoi veprimtaritë e saj, ashtu si edhe gjithë botën.