Nisma “Ne për fëmijët”, një dritare shprese në fundvit
2022-12-27 16:02:42

Krishtlindjet dhe nata e ndërrimit të viteve janë festat ku njerëzit bëhen bashkë për të festuar dhe për të qenë në harmoni me njëri-tjetrin. Shumë fëmijë në mbarë botën mezi i presin festat për të marrë prej familjarëve të tyre dhurata dhe kartolina. Jo të gjithë kanë të njëjtin fat, ka shumë fëmijë të cilët nuk kanë mundësi të përjetojnë të njëjtat emocione. Mund të jenë fëmijë të braktisur nga familja apo edhe në vështirësi ekonomike. Pjetër Vatnikaj, së bashku me tre miqtë e tij këtë fundvit menduan të surprizojne fëmijët në nevojë. Ata mblodhën lodra dhe libra nga njerëz të ndryshëm. E gjitha u realizua për pesë muaj.

Nisma

Nisma 'Ne Për Fëmijet'( burimi foto personale)

Nisma

Nisma 'Ne Për Fëmijet'( burimi foto personale)

Grupi  realizoi projektin me shpresën që vitin e ardhshëm do të jenë shumë më shumë të rinj që do të bashkohen në këtë vullnetarizëm. Pjetri nuk angazhohet për herë të parë në grupe vullnetarizimi, por ai ka vite që bën të njëjtën gjë edhe në kohë të ndryshme. Ka qenë dhe vijon të mbetet një zë  i rëndësishëm edhe i studenteve, duke mbrojtur dhe përkrahur të drejtat e tyre. Kjo ishte dhe një nga arsyet pse ai zgjodhi drejtësinë, si degë studimi.

Për  Radio Ejani ai tregon gjithë eksperiencën e tij  dhe këtë nismë falë së cilës ka ndihmuar 125 fëmijë.

CMG:  A mund të na tregoni se si lindi ky projekt?

Pjetër Vatnikaj: Ky projekt në fakt nuk nisi vetëm nga unë . Jemi një grup i madh tashmë që punojmë dhe aktivizohemi. Duke e parë të nevojshme që të nxisim edhe të rinj të tjerë që të jenë kontribuues në rrethin e tyre, u bëmë ne shembujt e parë. E nisëm duke ju dhënë njerëzve një shkëndijë. E testuam idenë në rrjete sociale dhe pasi kuptuam që u prit mire, vazhduam .

CMG: Çfarë ju kërkuat konkretisht njerëzve?

Pjetër Vatnikaj: Ne kërkuam nga njerëzit që të na ofronin lodra apo libra dhe më pas u angazhuam për t'i ndarë ato në zona të cilat kanë më shumë nevojë për mbështetje. Komuniteti është i madh dhe ndonjëherë duket sikur nuk mjafton, por e kemi nisur nga pak. Pasi i mblodhëm lodrat filluam t'i ndajmë dhe u ndjemë mjaft mirë për gëzimin që pamë në sytë e fëmijëve.

CMG: A përfundon këtu roli juaj apo keni plane për të ardhmen?

Pjetër Vatnikaj: Roli ynë nuk ndalet këtu sepse ne do përpiqemi që të ngrejmë një projekt i cili do të jetë në funksion të informimit të fëmijëve. Ata duhet të informohen mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre në tërësi.

CMG: Pjetër sa kohë keni që merreni me vullnetarizëm?
Pjetër Vatnikaj: Kur nis të flasësh për veten bëhet pak më e ndërlikuar sepse unë gjithmonë kam bërë një punë që ka mbetur në heshtje dhe kanë folur veprat e mëdha. Aktualisht jam student në degën e drejtësisë, ndërsa prej më shumë se 10-vitesh merrem me vullnetarizëm. Është një nga punët që mua më motivon për jetën. Me jep më shumë shanse për ta parë atë me sy optimist. Ka shumë njerëz që nuk kanë mundësi dhe duan të jenë mire dhe kur ua krijon këtë mundësi merr më shumë kënaqësi dhe motivim.

Nisma

Nisma 'Ne Për Fëmijet'( burimi foto personale)

Nisma

Nisma 'Ne Për Fëmijet'( burimi foto personale)

CMG:  Momentet e vështira të rrisin?

Pjetër Vatnikaj: Kam pasur momente të vështira në jetën time. Çdo njeri ka momente, të cilat e ndihmojnë të ngrihet dhe të ndihet më i fortë .

Vitet e adoleshencës dhe në rritje e pjekuri janë sfidë më vete . Çdo i ri mendoj është gjendur te paktën njëherë në udhëkryq. Unë jam gjendur, por jam njeri i duruar dhe kam pritur që gjërat të ndryshojnë. Ashtu ka ndodhur, me besim arrihet çdo gjë.

CMG: Ju kanë ndihmuar trajnimet për të qenë ky që jeni sot?

Pjetër Vatnikaj: Trajnimet mua më kanë ndihmuar shumë. Unë edhe tani por edhe vite më parë qëkur isha fëmijë kam pasur dëshirë të mos humbas asnjë trajnim sepse ato të aftësojnë,  të japin mundësi për të qenë e rrjetëzuar dhe më i përqendruar. Ndaj dëshirën për t'u marrë me vullnetarizëm e kam  kuptuar në sajë të trajnimeve. Madje, nëse do kishte një mundësi për të bërë një thirrje drejt të rinjve kjo do ishte : "Mos humbisni kohë , trajnoni veten për të qenë më të mirë dhe më të aftë në çdo aspekt"!

CMG: Cila ka qenë nisma juaj e parë?

Pjetër Vatnikaj: Nisma ime e parë ka qenë një angazhim që më ka dhënë shumë emocione dhe më ka bërë ta shoh botën me sytë e tyre.

Unë kam ndihmuar një grup personash të cilët nuk shikonin dhe nuk dëgjonin.

U përpoqa që të afroja edhe më tepër dhe t'i bëja bashkë vullnetarët për të ndihmuar këta fëmijë .Më pas duke kaluar vitet unë u profilizova ne degën time duke qenë që studioj në juridik kam ndërtuar një klub studentësh të cilin e bashkedrejtoj. Këtë vit ne kemi nënshkruar edhe një marrëveshje që të jemi pjesë e një grupi ndërkombëtar studentor.

CMG: Si ndiheni që keni një shpirt kontribuues?

Pjetër Vatnikaj: Të qenit kontribuues edhe lind, por edhe mëson gjatë rrugës, mjafton të jesh i rrethuar nga shembuj pozitivë. Unë ende dhe sot nuk arrij të përkthej emocionet që kam marrë sepse janë shumë, shumë të mëdha.

CMG: A keni pasur ju një mesazh kryesor për ta përcjellë, nëpërmjet këtij angazhimi?

Nisma

Nisma 'Ne Për Fëmijet'( burimi foto personale)

Nisma

Nisma 'Ne Për Fëmijet'( burimi foto personale)

Pjetër Vatnikaj: Mesazhi që kam zgjedhur të përcjell nga vetja ime tek të tjerët është që në këtë botë ka ende të rinj të cilët mund ta bëjnë Shqipërinë edhe më të bukur. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm me njerëz shumë të dashur dhe me botë shumë të madhe. Nuk është e rëndësishme të kesh poste të mëdha apo të jesh i gjithëpushtetshëm, por e rëndësishme është të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe . Shembulli ynë nuk tregon në asnjë moment që ne do ndryshojmë botën, por që jemi duke u përpjekur. Jemi të rinj dhe kemi shumë ëndrra .

CMG: Cila është mbështetja juaj më e madhe?

Pjetër Vatnikaj: Mbështetja ime me e madhe mbetet familja, por edhe shoqëria. Edhe vetja, tingëllon egoiste por mua më ka mbështetur vetja. Jam përpjekur që përpos punës dhe aktivizimit dhe shkollës  lexoj 4 orë në ditë. Çdo njeri nëse i jep vetes si ushqim librin, kam bindjen që mbërrin larg . Unë kam ndjekur gjithmonë shembuj pozitivë dhe gjithmonë kam pretenduar se puna e mirë një ditë do të dalë në dritë .

CMG: Cili do të ishte mesazhi juaj i urimit për fëmijët?

Pjetër Vatnikaj: Unë uroj që këto festa të jenë po aq sa të bekuara sa janë edhe vetë fëmijët  dhe të gjithë të rinjtë të mos ndalojnë së ndihmuari një fëmijë në nevojë.

Intervistoi : Megi Latifi