Kinë: Jeta e njerëzve dhe biznesi nisin mëkëmbjen nga COVID-19
2022-12-27 11:55:42

Trafiku i zhurmshëm është rikthyer në rrugët e qyteteve, restorantet po mbushen plot me klientë, pikat turistike po gumëzhijnë nga vizitorët dhe fabrikat po punojnë pa pushim për të kompensuar vonesat e shkaktuara nga COVID-19.

Këto janë shenjat e rimëkëmbjes së jetës dhe biznesit në Kinë pas rregullimit të përgjigjes epidemike me nxjerrjen e 10 masave të optimizuara më 7 dhjetor, për të koordinuar më mirë përpjekjet kundër virusit dhe zhvillimin ekonomik.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

MËKËMBJA E TREGJEVE TË SHËRBIMIT

Ndërsa Kina vazhdon të optimizojë masat për parandalimin e epidemisë, restorantet në shumë zona në mbarë vendin kanë rifilluar shërbimet.

Kamerierët në një restorant në Urumqi, kryeqendra e Rajonit Autonom të Xinjiang- Ujgurit, janë të zënë duke u shërbyer klientëve, të cilët janë të ulur në një largësi të sigurt nga grupet e tjera.

Menaxheri i restorantit tha që, megjithëse fluksi i klientëve nuk është kthyer ende në normalitet, rifillimi i punës tashmë ka rritur besimin e stafit.

Edhe tregu i filmit po e merr veten. Aktualisht, mbi 9 800 kinema janë në funksionim në tërë vendin, që përbëjnë rreth 80 për qind të numrit të përgjithshëm, sipas kompanisë së hetimit të shitjes së biletave “Dengta Data”.

"Avatar: Rruga e Ujit" siguroi 723 milionë juanë (rreth 103 milionë dollarë amerikanë) të ardhura nga shitja e biletave pas 11 ditësh shfaqjeje në pjesën kontinentale të Kinës.

Në tregun e shitjes me pakicë, një menaxher në dyqanin “Wulin Intime” në qytetin lindor Hangzhou tha se gjatë fundjavës së 17 deri më 18 dhjetorit, dyqani shënoi rritje si në fluksin e klientëve, ashtu edhe në shitje, me një shtim përkatësisht mbi 20 për qind krahasuar me një javë përpara.

Edhe tregu i turizmit ka pasur rigjallërim, veçanërisht në disa qytete të ngrohta në jug. Të dhënat nga dega e udhëtimeve e “Alibaba”-s “Fliggy” tregojnë se menjëherë pas publikimit të 10 masave të optimizuara, vëllimi i kërkimit në kohë reale dhe vëllimi i rezervimeve të biletave ajrore dhe hoteleve u rrit ndjeshëm.

Në qytetin bregdetar jugor të Sanya-së, rezervimet e disa hoteleve u rritën trefish krahasuar me një javë më parë. Më 18 dhjetor, në Aeroportin Ndërkombëtar “Phoenix” të Sanya-së u kryen 319 fluturime udhëtarësh, me një rritje prej mbi 134 për qind krahasuar me 7 dhjetorin, ndërsa qarkullimi i udhëtarëve ishte 42 765, 187 për qind më shumë se më 7 dhjetor.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

PËRTËRITJA E INDUSTRISË

Kompanitë kanë përshpejtuar rifillimin e prodhimit në Zonën e Zhvillimit Ekonomik-Teknologjik të Pekinit (BDA), e quajtur gjithashtu “E-Town”, ku gjenden shumë firma të teknologjisë së lartë.

Në një uzinë të një prej ndërmarrjeve kryesore të kësaj zone, Kompania e Menaxhimit të Investimeve SMC e Kinës, punonjësit po monitorojnë funksionimin e makinerive në punishtet e saj të prodhimit dhe montimit.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kompania ka pasur rezultate të qëndrueshme ditët e fundit dhe është e përgatitur mirë për kërkesën e fortë të porosive dhe rimëkëmbjen ekonomike në vitin e ardhshëm, tha Ma Qinghai, menaxher i përgjithshëm i kësaj dege në pronësi të plotë të prodhuesit japonez të përbërësve pneumatikë “SMC Corporation”.

Për të ndihmuar bizneset të përshpejtojnë rifillimin e prodhimit duke siguruar një mjedis të sigurt pune, zona të ndryshme në mbarë Kinën kanë hartuar masa vendore.

Në provincën Shanxi të Kinës Veriore, departamenteve përkatëse u është kërkuar të pyesin për nevojat e kompanive në baza të rregullta dhe t'i ndihmojnë ato të zgjidhin çdo problem në procesin e rifillimit të punës. Chongqing-u ka publikuar një sërë shërbimesh financiare për industritë kryesore.

Pekini i lejon njerëzit që janë shëruar nga COVID-19, të kthehen në punë pa teste të acidit nukleik ose antigjenit, ndërsa provinca Hunan e Kinës Qendrore ka shpallur masa të shumta për logjistikën, furnizimin me energji elektrike dhe përdorimin e tokës.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Këto përpjekje kanë sjellë rezultate të dukshme. 100 firmat kryesore në BDA kanë rifilluar funksionimin e plotë dhe 99.5 për qind e projekteve të mëdha në Chongqing kanë nisur përsëri të ndërtohen. Fabrikat në Hunan kanë vendosur rekorde të reja prodhimi që nga nëntori, me besim të forcuar.

Stabilizimi i rritjes, punësimit dhe çmimeve, si edhe sigurimi i një rimëkëmbjeje të përgjithshme dhe përmirësimi i rezultateve ekonomike u theksuan në Konferencën e fundit Qendrore të Punës Ekonomike, e cila është një mbledhje vjetore që vendos përparësitë e punës ekonomike në vitin e ardhshëm. Përshpejtimi i rifillimit të punës dhe prodhimit luan një rol vendimtar në arritjen e këtyre objektivave. ■