Ministrja Krifca: Eksporti i mishit shqiptar tani edhe në Arabinë Saudite
2022-12-27 18:49:25

Eksportet me Arabine (Foto Facebook Ministria e Bujqesise)

Eksportet me Arabine (Foto Facebook Ministria e Bujqesise)

Një nga sfidat mbi të cilën punojmë pa pushim në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është hapja e tregjeve të reja për eksportet bujqësore e blegtorale me qëllim përmbushjen e objektivit 1 miliard dollarë eksporte brenda vitit 2030, deklaroi ministrja e linjës Frida Krifca, përmes një postimi në “Facebook”.

Ministrja Krifca theksoi se pas hapjes së tregjeve rajonale në fillim të vitit për eksportin e produkteve blegtorale dhe të mishit, duke përmbushur standartet e kërkuara të sigurisë ushqimore, tashmë ka një destinacion të ri, Arabia Saudie, për eksportin e produkteve shtazore, veçanërisht qengjave.

“Ngarkesa me qingja me origjinë nga Zhulati i Gjirokastrës, u administrua në thertoren e licencuar në Gramsh, nën mbikqyrjen e veterinerëve të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë, që i certifikuan për eksport për llogari të kompanisë “Bio Commerce International”,- shkroi ministrja.

Ajo e cilësoi një një tjetër hap konkret të kryer nga ministria, që vjen si rezultat i një pune të madhe administrative dhe në terren duke vendosur një zinxhir të qartë komande në veterinari, duke miratuar një paketë higjienike me standarde, duke mbyllur ciklin e kontrollit nga ferma në thertore përmes veterinerëve të dedikuar në çdo thertore dhe treg blegtoral të licencuar. (Irma)